Masakra e sektit Rama me tokat në bregdet

Nga Bujar Leskaj

Arrestimet e kohëve të fundit nga SPAK të disa abuzuesve me titujt pronësorë të tokave në Dhërmi, hedhin dritë të pjesshme mbi një masakër të ngritur në sistem dhe perfeksion nga qeverisja e sektit Rama në tetë vitet e fundit.

Për hir të së vërtetës, gjatë 31 viteve tranzicion, me tokat bregdetare të Shqipërisë ka ndodhur një katrahurë e vërtetë. Mbivendosje, zaptime dhe ndërtime pa leje mund të gjesh në të gjithë vijën bregdetare. Mirëpo, në asnjë rast qeveritë e mëparshme nuk kanë ndikuar dhe investuar direkt apo indirekt, për të favorizuar individë apo klientë të tyre, në kurriz të banorëve apo pronarëve atje, sikundër e ka bërë ky sekt.

Për shembull, që nga viti 2014, vetëm një vit pas ardhjes në pushtet të Rilindjes, banorët e Bregut të Jugut, të Vlorës, Sarandës e Ksamilit, por edhe ata qytetarë shqiptarë, të cilët ndër vite kanë zhvilluar biznese atje, po përballen me probleme të jashtëzakonshme, në lidhje me të ardhmen tyre.

Që nga viti 2014, qeveritë e sektit Rama, përmes ligjesh dhe Vendimesh të Këshillit të Ministrave(VKM) të porositura, kanë grabitur, tjetërsuar dhe penguar zhvillimin e pronës në bregdet. Bëhet fjalë për prona, të cilat janë të trashëguara prej brezash, apo prona të përfituara me ligjet e qeverive të mëparshme.

Një vit pas ardhjes në pushtet të sektit Rama, u miratuan dy ligje: Ligji nr. 55/2015 për “Investimet Strategjike”( https://www.aida.gov.al/images/PDF/baza-ligjore/LIGJI-MBI-INVESTIMET-STRATEGJIKE.pdf) dhe ligji nr. 93/2015 “Për Turizmin”( https://turizmi.gov.al/wp-content/uploads/2018/02/Ligj_93-2015.pdf) . Të dyja këto ligje kanë në qendër një rishtetëzim tjetër të tokës në bregdet dhe vënien e saj në dispozicion të klientëve afër qeverisë, duke gllabëruar dhe grabitur pronat e banorëve autoktonë.

Në tetë vitet e qeverisë Berisha, në zonën e Jugut të Shqipërisë dhe në bregdetin e Vlorës ishin dhënë vetëm 12 leje ndërtimi. Në tetë vitet e sektit Rama ,janë dhënë me qindra leje ndërtimi dhe prona, të cilat, në emër të “investitorit strategjik” konsiderohen prona shtetërore.

Vendimi i qeverisë i nëntorit 2018, i cili i kalon në pronësi tokat e bregut Ministrisë së Turizmit, është një vjedhje e pastër dhe e hapur që po u bëhet tokave në bregdet. Janë më shumë se 16 milionë metra katrorë bregdet, ose 1600 hektarë nga Vlora deri në Ksamil, që i kalojnë kësaj ministrie. Harta përcakton se plazhet në Dhërmi, Himarë, Vuno, Piqeras, Kakome, Lukovë, Ksamil e Sarandë i kanë kaluar të gjitha në administrim Ministrisë së Turizmit.

I gjithë ky fond tokash në bregdet do të jetë në dispozicion të “investitorëve strategjikë”, që nuk janë gjë tjetër, veçse individë pranë sektit Rama, oligarkë që e kanë mbërthyer për fyti qeverinë dhe që me mbështetjen e paligjshme të saj, po u grabisin tokën pronarëve të ligjshëm. Grabitja që po bëhet në dritën e diellit, me akte ligjore, në emër të “progresit”, “integrimit”, “shtetbërjes”, e mbështetur nga e gjithë propaganda mediatike 3D pranë qeverisë.

Sekti Rama nuk merr parasysh investimin e një jete që kanë bërë banorët e Zonës së Bregut në ndërtime dhomash, hotelesh të vogla apo restorantesh, të cilat për ta janë i vetmi burim jetese dhe të ardhurash.

