23 tonët e drogës u kapën sepse Prokuroria shmangu policinë

Policia e Vlorës u shmang tërësisht nga prokurorët gjatë hetimeve të drogës. Dosja e Shërbimit Informativ Shtetëror jepte informacion për përfshirjen e disa elementëve të policisë së Vlorës në kultivimin e parcelave me kanabis. Rreziku për daljen e informacionit i detyroi prokurorët të shmangnin bashkëpunimin me policinë lokale, një zgjedhje e rëndë, që implikon direkt shefat e drejtorisë së policsë së Vlorës. Ndërhyrja u bë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe si rrallëherë rezultoi me 6 të arrestuar. Përveç kësaj droga e kapur është nga sasitë më të mëdha të kapura ndonjëherë në Shqipëri.
Në luginën midis tre fshatrave Vezhdanisht, Treblovë dhe Vranisht të Vlorës mësohet se deri tani janë sekuestruar 23 ton kannabis i tharë, 3700 bimë në proçes tharje dhe 5700 rrënjë të mbjella, të cilat janë asgjësuar. Njoftimi i fundit nga policia e shtetit është se janë gjetur dhe asgjësuar 2000 bimë narkotike në process tharje dhe 5250 rrënjë canabisi të mbjellë rrëzë malit. Nuk dihet se cila ka qenë arsyeja, që policia e shtetit nuk ka bërë publike shifrat e sakt të këtij operacioni të organizuar nga Prokuroria për krime të rënda, referuar informacioneve të dhënë nga Shërbimi Informativ Shtetërore.
Sipas Prokurorisë në operacionin midis tre fshatrave Vezhdanisht, Treblovë dhe Vranisht të Vlorës, i cili po vazhdon, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimev të Rënda ka lëshuar tre vendime arresti, dy prej të cilëve janë ekzekutuar, duke u vënë në pranga Arjan Hasanaj e Taulant Haxhiraj, ndërsa është shpallur në kërkim efektivi i Policisë së Vlorës, Renaldo Avduli. Për llogari të kësaj çështje janë arrestuar në flagrancë punëtorët dhe rojet e parcelave, Shkëlqim Koçiaj, Albert Aliaj dhe Klajdi Imeri.
Nga ana tjetër, burimet e Prokurorisë thonë se, nuk përjashtohen arrestime edhe të zyrtarëve të tjerë të policisë në ditët në vazhdim.

Aksioni i prokurorëve dhe SHISH sekret për policinë

Jo 10, por 23 tonë drogë janë bllokuar në Vlorë gjatë operacionit të organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Policia njoftoi zyrtarisht të mërkurën se u sekuestruan 10 tonë kanabis sativa në luginën midis tre fshatrave Vezhdanisht, Treblovë dhe Vranisht të Vlorës, ndërsa burime nga Prokuroria bënë të ditur dje se, gjatë operacionit janë sekuestruar 23 tonë kanabis sativa. Sipas burimeve të Prokurorisë, deri më tani janë sekuestruar 23 tonë kanabis i tharë, 3700 bimë në proces tharje dhe 5700 rrënjë të mbjella, të cilat janë asgjësuar. Ndërkohë Policia e Shtetit në njoftimin e mesditës së mërkurë, njoftoi se janë gjetur dhe asgjësuar 2000 bimë narkotike në proces tharje dhe 5250 rrënjë canabisi të mbjellë rrëzë malit.
Operacioni i sekuestrimit të drogës u organizua nga Prokuroria për Krime të Rënda pas raportit të SHISH, pasi Drejtoria e Policisë së Vlorës hezitoi për shkak se në kultivimin e kanabisit ishin përfshirë zyrtarë të lartë policie.
Policia e Shtetit nuk ka bërë publike shifrat e sakta të këtij operacioni të organizuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, referuar informacioneve të dhënë nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Fshehja e shifrave të sekuestrimit të drogës nga policia hedh dyshime, se parcelat me kanabis ishin në zotërim të zyrtarëve të policisë. Ka qenë SHISH, që pak muaj më parë ka dorëzuar raporte voluminoze në Prokurori me të dhëna të detajuara për zona të caktuara të kultivuara me hashash. Në këto raporte, janë evidentuar edhe emra të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe efektivë me pozicione të ndryshme në polici, që ndihmojnë trafikantët në kultivimin e drogës. Bazuar në këto informacione, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimet dhe tashmë ka filluar operacionet në masë, duke ndërhyrë në zona të caktuara për agjësimin e drogës. Por ajo që bie në sy në këto operacione është fakti se, Prokuroria për Krime të Rënda ka shmangur drejtuesit dhe policinë lokale të zonave ku po ndërhyhet, duke organizuar asgjësimin e drogës me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana. Kjo për shkak se disa drejtues dhe punonjës të policisë lokale në zona të caktuara po hetohen si bashkëpunëtorë në kultivimin e hashashit.

Operacionet më të mëdha të kanabisit janë organizuar nga Prokuroria

Operacionet më të bujshme antikanabis, ku sasia e drogës së asgjësuar është tepër e madhe, janë organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bazë të informacioneve të marra nga SHISH. Këto operacione janë ndërmarrë nga Prokuroria për shkak se Policia nuk ka ndërhyrë për të asgjësuar parcelat me kanabis edhe pas urdhërit të organit të akuzës për shkak se drejtuesit e policisë janë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Kështu, dy operacionet më të bujshme të ditëve të fundit, ai i Matit dhe Vlorës ku u bllokuan tonelata droge u organizuan nga Prokuroria për Krime të Rënda. Para një jave u krye operacioni në Mat, ku u bllokuan 5 tonë drogë në një magazinë gati për t’u trafikuar. Policia mashtroi, duke deklaruar se u bllokuan 3 tonë drogë, por Prokuroria saktësoi se sasia e drogës së bllokuar ishte 5 tonë. Prokuroria e Matit bën përgjegjëse policinë e këtij rrethi për parcelat e drogës që shiheshin në një distancë deri në 2 kilometra. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Matit bënë të ditur se, një sasi e drogës së grumbulluar në magazinë është transportuar drejt Tiranës ose Durrësit. Parcelat me drogë janë evidentuar nga SHISH, i cili pak kohë më parë ka informuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi hartën e kanabisit në Shqipëri dhe kultivuesit apo zyrtarët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Po ashtu edhe operacioni i dy ditëve më parë në Vlorë ku u bllokuan 23 tonë drogë, u organizua nga Prokuroria për Krime të Rënda, pasi parcelat me drogë ishin në zotërim të drejtuesve të policisë në bashkëpunim me trafikantët. Prokuroria shmangu nga operacioni Policinë e Vlorës, duke angazhuar Forcat Speciale nga Tirana dhe Fieri. Një oficer i Antikrimit në Policinë e Vlorës është shpallur në kërkim për drogën e bllokuar, ndërsa Prokuroria bëri të ditur se pritet të ketë edhe arrestime të tjera zyrtarësh policie në Vlorë. Burimet nga Policia e Vlorës bënë të ditur se, pronarët e vërtetë të drogës së bllokuar janë Habilajt, kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Prokuroria operacion antidrogë në Bizë të Ishmit

Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me policinë, në bazë të informacioneve të Shërbimit Informativ  Shtetëror ka ndërhyrë në një parcelë mesditën e djeshme në fshatin Biz-Ishëm të Durrësit. Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 1000 mijë rrënjë kanabis në proces tharje në fshatin Biz-Ishëm të Durrësit, vetëm 1 kilometër larg vendit të uljes së avionit të italianit Guido Guidi.
Mësohet se, roja me të pikasur makinën e policisë dhe Prokurorisë është larguar me vrap, duke lënë shumë prova mbrapa. Ndërkohë, Prokuroria dhe Policia po vazhdojnë dokumentimin e ngjarjes dhe mbledhjen e provave konkrete në këtë parcelë të sajuar në një kasolle për tharjen e kanabisit të sapo vjelë.

Exit mobile version