Nga Nebil Çika
Para disa kohësh po bisedoja me dy gazetare të njohura austriake për krimet e komunizmit në Shqipëri. Ishim duke drekuar në një restorant në Rubik. Po ju përmendja shifrat e të pushkatuarve, të burgosurve, femijët e vdekur nga uria në kampet e shfarosjes etje. Ato më dëgjonin dhe vazhdonin të hanin me një qetësi dhe ftohtësi tipike të racës së tyre.
E ndërova argumentin dhe me kokën ulur i tregova këtë ngjarje duke iu thonë se kishte ndodhur në anën tjetër të malit në Burgun e Spaçit. Ngrita kokën për një çast dhe i pashë. E kishin ndërprerë ngrënien dhe po më dëgjonin me vëmendje të madhe e me lot në sy.
U befasova dhe i pyeta: Un kam një orë që po ju tregoj çfarë iu kanë bërë njerëzve dhe ju nuk reaguat kështu si për qenin ?!
Këto histori me njerëz ne i kemi dëgjuar në shumë vende të tjera komuniste por kjo me qenin është përtej logjikës njerëzore .
Tani po e kuptojmë pse diktatura juaj ka qenë më e egra në Evropë.
Martiri i pestë
Nga Nebil Çika
Deri ku shkonte kufiri i terrorit dhe krimit komunist në Shqipëri?! Këtë shqiptarët, sidomos ata që kanë vuajtur ferrin komunist, e kanë pak a shumë mendim të qartë. Të pamundur për ta kuptuar e ka kryesisht brezi i ri, por sidomos të huajt, të cilët shpesh herë janë skeptikë për ato që ne themi e shkruajmë për “kohën e lugatit”, pasi krimet dhe masa e tyre i kalojnë shpeshherë kufijtë e logjikës njerëzore. Por unë e kam gjetur një mënyrë për t’i bindur edhe me skeptikët. U tregoj për Tartin, qenin e të burgosurve që u var me “vendim gjykate ushtarake” për pjesëmarrje në Revoltën e Spaçit, rastin më të paprecedent besoj në të gjithë botën, por që shpjegon shumë gjëra dhe dëshmon kufirin përtej imagjinatës njerëzore të terrorit komunist në Shqipëri.
Tarti ishte i ekzekutuari i pestë i Revoltës së Spaçit dhe ia vlen të kujtohet bashkë me miqtë e tij njerëz, që u sakrifikuan në atë përpjekje titanike kundër diktaturës më të egër në Evropën komuniste. Të burgosurit e morën që këlysh nga qentë e gjahut të njërit prej komandantëve të parë të Burgut të Spaçit. E rritën duke ndarë me të ushqimin e pakët shpeshherë pjesën më të mirë të tij dhe mund të themi që në Spaç ishte i vetmi mik jo i burgosur i tyre. Ata u lidhën aq shumë me qenin, por po aq shumë u lidh edhe ai me ta. Ishte një miqësi që në ferrin e Spaçit merrte një rëndësi të veçantë për mijëra mjeranë që ishin mbyllur atje, një pjesë e mirë e tyre për të mos dalë më të gjallë prej tij. Tarti ishte i vetmi gëzim ose më mirë të themi i vetmi ngushëllim i tyre, e vetmja gjë “njerëzore” në atë vend ku njerëzit ishin shndërruar në kafshë, Tarti ishte miku i të gjithë të burgosurve dhe armiku i njerëzve të qeverisë. Shoqëronte nga burgu në minierë dhe anasjelltas të gjitha turnet e të burgosurve, një ritual që e vazhdoi deri ditën e fundit të jetës së tij. Të burgosurit që e kanë njohur edhe sot mbushin sytë me lot, kur e kujtojnë dhe disa prej tyre kanë shkruar tregime e poezi për të. Është e pamundur të flasësh me ta për Revoltën e Spaçit pa e kujtuar Tartin me të njëjtën dhembshuri e respekt për shokët humanë që u pushkatuan dhe u ndëshkuan në këtë revoltë. Tarti duket është për ta më shumë se një dëshmi e masës dhe limitit të krimeve të diktaturës. Ai është