Familjarë të Damian Gjiknurit tjetërsojnë mijëra metër katrorë pronë në jug të vendit. Agalliu kërkon shpjegim për këtë rast

· Familjarë të Damian Gjiknurit tjetërsojnë mijëra metër katrorë pronë në jug të vendit. Hipotekimi dhe leja e ndërtimit u dha në kohë rekord nga Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Arbi Agalliu i kërkon shpjegim për këtë rast Damian Gjiknurit.

Deputeti i Partisë Demokratike në fjalën e tij në Kuvend ngriti shqetësimin e trashëgimtarëve të një trualli në bregdetin e Jalës, me sipërfaqe 7 mijë e 378m2. Kjo pronë e trashëguar ligjërisht, është tjetërsuar, hipotekuar dhe dhënë leje ndërtimi në kohë rekord familjarëve të deputetit të qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri, të cilët disponojnë një kompani ndërtimi duke marrë për zhvillim këtë pronë e për të ndërtuar aty një hotel. Deputeti Agalliu tha se leja është dhënë nga Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Ai i kërkoi shpjegim deputetit të Vlorës Damian Gjiknuri duke i drejtuar këto pyetje:

1 – Cili është qëndrimi juaj në raport me këtë ngjarje?

2 – A ka presion nga ana juaj ndaj institucioneve të cilat kanë legalizuar, hipotekuar dhe dhënë lejen e ndërtimit për këtë firmë ndërtimi e cila drejtohet dhe është në pronësi të të afërmve tuaj?

FJALA E DEPUTETIT ARBI AGALLIU NË PARLAMENT

Për problemin e pronave në jug të Shqipërisë dhe konkretisht në Rradhimë dhe Jalë në raport me bupass-in Radhimë që do të zhvillohet investim nga fondi shqiptar i zhvillimit, ka muaj kjo gjë që diskutohet, nuk janë pyetur banorët e zonës. Po bëhen shpronësime qesharake me vlerë 1 mijë e 800 lek të vjetra, 2 mijë lek të vjetra. Banorët kanë dërguar sot kërkesa për të anuluar këtë projekt, deri tek kryeministri i vendit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Vlorë, Këshilli Bashkiak, Avokati i Popullit, Njësia Administrative Orikum, kanë marrë premtimin zyrtar nga ish-drejtuesi politik të PS i qarkut Vlorë Damian Gjiknuri i cili u ka premtuar banorëve që nuk do të zhvillohet ky investim dhe sot ata gjenden përpara faktit që prona e tyre, bizneset e tyre, jeta e tyre cënohet nga një investim që nuk bën sens. Kërkohet të zhvillohet investimi në rrugën ekzistuese dhe nuk ka përse rruga të devijojë duke rritur koston në një terren të rrëshkitshëm ç’ka bën prishjen e bizneseve të tyre, marrjen e tokës dhe shpronësimin jashtë çdo lloj limiti.

Banorët kanë bërë petiocione me firmat përkatëse. Janë mbi 46 familje të djathta dhe të majta në atë zonë të cilat një javë më parë ishin prezent në protestën që filloi dhe do të vijojë.

I bëj thirrje z. Gjiknuri të ndjekë premtimin si deputet i qarkut Vlorë që u ka dhënë këtyre banorëve.

Kalojmë tek problemi i dytë që ka të bëjë me problemin në Jalë.

Para disa kohësh media ka denoncuar një pronë e cila ka qenë trashëgimi me dokumentacione të shtetit shqiptar para viteve ’90, dokumentacione të gjetura në shtetin grek. Ajo që vihet re është që kjo pronë është tjetërsuar dhe është legalizuar, hipotekuar në kohë rekord dhe është marrë një leje ndërtimi po në kohë rekord.

Ka një sipërfaqe prej rreth 7 mijë e 378m2. Leja është dhënë nga Kryetari i Bashkisë së Himarës, z. Jorgo Goro i cili nuk gjen kohë të pastrojë sikurse kryeministri e vuri në dukje, por gjen kohë të japë leje ndërtimi për objekte të cilat kanë sipërfaqe jashtëzakonisht të madhe në bregdet.

Ajo që është problem nuk ka të bëjë me pjesën e investimit. Çdokush është i lirë të investojë brenda rregullave, por ajo që vihet re është abuzimi apo dritëhijet e këtij investimi.

Si ka mundësi që legalizohet, hipotekohet dhe jepet leja e ndërtimit në një periudhë shumë të shkurtër. Brenda pak ditësh ka ndodhur ky proces dhe pak javë mbrapa është mbyllur pjesa e lejes së ndërtimit.

Marrëdhënia midis familjeve aty është një marrëdhënie e cila e zgjidh procesi gjyqësor. Një marrëdhënie personale midis tyre, por ajo që të lë të dyshosh është se pasi ka ndodhur ky proces jashtëzakonisht i shpejtë dhe efektiv i administratës publike, një kompani ndërtimi të cilët janë familjarë të afërm të z. Gjiknuri, kanë marrë për zhvillim këtë pronë.

Unë kam një pyetje të cilët ia drejtoj drejtpërdrejt z. Gjiknuri.

Cili është qëndrimi juaj në raport me këtë ngjarje?

A ka presion nga ana juaj ndaj institucioneve të cilat kanë legalizuar, hipotekuar dhe dhënë lejen e ndërtimit për këtë firmë ndërtimi e cila drejtohet dhe është në pronësi të të afërmve tuaj?

Duhet një shpjegim nga ana juaj që do ta zbardhë këtë gjë.

Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë sepse sikurse nuk ka ndodhur në të ghjithë Shqipërinë nga përfaqësuesit e kësaj mazhorance, por inkurajoj fort SPAK të hetojë këtë ngjarje.

Janë pyetje që u ngre mbi fakte të cilat nuk është që ndodhin në përditësinë e halleve të shqiptarëve. T’u legalizohet për 24 orë objekti, të marrin hipotekë për 24 orë dhe t’u dalë leja e ndërtimit në mënyrë të tillë.

Janë banorë të Himarës të cilët janë shekullorë dhe nuk kanë sot e kësaj dite, pas 30 vitesh një leje ndërtimi apo nuk kanë çertifikata të pronave të tyre të cilat janë prona shekullore.

Artikulli paraprakNis procesi për zgjedhjet LDG, Duma: Prova për integritetin e procesit, përjashtimi i grupit të punës nga kandidimi
Artikulli tjetër77 vjetori i lindjes, Berisha: Mirënohje e thellë për Presidentin e pavdekshëm Dr. Ibrahim Rugova!