Duhet theksuar se ligji për investimet strategjike ekziston në shumë vende të botës, por është një ligj në funksion të ndërtimit të rrugëve, hidrocentraleve, fabrikave, aeroporteve apo veprave të tjera me rëndësi kombëtare. Shpronësimi në vendet e botës bëhet me çmimin e tregut, dhe jo me çmimet qesharake që vendos Rilindja. Qeveria e sektit Rama konsideron si investitorë strategjikë në ligjin e saj të gjithë ata oligarkë, të cilët ndërtojnë resorte, porte jahtesh, kulla që gërvishtin qiellin dhe fshatra turistike, për qëllime biznesi.

Termin investitor strategjik sot e gjen në çdo ligj apo VKM që lidhet me pronat.
Kjo që po ndodh këto tetë vitet e fundit në Shqipëri përbën një precedent edhe për Bashkimin Evropian, pasi Perëndimi nuk mund të perceptojë e të pranojë se si shteti mund të shpronësojë individë të ndryshëm, për interes të x apo y oligarku, që kërkon të ndërtojë hotele, resorte apo fshatra turistike, për qëllime të qarta biznesi fitimprurës.

Në BE, as që mund ta imagjinojnë se si shteti të investojë në ndërtimin e një infrastrukture (rrugë, ura, tunele, etj.) në shërbim të “investimeve” të oligarkëve që kanë grabitur pronat e pronarëve të ligjshëm, ose të atyre që presin t’u legalizohet prona.

Të gjithë banorët dhe pronarët e ligjshëm të Zonës së Bregut rrezikojnë që t’i humbasin pronat e tyre, sidomos atë që kanë pamjen dhe pozicionin që u pëlqen “investitorëve strategjikë”. Dy VKM të sektit Rama në dhjetor 2020, e cilësojnë qartë se në vendet e parashikuara për investime strategjike nuk do lejohet asnjë legalizim, hotel, biznes familjar apo edhe shtëpi.

Nga këto vendime të qeverisë nuk shpëtojnë dot as edhe ata pronarë, të cilët e kanë objektin të legalizuar, apo në proces legalizimi. Dhe këto objekte shpronësohen me çmimet e vitit 2016, ku vlera e tokës përgjatë vijës Orikum deri në Ksamil nuk e kalonte vlerën e 20 eurove për metër katror! Viktimat të saj janë si pronarët e ligjshëm, edhe ata që kanë përfituar tokë pas viteve 90-të, si banorë fshatrash apo punëtorë në ish-kooperativat bujqësore.

Një dukuri tjetër tejet shqetësuese dhe disavjeçare, në lidhje me tokat bujqësore në Bregdet, e përbën mosregjistrimi i Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi në ish-Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Sarandë, për shkak të mosmenaxhimit dhe mos-krijimit të hartave kadastrale në këto zona.

Kjo vonesë ka qenë një skenar i mirëmenduar, duke lënë hapësirën dhe kohën e nevojshme per abuzuesit që kanë vepruar me suport qendror dhe lokal qeveritar.
Vonesa e menaxhimit të zonave kadastrale në Bregdet ka bërë që për këto sipërfaqe të përdoreshin regjistrimet e veçanta, një komptencë kjo që i jepej kryeregjistruesit të pasurive të paluajtshme. Me këtë procedurë janë kryer abuzime të shumta, duke regjistruar persona apo individë pa asnjë të drejtë pronësie dhe duke mundësuar bllokimin e regjistrimit të pasurisë të pronarëve të ligjshëm.

Në këtë mënyrë, këto pasuri, pasi çertifikoheshin nëpërmjet regjistrimit të veçantë, tjetërsoheshin nëpërmjet veprimeve juridike noteriale në persona apo individë të tjerë, në mënyrë që pronarët e ligjshëm të kishin pothuaje zero mundësi administrative apo dhe gjyqësore, për të rivendosur të drejtën e posedimit dhe të gëzimit të pronës.
Për këto shkaqe, sot shumë prej pronareve të ligjshëm autoktonë të Zonës së Bregut vazhdojnë dhe sot të enden në kalvarin e pafund mbi 20-vjeçar të sorollatjes dhe të shpërfilljes, praktikisht talljes, nga insitucionet shtetërore të sektit Rama.

Po përmend disa prej pronarëve autoktonë të ligjshëm të Zonës së Bregdetit, të cilët ende nuk janë pajisur me çertifikatat e pronësisë nga Agjencia e Kadastrës Vlorë.
Palasë: familja Nesturi, familja Vera, familja Dhimolea, familja Billa, familja Çurri, etj.
Dhërmi: familja Bua, familja Marko, familja Bifsha, familja Daflla, familja Duni, familja Beja, familja Ruci, etj.

Himarë: familja Varfi, familja Bollano, familja Hajdhomilo, familja Zoto, familja Beleri, familja Prifti, etj.

Vuno: familja Andoni, framilja Trola, familja Gjoka, familja Vjero, familja Bala, etj
Ilias: familja Andoni, familja Naçi, familja Nikollori, etj.

xx
Në mars të vitit 2018, sekti Rama ngriti një grup të posaçëm pune(e quajti Taskforcë), për të kontrolluar të 30 mijë parcelat e dhëna në bregdet ose shumë pranë tij. Ende nuk dimë si qytetarë, pas 42 muajve, se sa nga këto 30 mijë parcela janë verifikuar për pronësinë e tyre dhe cilat janë rezultatet.

Nuk dimë nëse verifikimi nga grupi i punës vazhdon, apo ka ndalur. Nëse gjetjet dhe mospërputhjet e konstatuara prej tij, asnjëherë të bëra publike, janë përdorur si shantazh apo si ofertë e majme për oligarkët e Ramës.

Abuzuesit në zyrat vendore dhe qendrore të Agjensinë Shtetërore të Kadastrës(ASHK) qëndrojnë të mbrojtur nga moria e “ndereve”-abuzime në favor të bojarëve partiakë e shtetërorë të sektit Rama. Pastaj, kur janë shtrydhur mjaftueshëm, ose qarkullohen në zyra të tjera, ose edhe arrestohen, sikurse ndodhi me titullarin e Zyrës Vendore të ASHK Vlorë, i thirrur për të abuzuar dhe favorizuar oligarkët dhe kasnecët e Ramës gjatë periudhës deri në zgjedhjet e 25 prillit, dhe pastaj i flakur si limon i shtrydhur që nuk duhet më.

Sidomos heshtja mbi fatin e kontrolleve të “Taskforcës” mbi të 30 mijë parcelat e dhëna në bregdet rëndon në përgjegjësinë e madhe te sektit Rama mbi historinë e tokave në Shqipëri. Ky sekt krijoi ligjin e përbindshëm nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”( http://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200310112944ligj%20nr%20%2020%20dt%20%205%203%202020.pdf). Ligji në pamje të parë duket sikur krijon një terren më të mirë për mbrojtjen e pasurisë publike, por në realitet parashikimet ligjore janë jo të plota duke bërë që situata të përkeqësohet në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë. Ligji cënon haptazi parimin kushtetues të shtetit të së drejtës, cënon parimin e sigurisë juridike në lidhje me ushtrimin e të drejtave të pronësisë me të gjitha tagrat e saj, parimin e barazisë përpara ligjit, si dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike.

Me këtë krijesë ligjore monstruoze, askush nuk mund të përcaktojë, të paktën ligjërisht, nëse një pasuri pronë private e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme të fitimit të pronësisë, ndodhet ose jo nën regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme, pjesë e “vijës bregdetare”, si dhe çfarë do të ndodhë me mënyrën e gëzimit të kësaj të drejtë pronësie mbi këtë pasuri, me të gjitha të drejtat që burojnë prej saj.

Në të kundërt, në mungesë të një studimi të mirëfilltë teknik për të përcaktuar me material hartografik të gjithë atë pasuri të paluajtshme që konsiderohet si “bregu i detit” përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit, është e pritshme dhe po realizohet që në praktikë të ndodhin abuzime të mëdha, sikurse deri më tani. Për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të sektit Rama dhe të favorizuarve të tij, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si bregu i detit po pëson deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cënimin e pronës publike dhe asaj private, si dhe paqes sociale.

Ligji 20/2020 sanksionon një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie apo përdorimi mbi pasuri të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar. Ai krijon pafund hapësirë që pronat publike të ndryshojnë thelbësisht destinacionin e tyre, nëpërmjet tjetërsimit pa afat në shërbim dhe për interes të enteve private, duke cënuar edhe nivelin e përdorimit masiv të saj nga publiku i gjerë.

Investimi mbi një shumë të caktuar, sipas këtij ligji, dhe tjetërsimi sa i takon regjimit të pronësisë së këtyre pronave, në fakt ndryshon destinacionin e këtyre pronave. Ndërkohë, asnjë parashikim në këtë ligj nuk ofron një mekanizëm garantues që entet private të mos abuzojnë me këtë të drejtë që i njeh ligji për të fituar përdorimin e pasurisë publike sipas këtij ligji, apo për mënyrën se si ata në praktikë do ta shfrytëzojnë atë.

