Basha: Përgjegjësia e pashmangshme e kryetarit të PD është të vendosë interesat e Partisë Demokratike të parat

Basha: Përgjegjësia e pashmangshme e kryetarit të Partisë Demokratike, është të vendos interesat e partisë demokratike të parat, para interesave të veta personale, para interesave të çdokujt, edhe para interesave të Sali Berishës

Lulzim Basha: Në radhë të parë si ndihem unë sot, të marrim pjesën e parë të pyetjes, ndihem më shumë përgjegjës për fatet e Partisë Demokratike, për fatet e demokratëve, për fatet e demokracisë shqiptare dhe natyrisht pazgjithshmërisht për fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndërsa ajo që e quani përballje me Sali Berishën, në fakt është diçka e pashmangshme dhe e paevitueshme. Nëse do të kishte ndodhur siç po ndodh me mua, sepse jam unë vendimmarrësi për pezullimin nga grupi parlamentar pas shpalljes non grata nga qeveria amerikane apo do të ishte një tjetër forum vendimmarrës i Partisë Demokratike, ajo që di me siguri muaj pasi ky vendim është marrë, është që kjo përballje ishte e pashmangshme. E rëndësishme është që gjithsecili nga kjo përballje të ketë të qartë motivet e palëve. Motivet e mia janë përtej çdo diskutimi. Është interesi i Partisë Demokratike, janë interesat e demokratëve, është sakrifica e tyre, përballë interesave personale dhe vetjake të Sali Berishës.

Sokol Balla: Në 9 shtator, në atë fjalë tuajën, me thënë të vërtetën ishte pake papritur, realisht të gjithë deri diku e dinim, ju thatë që ishte një vendim i detyruar. Sot që po i afrohemi kësaj vendimtare për fatet e PD-së, mendoni që ishte një vendim i drejt?

Lulzim Basha: Nuk e di nëse kam përdorur shprehje vendim i detyruar, por ishte një detyrim, ishte i pashmangshëm, për dy arsye: Një arsye etike dhe një arsye thellësisht politike, ekzistenciale do të thoja. Arsyeja etike, e cila ndoshta duhej të dominonte, por e dimë që në realitetin tonë shpesh herë është sekondare dhe shpesh herë zhduket nga horizonti i debatit publik, është standardi i vendosur nga Partia Demokratike. Standard i vendosur nga unë si kryetar i Partisë Demokratike. Standard i ndjekur dhe i përforcuar nga vet Sali Berisha me rastin e dekriminalizimit, me propozimin tonë në Vettingun e politikanëve, ku në rastet e politikanëve të tjerë të shpallur non grata, të cilët i përkasin kundërshtarit tonë, kemi argumentuar me forcë se kjo përbën bazë të mjaftueshme për t’i ndaluar atyre mbajtjen ose kërkimin e një ofiqi, e një përfaqësimi publik qoftë ky i zgjedhur apo i emëruar. Dhe ju kujtoj këtu rastet e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos, ku vet zoti Berisha është shprehur fare qartë. Por, përtej këtij standardi të vendosur, ka një tjetër motiv që ka të bëjë me përgjegjësinë e kryetarit të Partisë Demokratike, që është një institucion ku demokratët investohen tashmë prej tre zgjedhjesh me parimin një anëtarë një votë. Dhe përgjegjësia e pashmangshme e kryetarit të Partisë Demokratike, është të vendos interesat e partisë demokratike të parat. Para interesave të veta personale, para interesave të çdokujt, edhe para interesave të Sali Berishës që është padiskutim figurë dominuese e Partisë Demokratike në 30 vite.

Basha: Orientimi pro-perëndimor, mishëruar në statut

Lulzim Basha: Ka disa çështje të tjera në Partinë Demokratike të cilat nuk janë çështje të mendimit ndryshe por janë, por janë çështje të identitetit të Partisë Demokratike. Dhe e këto jo sepse kështu më pëlqen mua apo se kështu më është tekur mua papritur në një moment apo sepse kështu dua ta përdor unë apo kushdo tjetër sepse na konvenon një situatë të tillë. Janë të mishëruar në atë që është Kushtetuta e Partisë Demokratike që është Statuti i Partisë Demokratike i miratuar nga forumi më i lartë vendimmarrës që është Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Një nga këto përcaktimet të Partisë Demokratike në to futet edhe anti-komunizmi është orientimi properëndimor, pro-euroatlantik në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Siç është padiskutim edhe çështja kombëtare. Dhe këtu nuk mund të kemi ndryshime mendimi sepse këtu bëhet fjalë për identitetin e forcës tonë politike.

Ka një arsye për këtë, të cilën mund ta shtjellojmë në teori, mund ta themi në praktikë siç e thonë demokratët, në veçanti themeluesit dhe demokratët e vjetër, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për herë të parë dhe në dijeninë time të fundit në Europë, u rreshtuan në krahun tonë për të përmbysur komunizmin shqiptar, sepse komunizmi shqiptar në ’91-in nuk u përmbys nga vala e parë popullore. Mund të rendisim këtu pra edhe skepticizmin e shumë faktorëve të tjerë, pa hyrë në gjeo-strategji, që mendonin që Shqipëria do të mbetej si Kuba, një kopsht zoologjik i komunizmit në Europë. Mund të kujtojmë këtu ndërhyrjen jetike, në kuptimin më të plotë të fjalës, që shpëtoi qindra mijëra jetë shqiptarësh të Kosovës, ndali dhe kthehu mbrapsht spastrimin etnik dhe genocidin e shqiptarëve të Kosovës. Mund të kujtojmë diçka, e cila duket abstrakte për njerëzit, që është futja e Shqipërisë në NATO, por jo për mua dhe as për ne që jemi në këtë tavolinë dhe që e dimë që pa Shqipërinë në NATO, pa garancinë e nenit 5, që një sulm kundër nesh është një sulm kundra Amerikës, ne e dimë fare mirë që kufijtë tanë kanë qenë porozë edhe me krizat më të vogla dhe na janë futur sa nga veriu, sa nga jugu, sa nga lindja, sa herë kanë dashur, edhe forca të cilat nuk mund të llogariteshin se duhet të kishin një superiorit ushtarak të Shqipërisë.

Exit mobile version