njerëzorja dhe fisnikja e manifestuar në shkallën më të lartë nga një kafshë në atë vend ku kafshëria përfaqësohej në mënyrën më harbute e brutale nga njerëzit e qeverisë nëse do të mund t’i cilësonim dot si të tillë. Tarti kishte cilësi vërtet të veçanta, që e bëjnë atë të veçantë për të burgosurit, por edhe për ne që e dëgjojmë atë dhe historinë tragjike të tij. Ai kishte miq, donte e respektonte vetëm të burgosurit. Me të tjerët, që në Spaç ishin njerëzit e qeverisë komuniste, oficerë e ushtarë, gardianë e oficerë Sigurimi etj. ai ishte gjithnjë agresiv dhe armiqësor. E kuptonte dhe nuhaste të keqen me një instinkt të jashtëzakonshëm. I njihte njerëzit e qeverisë edhe kur ishin pa u uniformë e u sulej e u lehte sa herë ndodhej afër tyre. Askush nuk mund ta shpjegojë se si e bënte këtë dallim midis viktimave dhe xhelatëve, por me siguri kjo ishte edhe cilësia më e mirë e më e veçantë e tij. Komanda dhe rojet e burgut ia kishin “bërë benë” disa herë Tartit, madje kishin tentuar disa herë edhe ta vrisnin, por ishte shpëtuar falë kujdesit të të burgosurve.
Tarti, si shumë prej miqve të tij humanë të burgosur, duket se e “mbushi kupën” në Revoltën e Spaçit në 23 maj të vitit 1973, ku duhet thënë se ishte shumë aktivë në përleshjet me forcat e policisë dhe Sigurimit. Ai ishte i pari që iu sul rojeve dhe gardianëve në përleshjen që solli marrjen në kontroll të burgut nga të burgosurit që çoi në çlirimin për tri ditë të tij, një nga aktet më heroike të rezistencës antikomuniste në Shqipëri. Po ishte edhe më agresiv në përleshjen gjatë sulmit që ushtria dhe forcat speciale i bënë burgut e që përfundoi me shtypjen e përgjakshme të Revoltës ndoshta më të fortë ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo duket e vulosi përfundimisht fatin e tij. Sigurimi, komanda dhe qeveria komuniste kishin siguruar tashmë edhe prova për veprimtarinë armiqësore të Tartit, i cili do të bëhej shumë shpejt ndoshta i pari qen martir në histori. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Ky është një tjetër rekord negativ që vetëm komunistët shqiptarë dhe logjika e tyre nën atë të kafshës mundën ta arrinin. Sigurisht që ndëshkimi i Tartit u la për në fund, pasi xhelatët mbaruan punë me miqtë e tij njerëzorë. Pushkatuan katër të burgosur dhe arrestuan, torturuan pa mëshirë e dënuan me burgime të rënda dhjetëra të tjerë. Vetë burgu u shpall “burg i dënuar” dhe kushtet e terrorit, dhunës dhe torturës u shumëfishuan, duke e bërë Spaçin tmerrin e Shqipërisë, gjë që, me sa duket, ishte edhe qëllimi i ndëshkuesve komunistë.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, në mes të këtij terrori të pashoq, diktatura i kishte rezervuar surprizën ndoshta më çnjerëzore të historisë së saj: Varjen në litar të Tartit, të vetmit mik jo të burgosur, ngushëllimin, ndoshta të vetmen lidhje shpirtërore me njerëzoren, familjet dhe fëmijët e tyre, që një pjese e tyre nuk do t’i shihnin më kurrë. Varja e Tartit ishte një torturë më vete, një krim që të burgosurit i lëndoi shumë. Edhe sot fytyrat e tyre ligështohen, kur detyrohen të tregojnë për të. Të burgosurit i nxorën në oborrin e burgut, ndërkohë që “gjykata ushtarake”, e përbërë nga zyrtarisht “qenie humane” mori vendimin dhe ekzekutoi