Basha-Ramës: I bindur të jeshë që kjo betejë do të shkojë deri në fund!

REPLIKA E DYTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË SEANCËN E KUVENDIT

Sa minuta jepet fjala për procedurë? Po pse nis fjalën përfaqësuesi i Partisë Socialiste duke kërkuar respektimin e procedurës dhe ju shkelni procedurën duke dhënë dyfishin e kohës? Pse dy herë më shumë sesa të lejon koha? Pse? Apo sepse disa janë më të barabartë se të tjerët. E para. E dyta, sepse keni njërin këtu që siç ju trajton ju, kujton se mund të na trajtojë dhe ne. Ju e dini se ç’hiqni me gojën e tij. Edhe me gjëra të tjera, por ta lëmë këtu. Ju e dini se ç’hiqni me gojën e tij, por të vijë këtu dhe të përdorë atë gojë. Ia kam thënë herën e parë matu mirë, sepse nuk do marrësh atë që meriton, do marrësh dyfishin e asaj që meriton. Kështu që kur fillon sulmet ndaj grave, që janë pjesa më e dukshme e shëmtisë së portretit të tij njerëzor dhe politik, që ju i’a njihni shumë mirë.

Nëqoftëse ju i’a pranoni zonja socialiste, të jesh e sigurt, të jeni e sigurt, të jetë çdo kush tjetër i sigurt që fjalët mbrapsh janë më e pakta. Se ne jemi shqiptarë dhe si shqiptarë, jo kur të fyej zonjat e PD, por dhe juve të ju fyej këtu në sallë ai meriton pak më shumë së fjalët. Meriton ta trajtosh siç trajtohen ata të paburrë që e ndërtojnë verbin e tyre dhe jetën e tyre mbi komplekset që kanë ndaj grave. Tani të vijmë te thelbi. Me të drejtë tha zoti Mediu që kjo bëhet për të hequr bisedën nga thelbi. Dhe thelbi është që ky ka marrë më shumë borxh se të gjitha qeveritë që nga 1991. Borxhin e ka marrë në emër të shqiptarëve, nuk ka vënë në hipotekë as sarajet e Surelit, as bizhuteritë e veta apo të afërmve të vet. E ka marrë nga xhepat e shqiptarëve.

Ka vënë në hipotekë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Ku janë paratë që ka marrë borxh? Ku janë taksat e rritura? Ku është çmimi i rritur i energjisë që paguajnë shqiptarët? Në çfarë forme po iu kthehen shqiptarëve. Janë rritur rrogat? Jo. Janë rritur pensionet? Jo. A është shëndetësia falas siç e ka premtuar para 8 viteve? Jo. A i bëri legalizimet falas? Jo. A i hapi 300 mijë vende pune? Jo, largoi 500 mijë shqiptarë nga vendi, sepse janë mbyllur me dhjetëra mijëra vende pune dhe punësuesit ditë për ditë dhe natë për natë pluskojnë në pasiguritë ekonomike që i ka shkaktuar ky. Po ku i ka çuar këto lekë xhanëm? Ku i ka çuar? Dihet ku i ka çuar, mjafton të lexosh dokumentet e shtetit, lexo kontrollin e lartë të shtetit këto 8 vite dhe e kupton ku i ka çuar lekët ky.

Dhe e vetmja gjë që nuk do të flasë është kjo. Sepse kjo e nxjerr zbuluar për çfarë është një bandë grabitësish që maskohen si qeveri sepse grabisin zgjedhjet. Sigurisht besimi i investuar tek Partia Demokratike dhe tek unë si lider i saj është besim qytetarësh për ndryshim. Kurse ajo tjetra është besimi i kriminelëve, i cili në fakt është mosbesim, se nuk japin veç votën e tyre për Edi Ramën, por fusin delet e tyre në grupin parlamentar. J’ua vë në krye Komisionieve të Partisë Socialiste nëpër rrethe. A ka socialist të ndershëm në Shkodër që nuk e di se kriminelët janë shefat e vërtetë të organizatës që ka mbetur aty. A nuk është e njëjta gjë në Elbasan, në Peqin, në Fier, në Vlorë, në Durrësin e Vangjush Dakos që edhe kësaj radhe është kapur me të njëjtën avaz si në zgjedhjet e mëparshme. E pra, ja një pjesë e trinomit.

Pushteti grabitet me kriminelë që të vazhdojë grabitja e Shqipërisë me këtë të ashtuquajtur buxhet, që është letër paketimi e vjedhjes dhe vazhdimit t vjedhjes së shqiptarëve. Borxhi është rritur, taksat janë rritur, çmimet janë rritur, faturat janë rritur, ku shkojnë paratë? Shiko si mashtron. Thotë, rruga e Arbrit është shtesë e paparashikueshme. Ishte 33 miliardë në buxhet, ligji thotë është 20% shtesa, si e çon 58 miliardë ti? Si e çon? Çfarë janë punimet e paparashikueshme? Tuneli? Duhet që në 1992-shin që duhej tunel për të shkuar në rrugën e arbrit? Punimet e paparashikueshme janë vjedhjet. Vjedhjet e përbashkëta të Edi Ramës dhe të oligarkut të cilit i është dhënë vepra me mbi dyfish çmimin.

Dhe këtu e sjell të miratojë, dhe këta do ngrenë dorën të mpirë nga sensi i përfaqësimit politik, të mpirë nga sensi i përfaqësimit të socilistëve taksapagues, të mpirë edhe nga sensi të qenit prindër të fëmijëve në emër të cilit po marrin borxh për të paguar një rrugë me dyfishin e çmimit, do ngrenë dorën këta, për të legalizuar një sallë që është pjellë e paligjshmërisë, është pjellë e bashkëpunimit midis Edi Ramës dhe krimit të organizuar, një tjetër vjedhje si kjo. Po marr vetëm një, një vjedhje, po sa të tilla ka, janë të zbërthyera të gjitha.

