23 vjetori i shfaqjes së UÇK, Basha nderon heroin e luftës së Kosovës Skerdilajd Llagami

Basha: Shqiptarët nuk i kanë penguar kufijtë e ngritur padrejtësisht për të shtrirë dorën e ndihmës drejt njëri-tjetrit
 
Sot, 23 vite më parë u shfaq publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Më 28 nëntor të vitit 1997, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, ishin të parët që dolën para opinionit publik, në varrimin e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci. Për të gjithë ata që ende nuk e dinin krijimin e UÇK-së, ky ishte një lajm i madh dhe i shumëpritur. Sot ne nderojmë dhe përulemi para sakrificës se luftëtarëve të UÇK-së, shumë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
 
Ne shqiptarëve, nuk na kanë penguar kufijtë e ngritur padrejtësisht mes nesh për të shtrirë dorën e ndihmës drejt njëri-tjetrit. Të shumtë ishin djemtë e Shqipërisë që iu bashkuan kësaj lufte, ndër të cilët dëshmorët e kombit Indrit Cara – ushtar Kavaja dhe Skerdilajd Llagami-Komandant Shpendi.
 
Në një vizitë në familjen Llagami, kujtuam me mall dhe nderim të veçantë heroin e luftës për pavarësinë e Kosovës, Skerdilajd Llagamin – Komandant Shpendin – si dëshmi e pavdekshme e lidhjes së pakëputur mes shqiptarëve. Ai e blatoi jetën e tij në altarin e kësaj të vërtete mbarëkombëtare.
 
Me Bardhylin, babain e Skerdilajdit, folëm dhe për detyrën tonë sot, që sakrificën e djalit të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të mos e lejojmë të cënohet nga shpifjet dhe balta e atyre që rreken ta barazojnë agresorin dhe xhelatët me viktimat e agresionit.
 
Dëshmori i UÇK-së, Skerdilajd Llagami e shkroi emrin e tij me gjak në panteonin e lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Familjes së tij, qytetit të Tiranës, Shqipërisë dhe Kosovës, ai u la trashëgim krenarinë dhe amanetin e patjetërsueshëm të mbrojtjes së interesave kombëtare shqiptare me çdo çmim.
 
Lavdi përjetë sakrificës dhe gjakut të dëshmorëve tanë!
 
 
Artikulli paraprakNjë ‘dekoratë’ tradhëtie për kryeministrin në këtë përvjetor të pavarësisë
Artikulli tjetër28 nëntori 1944, Shqipëria – nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri!