Përgjaket Tirana, humbin jetën në aksident dy persona tek “21 Dhjetori”

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet. Mësohet se dy makina janë përplasur në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”.

Një nga automjetet e përfshira në aksidentin fatal, dyshohet se është futur në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” me semafor të kuq, ndërsa drejtuesi ka qenë i dehur.

Aksidenti ndodhi rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, ku janë përfshirë një mjet “Citoren” me drejtues Emirjan Dokon, 30 vjeç dhe një automjet tip “Hyundai” me drejtues Luan Cenollarin.

Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë ndërruar jetë Cenollari dhe pasagjeri në “Hyundai”, i identifikuar si Ali Bejo, 69 vjeç.

Paraprakisht, dyshohet se shkaktar i aksidentit ka qenë Emirjan Doko, i cili ka qenë i dehur në timon, ka qarkulluar me shpejtësi si dhe është futur me semafor të kuq. Nga kontrolli i mjetit i është gjetur një armë zjarri e llojit pushkë 20-she. Nuk dihet nëse arma ishte me leje dhe as përse Doko e mbante atë me vete, ndërsa policia ka nisur hetimet.

Ndërkohë, Emirjan Doko, shoferi që shkaktoi aksidentin e rëndë mëngjesin e sotëm te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në Tiranë ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën.

Mësohet se ai ka marrë plagë në kokë, ndërsa ka dëmtime në kocka në pjesën e kofshës. Ai pritet t’i nënshtrohet operacioneve për rikuperimin e gjendjes së tij.

Artikulli paraprakPD: Sali Berisha bëri bllof. Nuk ka 1/4 e firmave, prandaj nuk respektoi statutin për mbledhjen e Kuvendit
Artikulli tjetërVizionari