Basha: Po kërkojmë thjesht të ulim çmimin e bukës, vajit, sheqerit, orizit, qumështit, duke ulur TVSH-në

NDËRHYRJA E TRETË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË SEANCËN E KUVENDIT

Ngele tek kinostudio Shqipëria e Re. Kaq është diapazoni i kryeministrit të vendit, filmat e realizmit socialist. Po them dhe një herë, gjysma e shqiptarëve nuk i njeh, shyqyr zotit, janë tepër të vegjël. Pavarësisht përpjekjes për ti rikthyer përmes kanaleve të sponsorizuara nga nostalgjikët e të djeshmes, nuk impresionon njeri, vetëm tregon cektësinë, shpërfaq se sa i cekët je, se si nuk ke arritur dot dhe nuk arrin dot të kapësh thelbin se pse jemi në këtë sallë.

Gjithmonë e ke parë këtë sallë si një mundësi për të sharë, për të treguar se di të flasësh me atë që ty të duket humor, për të përdorur gjuhën në mënyrën më të ndyrë të mundshme, të cilën mua realisht nuk ma lejon kultura të të riperifrazoj dhe prandaj e lashë celularin aty se mund të të nxjerr të tjera ku je duke folur aty, aty je filmuar nga mediat e tua të dashura duke thënë fjalët më të ndyra që mund të nxjerrë dikush dhe prapë nuk ke kërkuar falje, siç nuk kërkove falje tani, atij qytetarit tënd dhe qytetarit tim, që të morri si kryeministër të vendit për të të kërkuar llogari për teatrin kombëtar që e për të ndërtuar kulla.

Nuk janë batuta, Edi Rama, janë hallet e njerëzve me të cilat ti tallesh. I thua kur nuk ke çfarë përgjigje t’iu japësh atyre që i premtove 300 mijë vende pune dhe i çove në azil politik. I ke parë shifrat apo jo? Ia ke kaluar ASAD-it për numër aplikimesh për frymë popullsie. Të thotë gjë kjo ty? Kjo është një pyetje retorike, se po të të kishte thënë diçka do të kishe bërë diçka, qoftë dhe me këtë buxhet, për ta ndalur. E ke bërë gjuhën pis, kur s’ke ditur se çfarë tu thuash atyre që ke 8 vjet që nuk jua legalizon banesat kur ia ke premtuar legalizimin falas. Këto janë fakte, nuk janë sajesa, as fantazitë e mia, janë premtimet e tua të pambajtura, janë fjalët e tua të thyera, ndaj si tifoz i realizmit socialist të paktën lexo ndonjë nga veprat që mund të ketë ndonjë vlerë, nuk antikupet dhe që vjen nga një nga patriarkët e Partisë Socialiste, Dritëro Agollit. Lexo shkëlqimin dhe rënien e shokut Zylo dhe kupto që je kthyer në një karikaturë të shokut Zylo.

Shku Zylo i merte karriget e katit të tretë dhe i çonte në kat të parë, të katit të parë në kat të tretë dhe ti ke 8 vjet që del këtu dhe merr të njëjtin fjalim dhe i çon fjalitë e fillimit në fund, fjalitë e fundit në fillim dhe pastaj në mënyrën më të paturp akuzon se po të luajnë pllakë gramafoni kur ti je vetë gramafoni, gramafon i prishur. Por kjo nuk ndryshon asgjë në jetën e përditshme të shqiptarëve, nuk ndryshon as fakti që nuk e përmban dot veten edhe kur del edhe për të hedhur poshtë mizogjeninë tënde të njohur botërisht. Shiko çfarë metaforash zgjedh: të kujton gratë që kapen prej flokësh. Pse me gratë, pse prapë me gratë? Pse se merr këshillën që të dha kolegia ime që të dëgjosh të paktën një grua në jetën tënde, të mos merresh me gratë. Pastaj përdor terma gaxhije, janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, nuk ka rëndësi nëse janë shqiptarë etnikë apo romë, apo egjiptianë, janë nën përgjegjësinë tënde dhe mos harro që përballë ke një parti që kur ti u thirre dhe u paralajmërove mos të organizoje demonstratë kundër futjes së Shqipërisë në NATO, arriti ta fuste Shqipërinë në NATO.

