23 Dhjetor 1989:Themelimi i LDK dhe fillimi i pluralizmit në Kosovë (DOKUMENTE)

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk u formua në një ditë apo javë të caktuar. Ajo u formalizua më 23 dhjetor të vitit 1989, por formimi i saj erdhi duke u pjekur si ide që nga pranvera e vitit 1989, kur Serbia hoqi autonominë e fituar në vitin 1974.

Mehmet Kraja e përshkruan shkurt dhe pa ndonjë delir madhështie momentin kur ai, bashkë me Ibrahim Berishën, Xhemail Mustafën dhe Jusuf Buxhovin u dakordësuan se krijimi i një partie të re politike në vjeshtën e vitit 1989, do të ishte në të mirën e Kosovës. Të katër gazetarë të kulturës në gazetën “Rilindja” dhe gazetarë e shkrimtarë të njohur, as vetë nuk e kanë paramenduar se ç’peshë do të merrte disa ditë më vonë vendimi që ata morën duke pirë kafe aty, në klubin e “Rilindja”.

Ndërkohë, Ibrahim Berisha, pjesë e kësaj historie, është më i përmbajtur dhe nuk e pranon thjeshtëzimin e kësaj skene. Ai thotë se themelimi i një grupimi politik, në fillim pa ndonjë kornizë të qartë, diçka politike e kulturore bashkë, ka nisur në rubrikën e kulturës që në fund të shtatorit 1989.

Rrethi i dytë ka qenë Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, ku ishte kryetar Ibrahim Rugova dhe Milazim Krasniqi sekretar i shoqatës.

Rrethi tjetër i intelektualëve të përfshirë kanë qenë mjekët Bujar Bukoshi, Zenel Kelmendi, Binak Kastrati, Abdyl Krasniqi, etj.

Rrethi tjetër, më i pakët ishin profesorët e fakultetit filozofik, Basri Çapriqi, Fehmi Agani, Ali Aliu. Nuk ishte asnjë nga shkrimtarët dhe profesorët, gjeneratë e Rugovës. Ata talleshin me të kur u zgjodh kryetar i LDK.

Rrethi tjetër kanë qenë intelektualët në Institutin Albanologjik, Zekeria Cana, Anton Çeta.

Kjo mund të konsiderohet si bërthama që në fund të nëntorit 1989, edhe me plotësime me autoritete për regjistrim të Partisë, ka bërë që të krijohen dokumentat dhe të dërgohen për miratim”. [1]

Formimi i LDK, nga bisedat fillestare deri te finalja, 23 dhjetor 1989, ka zgjatur thuajse gjashtë muaj. Shkëndijën e parë e ka dhënë Ibrahim Rugova, qysh në mars 1989, ndërkohë që Serbia po përpiqej të hiqte autonominë e vitit 1974. Ai paralajmëroi se shqiptarët mund të braktisin Lidhjen Komuniste të Kosovës, nëse ajo vihet në shërbim të plotë të Serbisë, siç edhe ndodhi.

Kështu nisi kalvari i krijimit të LDK. Intelektualët e parë që e përkrahën dhe pranuan të identifikohen me të janë Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Ajri Begu, Bujar Bukoshi Basri Çapriqi e Ramiz Kelmendi. Ata nënshkruan në emër të Komisionit Nismëtar.

Bujar Bukoshi iu bashkua këtij komisioni menjëherë sapo u shpall. Ai u angazhua njëkohësisht me Fehmi Aganin, Zenel Kelmendin, Zenun Çelaj, Jusuf Bajraktarin, Mustafa Radoniqin, Hysen Matoshin Skënder Kada, Neshat Nushin. Komisionin e mbështetën ndërkohë disa nga emrat më të shquar të elitës së Kosovës, Anton Çeta, Mark Krasniqi, Idriz Ajeti, Dervish Rozja e Zekeria Cana.

Kuvendi themelues i LDK, u mbajt më 23 dhjetor në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve. Policia nuk dha leje për tubimin, por as e ndaloi atë.

Bujar Bukoshi ishte një ndër pesë anëtarët e kryesisë së parë të LDK, bashkë me Fehmi Aganin, Mehmet Krajën, Nekibe Kelmendin dhe Ali Aliun.

Shpallja nuk ishte aq lehtë të bëhej publike. “Rilindja” ka botuar një lajm me mangësi serioze për të qenë raport. Gazetarja që bëri raportin e shpërndau atë më shumë privatisht se përmes gazetës. Radio Lubjana ishin më e qarta.

Bujar Bukoshi thotë se “deri te mbledhja themeluese u shkua natyrshëm, pasi ishte pjekur disa herë kjo ide në publik. Edhe drejt emrit të Ibrahim Rugovës u shkua natyrshëm. Në një farë mënyre ai u lut të ishte kryetari i partisë së re”.

Deri atëherë Bujar Bukoshi ishte vetëm një nga mjekët më të njohur të Kosovës. Ai kishte përfunduar studimet për mjekësi në Beograd dhe Gjermani, kishte punuar për shumë kohë në Prishtinë dhe në zonat Gllogovaç dhe Prizren.