Në këtë kontekst, ky ligj i qepur sipas interesave të oligarkëve të Ramës, ngjan si dy pika uji me Vendimin e Këshillit të Ministrave(VKM) të 22 tetorit 2021, ku qeveria i njeh vetes të drejtën të shmangë procedurat ligjore të zhvillimit të tenderave, në emër gjoja të interesave thelbësore të Shtetit. Vendimi nuk përcakton qartë cilat janë këto interesa, por ai do të zbatohet për të gjitha procedurat e kontraktimit për mallra, punë dhe shërbime të nevojshme për kontratat që diktohen nga të ashtuquajturat interesat thelbësorë të shtetit. Edhe kjo VKM parqitet fund e krye e qepur (tailor made, në anglisht) sipas interesave të oligarkëve të Liderit Global.

Heshtja për rezultatet e Taskforcës të marsit 2018 dhe Ligji nr. 20/2020 dëshmojnë se mbrojtja partiake dhe shtetërore ndaj “ujqerve” të zyrave vendore te ASHK, ose quajtur ndryshe hajdutët dhe masakruesit e të drejtave të ligjshme pronësore të Shtetit dhe të qytetarëve, pronarë me dokumenta të rregullta tokash në bregdet, ka qenë dhe vijon të jetë e fortë.

Sekti Rama duhet t’u tregojë shqiptarëve se ç’ka bërë me këto 30 mijë parcela që 42 muaj më parë mori përsipër t’i verifikonte. Ç’ka bërë deri tani, për parcelat e tokës në bregdet, ku toka ranore dhe fondi pyjor janë dhënë në dhjetëra mijëra metra katrorë nga ish-hipotekat dhe zyrat e sotme vendore të ASHK-së, si pronësi private-tokë bujqësore (skandali i Ranës së Hedhun në Lezhë, në Jalë, Dhërmi etj.). Ku qindra mijëra metra katrorë janë dhënë si pronë private nga ish-hipotekat, sot ASHK, po në bregdet në Vlorë, Sarandë, Durrës, Shkëmb të Kavajës, Gji të Lalzit, Lezhë etj., duke rregjistruar pasuri në ndryshime flagrante dhe skandaloze të zërave kadastralë.

Zyrave vendore të ASHK-së u mungon identifikimi, raportimi, vendosja e database, pasqyrimi në harta përkatëse si dhe ndjekja e procedurave ligjore të pasurive të rezultuara me mbivendosje, njoftimi i palëve të interesuara, orientimi drejt zgjidhjes gjyqësore, shpeshherë duke stimuluar përparësinë jo reale nëpërmjet kundërshtimit të paligjshëm dhe krijimit së vonesës së regjistrimit të parë.

Të gjitha këto veprime kanë sjellë si pasojë përfitime të dyfishta titujsh të paligjshëm pronësie nga mbivendosjet, duke stimuluar përparësinë jo reale, duke mos ndjekur procedurat ligjore për zgjidhjen e mbivendosjeve, duke sjellë trajtim të pabarabartë e favorizim të njërës palë, duke cënuar paanësinë e zyrave, moszbatimin i afatit 1 mujor të Kodit të Procedurave Administrative, mos nxjerrjen e urdhrit administrativ për refuzimin e regjistrimit të pjesëve të mbivendosura, si dhe krijimin problemeve sociale ndërmjet palëve.

xxx
Si qytetarë dhe si opozitë e vendit, presim që sekti qeverisës Rama të tregojë rezultatet e punës së Taskforcës që ngriti për verifikimin e 30 mijë parcelave në bregdet dhe të mos fshihet pas skutave të dy ligjeve të qepura të vitit 2015 dhe pas Ligjit-përbindësh nr. 20/2020, duke pushuar së favorizuari oligarkët e Ramës, grabitësit e vërtetë të tokave, që sot kanë shtënë në kthetrat e tyre qindra e mijëra parcela në bregdet, me ndihmën dhe vulat e dhjetra e dhjetra abuzuesve të ish-hipotekave dhe sot zyrat vendore të ASHK-së.

Artikulli paraprakBasha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të mikut të madh të shqiptarëve, Senatorit Bob Dole
Artikulli tjetërLufta për prishjen e pazareve të drogës, banda e PS arratiset jashtë shtetit