24 orë ujë në Kamëz, Xhelal Mziu takon përfaqësuesin e kompanisë konsulente

Punimet e fazës së parë do të realizohen brenda afatit. Drejtuesi dhe eksperti i kompanisë CES Consulting Engineers Salzgitter GmbH Sorin Caian – kryebashkiakut të Kamzës: Jam shumë i kënaqur që punoj me njerëz si ju

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, zhvilloi një takim me z. Sorin Caian, drejtues dhe ekspert menaxhimi në kompaninë CES Consulting Engineers Salzgitter GmbH, e cila është edhe kompania konsulente për fazën e dytë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Kamzës.
Gjatë me kryebashkiakun e Kamzës, konsulenti i projektit, z. Sorin Caian, u shpreh se arritja e objektivave të deritanishëm është meritë e z. Mziu dhe e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, si dhe është shumë i kënaqur që punon me njerëz të tillë që janë të hapur.
“Keni arritur njërin prej objektivave që kemi vendosur dhe kjo është një meritë juaja dhe e ndërmarrjes. Ne jemi këtu për t’ju orientuar për gjithë procesin dhe do t’ju informojmë hap pas hapi. Unë jam konsulent dhe jo auditues. Jam shumë i kënaqur që punoj me njerëz si ju, që jeni i hapur”, u shpreh z. Caian. Ndërkaq, kreu i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, pohoi se i vinte mirë që një kompani serioze, si CES Consulting Engineers Salzgitter GmbH, është konsulente për fazën e dytë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve në Kamëz, e cila është e përfshirë në “Programet III dhe IV të Infrastrukturës Bashkiake”, me donatorë KfW, SECO, Ambasada e Zvicrës dhe fonde të BE-së.
Në fjalën e tij, z. Mziu tha se Kamza ka një specifikë, pasi qyteti organizohet në dy ndërmarrje, ajo e Tiranës dhe e Kamzës. “Edhe pse ndërmarrja do të jetë sh.a. në fundvit, përsëri do të ketë të njëjtën mbështetje”, garantoi kryebashkiaku Mziu, duke kërkuar që të ketë një angazhim maksimal për të përligjur mbështetjen e Bashkisë dhe emrin e kompanisë, në mënyrë që të ketë një produkt cilësor për qytetarët.
“Mbetem i hapur për bashkëpunimin jo vetëm me Ndërmarrjen e Ujësjellësit, por edhe me pjesën tjetër të strukturës së Bashkisë, siç është Urbanistika apo Shërbimet Publike, për të marrë maksimumin e mundshëm”, – vijoi në fjalën e tij z. Mziu, duke theksuar se Bashkia ka një plan urbanistik bashkëkohor të qytetit, në të cilin në mënyrë analitike janë parashikuar investimet publike, duke përfshirë edhe rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. “Kërkoj nga ju që nëse shihni gjëra që i shërbejnë projektit, mund të na i sugjeroni për të arritur një standard të lartë, duke përfituar nga përvoja që keni ju. Jemi të gatshëm për bashkëpunim, duke përfshirë jo vetëm strukturën e Bashkisë, por edhe potenciale të tjera”, – e ka përmbyllur fjalën e tij kryetari i Bashkisë, z. Mziu. Në Bashkinë Kamëz aktualisht po zbatohet investimi i fazës së parë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit me rreth 10 mijë matës, në biznese dhe familjarë.
Faza e dytë do të bëjë të mundur ridimensionimin e një depoje tjetër uji me kapacitet 3000 metra kub. Në total, rezervat e depove do të kenë një kapacitet ujëmbajtës 8300 metra kub. Në zonat që nuk janë prekur nga faza e parë do të investohet duke konsideruar edhe një pjesë shumë të rëndësishme në sektorin e kanalizimeve të ujërave të ndotura. Në më shumë sesa 15 km kanale të hapura ujërash aktualisht, do të investohet duke marrë në konsideratë disa nga problematikat më të mprehta të konstatuara në vite.
Kompania konsulente, e cila ka një kontratë 4-vjeçare dhe është certifikuar nga KfW, do të monitorojë të gjitha fazat dhe sfidat që janë përpara. Konsulenti është njohur edhe me progresin e bërë deri tani dhe me treguesit të cilët duhen përmirësuar. Puna në këtë fazë ka ecur shumë mirë dhe premtimi i bërë nga Bashkia dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu se punimet do të realizohen brenda afatit tashmë nuk kanë vend për dyshim. Në prag të sezonit veror Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka marrë të gjitha masat për të shërbyer e shumë shpejt do të kemi dhe modelin e parë të zonës DMA 4/3, me ujë 24 orë në ditë për ta bërë më të prekshëm premtimin. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në zona të tjera.

Artikulli paraprakSigal Uniqa Group Austria sponsor zyrtar i Kombëtares
Artikulli tjetërBasha: Ramës po i bien trimat një e nga një, i ka mbaruar koha