me vdekje “armikun”, martirin e pestë të Revoltës së Spaçit, zyrtarisht një “kafshë”, por që dukshëm qëndronte më lart se ekzekutuesit e tij. “Në emër të popullit”, Tarti u çua në “trekëmbësh”, ku vazhdoi të luftonte deri në fund. Xhelatët, oficerë e gardianë të burgut, dështuan në tentativën e parë, pasi Tarti, viktima, arriti ta këpuste telin ku që varur, por edhe pse ligji ndërkombëtar e fal jetën nëse i dënuar i shpëton plumbit apo litarit e varen përsëri. Nuk qe hera e parë që komunistët e bënin një gjë të tillë. E kishin bërë me gjyqin special në Tiranë, ku një prej të dënuarve u shpëtoi plumbave dhe kërkoi, sipas ligjit, t’i falej jeta, por prokuroi i hodhi vetë trutë në erë. Litari u këput edhe në ekzekutimin me varje të njërit prej inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, sërish u kërkua zbatimi i të drejtës ndërkombëtare, por më kot. I vunë përsëri litarin në fyt dhe e mbytën. Ia kishin mohuar këtë të drejtë universale qenieve humane, si mund t’ia lejonin një kafshe. Pikëllimi i të burgosurve ishte i jashtëzakonshëm! Varja e Tartit do t’u dhimbte njëlloj e ndoshta më shumë se shokët e vrarë, më shumë se plagët e marra nga torturat dhe vitet e shtuara të burgut. Cinizmi i shtetit komunist nuk njihte kufi. Për mbrojtjen e pushtetit të tyre ata nuk do të ndaleshin para asnjë gjejë. Do të vrisnin edhe kafshët të konsideruar si armike të regjimit! Pikërisht kjo ua ndryshon rolet viktimës dhe xhelatëve dhe e bën Tartin jo vetëm një viktimë të terrorit komunist, por edhe një simbol, një rekord të natyrës kafshërore të diktaturës njëherazi një provë e mundësi për të kuptuar sot limitet çnjerëzore e kriminale të komunizmit shqiptar.
Kam shkruar për pothuaj çdo përvjetor për Revoltat e Spaçit dhe Qafë-Barit, që përkojnë në të njëjtën kohë. Kemi kujtuar ngjarjen e heronjtë, kemi folur për heroizmin dhe krimet, viktimat dhe xhelatët, por sot zgjodha te shkruaja për Tartin, qeni që me vdekjen e tij sfidoi diktaturën më të egër në Lindjen komuniste. Falë tij ne kemi sot një histori, një simbol, por edhe një provë të jashtëzakonshme për t’u treguar të huajve, por edhe skeptikëve shqiptarë, se çfarë ka hequr ky popull e komb me komunistët dhe komunizmin. Mendoj që të gjithë i kemi një detyrim Tartit, “qenit” që sfidoi “njerëzit” e na la dëshminë dhe provën më autentike në dispozicionin tonë dhe të tjerëve për të kuptuar diktaturën tonë. Mendoj se edhe shteti ka detyrimin ta bëjë një gjë të tillë. Sigurisht që Tarti e meriton një shatorre, një pllakë përkujtimore, një faqe në librat e historisë e letërsisë, pse jo, edhe një dekoratë të lartë, shumë më shumë se “humanët” e dekoruar deri tani, emrat dhe bustet e të cilëve mbushin sheshet, rrugët dhe institucionet e vendit, shumë prej tyre përgjegjës për krimet e komunizmit dhe turpe të tjera, përfshi edhe rekordin kriminal të diktaturës, varjes si “armik ” të regjimit me vendim “gjyqi ushtarak” të një qeni, një kafshe. Kjo do t’u kujtonte shqiptarëve të prirë për të harruar gazepin që kaluan për 50 vite vetëm 22 vjet më parë, por do t’u dëshmonte e shpjegonte edhe të huajave, botës së qytetëruar, shumë gjëra, në radhë të parë ngërçin dhe tranzicionin e vështirë politik e shoqëror të shoqërisë shqiptare!