E vetmja kredi që të jap ty është që kur ta tërhoqën veshin e ndale protestën. Kaq është kontributi yt. Ke përballë një parti që e lidhi kombin me një rrugë, të cilës ti i vure traun. Ke përballë një parti, që shqiptarëve iu riktheu dinjitetin dhe iu bashkoi familjet duke iu hequr vizat, ndërkohë që ti shpikje Griseldën bashkë me Erjon Veliajn dhe turpërove dhe Tanja Fajonin, e nxore mashtruese në Parlamentin Europian, në bashkëpunim me një person të cilin sot se ke më, me të cilin krenoheshe dhe më thoje dhe mua si e ka emrin ky, o Lulo, si e ka emrin ky, ta tregoi dekriminalizimi si e kishte emrin. Ku e ke Elvis Enveroshin ku e ke? Një pjesë prej tyre nuk i ke, sepse kjo parti ka lindur dhe lufton për vlera. A ka gabime? Pa diskutim. Dhe për ato në të cilat unë kam qenë pjesë e qeverisjes dhe për ato në të cilat nuk kam qenë pjesë e qeverisjes kam kërkuar dhe kërkoj ndjesë para shqiptarëve sa herë më jepet mundësia.

Me sinqeritetin më të thellë, për plagët e padrejta që mund t’iu kemi shkaktuar këto 30 vite, të përndjekurve, pronarëve, qytetarëve të thjeshtë, sipërmarrjes, kujto, por kurrë asnjëherë nuk jemi krenuar me krimet, me gabimet, dëmet që i kemi sjellë popullit shqiptar, siç bëni ju. Kemi kërkuar falje, kemi treguar pendesë dhe më shumë se ky korridor i ngushtë, i kuq, kjo është ajo që na ndan nga njëri tjetri. Ju krenoheni me krimet tuaja të përditshme në kurriz të shqiptarëve. Ti nuk di të tregosh pendesë, as ndaj një qytetari të thjeshtë, të pa mbrojtur, që të morri në telefon për të kërkuar llogari pse e prishe teatrin kombëtar. Ti nuk ke arritur të artikulosh një herë faljen, sepse pas 8 vite e kusur në pushtet ke akoma qindra, mijëra banesa të palegalizuara. Apo ujin e pijshëm që e premtove dhe the mua do ma kërkoni jo ministreve.

Apo uljen e taksave për 97% të shqiptarëve, e shumë e shumë premtime të tjera. E di pse nuk kërkon dot pendesë ti? E thotë buxheti yt, se që të kesh pendesë dhe jo falje sa për të larë gojën duhet që pas pendesës të vijë reflektimi dhe reflektim do të thotë, meqë doje propozime konkrete, të realizosh, të kuptosh për një moment se ka diçka që mund të korrigjohet. Ka kaq shumë që mund të korrigjohen, por diçka urgjente që mund të korrigjohet që është shporta ushqimore për njerëzit, amendament i Partisë Demokratike, që ta ulësh me 14% dhe që të sjell një ulje të çmimeve nëse shtetin e vë në funksion të qytetarit dhe jo të oligarkut. E ke të përllogaritur efektin financiar, të kemi treguar ku i ke fondet, të kemi thënë që vetëm dy kategori, oligarkët 113 milion dhe shpenzimet e luksit 51 milion do ta mbulonin efektin financiar për ulen e TVSH-së për shportën ushqimore. Po ti bën sikur s’dëgjon dhe vjen këtu me barsaletat e kinostudios Shqipëria e Re, me banalitete, kërkon ti hedhësh hi dyve njerëzve.

