Petro Marko, shkrimtari korife i letërsisë shqiptare

Nga Bujar LESKAJ

Kur linda unë kombi ishte në furtunë, u rrita unë kombi ishte në furtunë, ika unë, kombin e lashë në furtunë!- Petro Marko

Në 25 Nëntor 1913 u lind për t’u kujtuar çdo vit poeti, prozatori, antifashisti i persekutuar nga diktatura, publicisti i madh i viteve ’30 dhe ’90, vlonjati i shquar, Nderi i Kombit, Petro Marko.

Jeta e tij është një kalvar i vërtetë. I arsimuar në mënyrë të shkëlqyer, vullnetar në luftën antifashiste të Spanjës, do të provojë burgjet e fashistëve italianë në vitin 1940, dhe internimet në Palermo e Ustikë në 1942, arrestimin dhe për pak pushkatimin nga nazistët gjermanë në vitin 1944, arrestimin nga diktatura komuniste në vitin 1947- 1950.

Do të bashkëpunojë me një numër të madh gazetash e revistash në vitet ’30, si gazetat “Koha e Re, Illyria, ABC, etj. Pas çlirimit do të ishte kryeredaktor i gazetës Bashkimi.

Mik me Nobelistin amerikan që nga Lufta e Spanjës, Ernest Heminguej, Petro Marko i takon brezit të shkrimtarëve të letërsisë realiste, të viteve 30. Ai së bashku me Migjenin, Nonda Buklën, Ernest Koliqin, Karl Gurakuqin, Branko Merxhanin, Fan Nolin, Lasgush Poradecin, Gjergj Fishtën, Asdrenin, të cilët i kishte miq e shumë të tjerë vunë themelet e letërsisë bashkëkohore shqiptare dhe të publicistikës së vërtetë realiste.

Por Petro Markos, shkrimtarit korife të letërsisë shqiptare, diktatura komuniste do t’i heqë të drejtën e botimit në vitin 1973, ndërsa në vitin 1975, djali i tij, poeti Jamarbër Marko do të arrestohet.

Petro Marko jetoi me dinjitet, e po ashtu dinjitoz u largua nga jeta në vitin 1991, duke lënë pas një pasuri të paçmuar në letërsinë e publicistikën shqiptare.

Veprat e tij: Hasta la vista (1958), Qyteti i fundit (1960), Një emër në katër rrugë, “Ara në mal”, Nata e Ustikës (1989), “Shpella e piratëve”, Vepra autobiografike, “Horizont”, Fantazma dhe plani 3+4, Çuka e shtegtarit, Një natë dhe dy agime, “Stina e armëve”, “Halimi”, Shpella e piratëve, “Gazetari, mbreti e uria”, “Retë dhe gurët” – 2000, Ultimatumi – 2002, Tregime të zgjedhura – 2003 dëshmojnë për një shkrimtar të kompletuar dhe mjaft të dashur për lexuesin shqiptar, duke i rezervuar një vend të veçantë në Panteonin e letrave shqipe.

Veçanërisht vepra e tij “Retë dhe gurët- intervistë me vetveten” dëshmon për krimet e diktaturës dhe një himn për Labërinë, Bregun e Shqipërinë.

Jam i bindur se do të vijë koha kur përmendorja e Petro Markos, këtij shqiptari e disidenti të vërtetë do të vendoset ashtu siç e meriton në Tiranë, në Vlorë dhe në Dhërmiun e tij të dashur.

Njerëzit qajnë trupin
E vdekur kur e përcjellin
Në varr…
Por askush nuk qan
Zemrën e vdekur
Në trupin e gjallë……

Vargje për Petro Markon nga djali i tij, i cili vuajti e u persekutua nga diktatura komuniste, Jamarbër Marko!

1 29
Exit mobile version