Angazhimi i tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si Sekretar i Përgjithshëm erdhi pas dorëheqjes së Jusuf Buxhovit, i pari në këtë detyrë. Edhe pse e porsashpallur, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte gjithë vëmendjen e shoqërisë. Çdo gjë tjetër ishte lënë në hije për shkak të saj.

Përpara shpalljes së Lidhjes Demokratike, gjatë muajit dhjetor, pati dhe tri ngjarje të tjera politike, por që u sfumuan përballur me të.

Më 4 dhjetor ishte konstitutuar Kuvendi i ri i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e vjeshtës, organizuar nga Lidhja Socialiste, një organizatë masash e ngjashme me Frontin Demokratik në Shqipërinë komuniste, në të cilën ishin anëtarë subjekte dhe organizata politike-leva të Lidhjes Komuniste Jugosllave. Organizata nuk kishte ndonjë autoritet publik, përveçse përdorej si mekanizëm për zgjedhjet e kontrolluara në një regjim jodemokratik.

Listat zgjedhore ishin me nga dy kandidatë, për një vend. Qeveria e Serbisë përdori ligjin e vjetër elektoral përmes të cilit diktonte se një e katërta e Kuvendit duhet të ishte përbërje e vjetër. Edhe pse të kontrolluara dhe të injoruara nga shumë shqiptarë, lista e re e Kuvendit ishte e përtërirë me emra të rinj.

Ishte ky Kuvend që më pas do të shpallte Deklaratën Kushtetuese, më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut në shtator të vitit 1990, por në kohën që u konstitua, nuk kishte vëmendjen e askujt në Kosovë.

Qeveria e re dalë nga Kuvendi, iu besua Jusuf Zejnullahut, i cili ishte shfaqur pas ndryshimeve kushtetuese si i ri më luajal me politikën e Beogradit. Në arsyetimin e tij se përse e pranoi postin e Kryeministrit, Zejnullahu thotë se nuk ndjeu ndonjë kundërshti në popull apo në mjediset ku shkonte dhe kjo sipas tij, në atë kohë ishte avantazh.

“Ishte një kohë me udhëheqje pa simpati dhe përkrahje në masat popullore. Nëse dikush nuk kishte kundërshtime apo manifestime të urrejtjes, atëherë konsiderohej se ka një farë vendi në popull”. [2]

Më 7 dhjetor, u formua organizata e parë politike alternative në Kosovë, në formë dege që i përkiste një organizate mbarëjugosllave. Bëhej fjalë për Nismën Demokratike Jugosllave, (Udruzena Yugoslovenska Demokratiska Inicijativa), platforma e së cilës nuk synonte të shndërrohej në parti politike, por të merrte pjesë në debatet politike në Jugosllavi.

UJDI pati 80 anëtarë themelues në Kosovë, shumica intelektualë shqiptarë. Veton Surroi, gazetar u zgjodh kryetar, ndërsa filozofi Shkëlzen Maliqi anëtar i kryesisë së saj. Shoqata kishte degë në Zagreb, Sarajevë, Beograd, Shkup, Lubjanë, Monstar e Split. [3]

UJDI e pati zanafillën në Zagreb, nën ndikimin e intelektualit dhe ekonomistit të njohur kroat, Branko Horvat.

Ata ishin ëndërrimtarët e mbramë të ruajtjes së Jugosllavisë, me shpresë se intelektualët do të nxisnin një ringjalle në orët e fundit të jetës së saj të asfiksuar nga nacionalizmi serb dhe dominimi i nacional-komunizmit mbi demokracinë.

Një ide e ngjashme u eksportua në vitin 1990, në Shqipëri, kur Ramiz Alia shpalli zgjedhjet e para pluraliste, në tetor të vitit 1990, ku me Partinë e Punës do të konkurronin organizatat e Frontit Demokratik, ide që dështoi rrugës. pas shpalljes së pluralizmit. Megjithatë, ato organizata morën pjesë në zgjedhjet e para të 31 marsit 1991.

UJDI në fakt më shumë zhurmë bëri kur lindi se kur u shua. Ajo u shkri pjesë-pjesë, pa zhurmë në gjithë republikat, nën oshtimën e fortë të krismave të luftës që nisën në vitin 1991, kur u ndanë republikat e para.

Ndërkohë, më 14 dhjetor, u formua Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, një organizatë e kryesuar nga akademiku Idriz Ajeti.

Këshilli luajti një rol historik në evidentimin e dhunës në Kosovë përgjatë periudhës së sundimit serb dhe pati një reputacion të mirë ndërkombëtar. Por dukej se uragani i vërtetë ishte Lidhja Demokratike e Kosovës.

Viti i ri 1990, do të fillonte epokën e saj.

 

_________

Nxjerrë nga Libri “Republika e parë”, me autor Mero Baze
__________
[1] Ibrahim Berisha. Intervistë me autorin e librit. (M.B).
[2] Jusuf Zejnullahu. “Stuhi lufte mbi Kosovë”. Faqe 55. Botimet TOENA, 2007.
[3] Prishtinë, 7 dhjetor. TANJUG.

Exit mobile version