Deputeti i Parise Demokratike, Ervin Salianji ka denoncuar perfshirjen e Ëngjëll Agaçit si personi që në kulmin e kanabizimit servirte raporte për asgjesimin e 99 përqind të drogës në Shqipëri.
Ne nje deklarate nga selia blu, Salianji u shpreh se Arrestimi i ish-gjeneralit të Guardia di Finanza, Fabrizio Lisi, po nxjerr në dritën e diellit fijet që lidhin Edi Ramën me operacionin kriminal të kanabizimit të Shqipërisë.
Ai u shpreh se Partia Demokratike do të jetë në mbështetje të drejtësisë që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të veprojë ndaj çdo zyrtari të korruptuar dhe të vendosur në shërbim të krimit.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI
Arrestimi i ish-gjeneralit të Guardia di Finanza, Fabrizio Lisi, po nxjerr në dritën e diellit fijet që lidhin Edi Ramën me operacionin kriminal të kanabizimit të Shqipërisë.
Investigimet e medias italiane dhe shqiptare, tregojnë se miku italian i Ramës dhe njeriut të tij të më të afërt, Ëngjëll Agaçit, është personi që në kulmin e kanabizimit servirte raporte për asgjesimin e 99 përqind të drogës në Shqipëri.
Raporte të cilat më pas trumbetoheshin nga qeveria si suksese duke mashtruar për qëllime kriminale shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Arrestimi i Fabrizio Lisit dhe dalja në pah e lidhjeve të tij me njeriun më të afërt të Ramës, është prova se kthimi i vendit tonë në një Kolumbi, është bërë nga ata që kanë pushtetin politik, qeverisës dhe ekonomik, kriminal dhe që janë të zotë të korruptojnë e të fusin në thes edhe drejtues të lartë të Guardia di Financa-s italiane.Çuarja para drejtësisë e njeriut që nën gradat e gjeneralit, ishte vënë nën shërbim të mafias së Kanabisit në Shqipëri, duhet të jetë pikënisja e një operacioni hetimi që do të çojë tek Edi Rama.
Investigimi i mediave ka nxjerrë në pah se gjenerali Fabrizio Lisi ishte mik i ngushtë me një avokat shqiptar që quhej Ëngjëll Agaçi.
Sipas investigimeve të medias italiane dhe asaj shqiptare, Ëngjëll Agaçi ka qenë lidhja e Lisit me Shqipërinë dhe për rrjedhojë porositësi i raportit kriminal të 99 përqind të kanabisit të eleminuar në Shqipëri.
Dihen botërisht fjalët adhuruese të gjeneralit italian për Ramën dhe përfitimet e tij në Shqipëri që nga trojet e deri tek dhuratat e majme që merrte në Vlorë e jo vetëm.
Televizioni italian “RAI 3” publikoi një seri kronikash mbi trafikun e drogës nga Shqipëria. Në njërën prej tyre, flitej pikërisht për gjeneralin italian të Guardia Di Finanza, Fabrizio Lisi, i cili pas daljes në pension, drejtonte një shoqate kulturore italiane.
Shoqatës i ishin dhuruar mijëra metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës. Sipas gazetarit të “RAI 3”, Valerio Kataldi prona në Vlorë i ishte dhuruar nga një person i hetuar në Itali për lidhjet mes Sacra Corona Unita dhe investimet e saj në Shqipëri.
Lidhjet e Agacit me gjeneralin e korruptuar italian, tashmë i arrestuar, janë provë se vetëm një njeri me pushtet absolut pranë Edi Ramë, mund të ndërmerrte një operacion të tillë dhe se Saimir Tahiri, ministri i dënuar për bashkëpunim me bandën e Habilajve, ishte vetëm zbatuesi i këtij operacioni.
Askush nuk do të guxonte të ndryshonte raportet e Guardia di Finanza, e aq më pak të kanabizonte Shqipërinë së bashku me krimin e organizuar pa lejen, bekimin, mbështetjen dhe porosinë e Edi Ramës, qoftë ky edhe Agaçi i tij.
Adhuruesi i Edi Ramës sot është në pranga në Itali pasi atje ka shtet ligjor e jo shtet që fle e ha me krimin. Ky është një rast tjetër ku britmat nga shteti italian për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri kumbojnë, prej kohësh drejtues të antimafias italiane, prokurorë, drejtues të lartë të organeve ligjzbatuese italiane kanë ngritur alarmin për trafikun e drogës dhe krimin.
Pak kohë më parë përfaqësuesit e Italisë, ambasada italiane ngriti shqetësimin mbi problematikën e kanabizimit të Shqipërisë dhe rritjes së trafikut të kanabisit në drejtim të vendit fqinj. Ky shqetësim ende nuk ka marrë as vëmendjen e duhur se për tu adresuar as që bëhet fjalë.
SPAK duhet të provojë se meriton të mbështetet dhe të çojë para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të kanabizimit të Shqipërisë. Partia Demokratike do të jetë në mbështetje të drejtësisë që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të veprojë ndaj çdo zyrtari të korruptuar dhe të vendosur në shërbim të krimit.