Kreu i PD, Lulzim Basha, ka përkujtuar nëpërmjet një postimi në facebook, 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.
“Sonte njëzet e pesë vjet më parë, NATO nisi fushatën e bombardimeve për të ndalur genocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Pas shterimit të çdo mundësie diplomatike, për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, ndërhyrja ushtarake ishte opsioni i fundit për të ndalur masakrat mbi civilët e pafajshëm.” – shkruan Basha.
“Çfarë ndodhi 25 vjet më parë qëndron para çdokujt sot si mësim se historia nuk mund të rishkruhet. Nostalgjikët e Millosheviçit vazhdojnë të përkundin ambicie të së shkuarës siç tregoi sulmi terrorist i 24 shtatorit në Bajnskë. Por fatmirësisht sot në Kosovë është NATO, janë miqtë dhe partnerët jetikë të shqiptarëve.” – vijon më tej ai.
Më poshtë postimi i plotë:
Sonte njëzet e pesë vjet më parë, NATO nisi fushatën e bombardimeve për të ndalur genocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Pas shterimit të çdo mundësie diplomatike, për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, ndërhyrja ushtarake ishte opsioni i fundit për të ndalur masakrat mbi civilët e pafajshëm.
Sot kujtojmë me dhimbje dhjetëra mijë civilë të pafajshëm, përfshirë mijëra fëmijë, që u vranë, mijëra të tjerë që ende sot nuk kanë varr, viktima të dhunës çnjerëzore të regjimit vrastar të Millosheviçit.
Çfarë ndodhi 25 vjet më parë qëndron para çdokujt sot si mësim se historia nuk mund të rishkruhet. Nostalgjikët e Millosheviçit vazhdojnë të përkundin ambicie të së shkuarës siç tregoi sulmi terrorist i 24 shtatorit në Bajnskë. Por fatmirësisht sot në Kosovë është NATO, janë miqtë dhe partnerët jetikë të shqiptarëve.
Mirënjohje përjetë SHBA, Britanisë së Madhe dhe aleatëve tanë në NATO për përkrahjen e paçmim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Me vetëdije për të shkuarën, Kosova dhe shqiptarët kudo ku janë, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë me në krye SHBA, duhet të mos kursejmë asgjë për të ndërtuar të ardhmen.