U përmend faqja 98 e relacionit, për një javë me radhë vjedhjet e projektuara për vitin e ardhshëm janë të zbërthyera të gjitha nga deputetët tanë. Diku e kanë mbyllur rubinetin komunikimit me popullin që janë mediat, diku nuk ia kanë dalë dot, por fakti është fare i thjesht. Që ky që ka vetëm besimin e kriminelëve madje mund të them në formë mosbesimi pra duke i futur beden në radhët e tyre si provë që e kontrollojnë votën e tij, i kundërvihet një partie që kam nderin dhe privilegjin ta kryesoj në këtë betejë e cila ka ardhur me votat e pastra të zemrave të shqiptarëve të mbushura me shpresë për ndryshim dhe e vetmja arsye pse jemi këtu ne nuk është të dëgjojmë pallavrat tuaja, as të shohim teksa paketoni e të përdorni buxhetin si letër paketimi për vjedhjen e ardhshme, por t’jua çjerrim këtë perde turpi para syve të gjithë shqiptarëve dhe t’ju tregojmë se këta janë gati për pak të ngrenë dorën dhe të votojnë një vjedhje tjetër 1-vjeçare të parave tuaja, të taksave tuaja, të faturave tuaja.

Pra të cilat nuk do t’i kthejnë tek ju. Kjo është arsyeja pse në këto momente që flasim fermerët i kemi në protestë në Lushnje, i ke në këmbë atje. Një nga deputetët tanë është aty me ta. Kishte nderin e atij që zhduket tek dhoma e miellit sa herë që s’përballon dot debatin të ishte atje, bashkë me atë tjetrin që mungon këtu që nderi ia do dhe atij të jetë atje dhe të kundërshtojë dhe atje siç ka kundërshtuar Partia Demokratike shtimin e TVSH-së për imputet bujqësore, të një bujqësie që nuk merr subvencione. E vetmja në Ballkan që nuk merr subvencione, Kosova ndaj 100 milionë në vit. Maqedonia e Veriut po shkon 120-130 milionë ky nuk ndan subvencione për bujqit.

I shkatërron me vetëdije nuk i bëhet vonë për ta. Ku shkojnë këto 120 milionë? Shkojnë tek një vepër që nisi 33 dhe shkoi 58 në mënyrë të paligjshme, shkojnë për të paguar Bechettin që e humbi dhe mashtron shqiptarët duke i thënë që jo nuk e humba, s’do paguaj ndërkohë që pagesa ka filluar. Nuk bën dot shoshën për të mbuluar diçka që nuk ka shqiptarë që nuk e sheh. Më drejtohet mua pse s’shkon ti në Belgjikë? Po shko në SPAK dhe merr fotokopjen e dëshmisë time në prani të prokurorit, gjykatësit hetuesit belg, hetuesve belgë, oficerëve të policisë gjyqësore belge dhe autoriteteve shqiptare për Toyota Yaris. Ti e di fare mirë, se ti ke jo vetëm kaq, por shumë më shimë kontroll. Ti i ndal çështjet penale ne SPAK. Ti e ke korruptuar një pjesë të SPAK-ut.

Fashikullin e dëshmisë time prej më shumë se një viti e ke atje. Merre botoje. Po ta kisha unë do ta botoja. Lëri gënjeshtrat, mos u fshih tek dhoma e miellit por thuaji shqiptarëve dot se çfarë morali njerëzor prindëror, qytetar dhe jo më politik vjen këtu dhe i kërkon deputetëve të tu të ngrenë dorën për të rritur edhe njëherë borxhin të marrësh borxh më shumë se sa qeveritë e marra së bashku, të rrisësh taksat më shumë se ndonjëherë që në kohën e Tanzimatit pa iu kthyer asgjë mbrapsht. Ky është thelbi. Kjo është e vërteta e kësaj nuk i ikën dot. S’do t’i kishe ikur dot edhe 20 vjet përpara e jo më sot ku çdo përpjekje për akrobaci të rrezikon të të thyejë eshtrat e gjuhës dhe eshtrat e plakura të një mendje perverse e cila në mungesë të argumenteve ka një dhe vetëm një taktikë të stërlodhur që e mësuam përmendësh në 8 vite dhe me këtë ke ardhur këtu se s’ke gjë tjetër.

Sa herë që ne të ballafaqojmë me të vërtetën, sa herë që ne të ballafaqojmë me fajtet, sa herë që të ballafaqojmë me vjedhjen e përditshme që ti u bën shqiptarëve sillesh e vërtitesh me të njëjatat epitete. Përgjigjen për to e ke marrë dhe do ta marrësh ditë për ditë, por ky nuk është shqetësimi ynë. Hallet e shqiptarëve janë shqetësimi ynë. Zgjidhja e këtyre halleve fillon me largimin e sojit tënd nga politika. Dhe duke qenë se mekanizmin e votës për momentin e ke bllokuar, voto vettingun në politikë. I bindur të jesh që kjo betejë do të shkojë deri në fund. Mbaji mend atë të dekriminalizmit, kujtohu se kjo do të shkojë deri në fund me forcën e arsyes politike ose me forcën e qytetarëve shqiptarë. Kjo sallë kurrë më nuk do t’i takojë duart e ngrira që ngrihen për të shtuar taksat, për të shtuar borxhin, për të vjedhur shqiptarët pa i kthyer asnjë qindarkë prapa, por duke i majmur karuselin e politikanëve të korruptuar, oligarkëve dhe bosëve të krimit të organizuar.

Exit mobile version