E vërteta është kjo. Ti s’ke asnjë pendesë për krimet në kurriz të shqiptarëve, për varfërimin e tyre, për zbrazjen e vendit, për mjerimin e pensionistëve, për vrasjen e shpresës së të rinjve, për shkatërrimin e ekonomisë, për kolapsin e shëndetësisë, për numrin më të lartë të të vdekurve nga COVID-i në Europë, për paketën më të ulët në Ballkan edhe më të ulët se Kosova.

Nuk ke asnjë pendesë dhe më mirë se çdo gjë tjetër këtë e tregon edhe projekti që ke sjellë këtu dhe që do bëhesh gati ta kalosh me duart e mpira dhe ndërgjegjet e spastruara të grupit tënd parlamentar që nuk është produkt i votës por i masakrës zgjedhore e cila me të gjitha ato që të ka numëruar ODHIR-i prapë se prapë diferencën e bëri sa votat e Tom Doshit, aq është diferenca midis dy palëve, sa votat e Tom Doshit, me gjithë çfarë përdore. Ti ka numëruar ODHIR-i, s’ka nevojë të ti them unë. Megjithatë çfarë përdore, prapë se prapë diferenca është sa votat e Tom Doshit. Por ti nuk ke ndërmend të kërkosh pendesë, sepse ti je i pakorrigjueshëm.

Ndaj, kur përballemi, pavarësisht se kapesh pas hollësirave, ose humbet edhe atëherë kur ke investuar, siç investove krim dhe para në 8 maj 2011, edhe atëherë kur duhet të arrish një marrëveshje për hirë të shqiptarëve, jo për hirin tim, as të Partisë Demokratike, sepse në fund të fundit ti nuk je as në këtë sallë, as në atë seli për t’i shërbyer shqiptarëve. Ti e ke nisur jetën tënde politike dhe do ta mbarosh vetëm në shërbim të vetes tënde. Ndaj është e kotë të presim një reflektim politik edhe në këto orë të fundit të diskutimit. Është e kotë që të shpresojmë një skenar, duhej të ishte fantastike, një fantazi që të çohesh këtu dhe të thuash: Prit, ejani ta bëjmë një propozim të opozitës të paktën ta pranojmë. S’po kërkojmë gjë për vete, s’po kërkojmë 51 milionë euro dhe këta siç do marrim ne për luksi tonë, për Nusret-rat e vitit të ardhshëm dhe për udhëtimet me çartera.

Po kërkojmë thjesht dhe vetëm të ulim çmimin e bukës, vajit, sheqerit, orizit, qumështit, duke e ulur TVSH-në për mallrat e shportës ushqimore. Vetëm një propozim, një propozim të vetëm konstruktiv, të buxhetuar nga ekonomistët më të mirë që ka Shqipëria, të sjell të gatshëm për të marrë formën e amendamentit për buxhetin. Një propozim të vetëm, e për t’i dhënë fund kësaj farse ku çohesh këtu e na tregon një histori banale 8 vjeçare fundi i të cilës dihet.

Ti dhe shokët e tu majmeni përditë me pushtet e me pasuri dhe shqiptarët varfërohen përditë. E pra, ta harrosh se Partia Demokratike dhe unë do të lodhemi së kujtuari ditë për ditë e orë për orë, përgjegjësitë që ke para shqiptarëve dhe të përballemi në çdo formë dhe mënyrë deri sa dikush tjetër që mund dhe do t’i mbajë këto përgjegjësi, që është Partia Demokratike, të të largojë nga karriget e uzurpuara me krimin, për krimin dhe të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë prodhojnë mjerim, korrupsion dhe vrasje të shpresës së shqiptarëve. Ky është motivi për të të larguar. Asgjë personale, vetëm në emër të së ardhmes, të cilën kurrë nuk mund ta përfaqësosh më ti. Sado të përpiqesh si shoku Zylo të ndërrosh karriget e katit të parë në katin e tretë dhe anasjelltas.

Artikulli paraprakBasha-Ramës: Nuk fole asnjë moment se pse ke zgjedhur prapë 113 milion euro për oligarkët
Artikulli tjetërShifrat zyrtare të vdekshmërisë foshnjore, KLSH: Jo reale!