-Ministrat teknikë të qeverisë Rama i takuat ju para se t’i takonte kryeministri. Çfarë ishte marrëveshja e 18 majit?
Sigurisht që i takova unë para se t’i takonte kryeministri. Janë propozime të opozitës dhe unë jam kryetari i opozitës. Përfaqësojnë opozitën, përgjigjen para ligjit kanë një mandat, të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të ndëshkojnë me forcën e ligjit, të ndryshuar sipas marrëveshjes të gjithë ata që guxojnë të prekin votën e shqiptarëve, të gjithë ata që bëjnë shitblerje votash, të gjithë ata që përdorin funksionin publik për të kërcënuar, intimiduar shantazhuar administratën
-Deri tani janë të gjitha parulla asnjë nuk është dënuar, megjithëse blerja e votës, tentativë për të blerë votë edhe për të përdorur administratën është shumë e fortë?
Mirë se u ktheve në Shqipëri. Janë mbi 25 funksionarë të lartë dhe të mesëm që janë shkarkuar tre ditët e fundit, sigurisht që dërgimi i tyre në burg është punë e drejtësisë. Sot, policia ka çuar për ndjekje penale Gledjon Rahovicën, deputet i LSI, kandidat në Berat, pasi përmes një regjistrimi operacional, ai dhe një drejtor i Beratit janë kapur në një skemë korruptive. Ky është fati që pret çdo deputet, çdo kandidat për deputet që mendon se në 2017-ën do të vazhdojë të zbatojë skemën kriminale të 2013-ës apo të 2015-ës. Pra, mandati i ministrave teknik po funksionon, marrëveshja që u detyrua në tavolinë nga bashkimi i shqiptarëve. Ne arritëm një fitore të rëndësishme. Republika e vjetër ka nënshkruar kapitullimin e saj. Në atë marrëveshje ka një aneks të veçantë ku në emër të Republikës së Vjetër, Rama pranon, Reformën Kushtetuese, Reformën Zgjedhore, ndryshimin zgjedhor, votimin elektronik dhe identifikimin elektronik. Të gjitha këto janë fitore të patjetërsueshme të kauzës së madhe qytetare që qëndroi për 90 ditë e 90 netë. Mendoje pak më 17 shkurt, askush nuk besonte se do kishim zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot, gjysma e qeverisë kontrollohet nga burra e gra me integritet të lartë profesional, me përkushtim të lartë ndaj ligjit, me përkushtim të madh ndaj qytetarëve të majtë dhe të djathtë. Falë punës së tyre, sot mund të ketë shkuar 30 numri i zyrtarëve të shkarkuar në të gjitha nivelet dhe sot kemi një kallzim penal.
-Thatë që do kishim një qeveri pa Ramën?
Të rrimë një herë te thelbi. Për herë të parë në histori, 27 vite një kandiat për deputet aktualisht deputet i referuar në Prokurori, dhe gjej rastin t’i kërkoj Prokurorisë të veprojë sot. Të tregojë profesionalizëm të zbatojë ligjin, nuk i kërkoj asgjë më shumë, por nuk i pranoj asgjë më pak.
-Çdo të thotë është kapur duke bërë fushatë si zyrtar apo është kapur duke blerë votën?
Atë e shikoni me gazetarët tuaj. Unë jam informuar që në mënyrë operacionale ky person dhe drejtori i Spitalit të Beratit, në dijeninë time është arrestuar, kanë zhvilluar një skemë korruptive për të detyruar njerëzit të votojnë në një mënyrë apo tjetër. Pra, sipas Kodit Penal kanë shkelur ligjin që është ndryshuar.
-Kodin dhe Ligjin e keni ndryshuar ju dhe Rama?
E çlidhje ka kjo? Pse ka ndonjë parti që lejohet të blejë vota. Atëherë çlidhje ka. Kujtdo të jenë, të PS të LSI, sot nuk e bëjnë dot siç e bënin para dy vjetësh apo katër vjetësh. I kërkoj dhe KQZ, kryetarit të KQZ që është emërimi ynë, dhe qeverisë që ka premtuar ta mbështesë me fonde, të bëjnë spotet të lajmërojnë shqiptarët që kush u merr kartën e identitetit, për qëllime elektorale, kanë më së paku 1 vit burg deri në pesë vjet!
-E kemi denoncuar dhe në këtë studio në 2015-ën?
Lëre 2015-ën, se atëherë nuk shkoje në burg për këtë. Tani shkon në burg. Kush jep shpërblim për votën, një thes miell, apo lekë shkon në burg, kush abuzon me detyrën shkon në burg, dhe minimalisht 1 vit të gjithë funksionarët. Le ta marrin vesh të gjithë nuk do të ketë më në Shqipëri të pushtetshëm, dallkaukë, kriminelë të prekin votën. Ndaj, votoni të lirë o shqiptarë, pa asnjë presion, sepse njerëzit që guxojnë tju prekin votën ose tju shantazhojnë i pret burgu. Ky tashmë është ligj në këtë Republikë të Vjetër, do të jetë ligj dhe princip në Republikën e Re.
-Zoti Basha, përse e takuat Ramën vetëm për vetëm, në një takim ku ishin përfaqësuesit e të gjithë partive?
Sepse e kërkoi ai.
-Dhe hezituat për ta takuar?
Nuk hezitova. Në kuptimin që ta them haptas fare nuk mendoja se do të shkonim drejt një marrëveshjeje. Unë kisha konsumuar dy raunde me të. Pozicionet ishin të kristalizuara, ai nuk lëvizte nga qëndrimet e tij. Ne ndërkohë kishim bërë një kompromis të madh. Kishim pranuar paketën McAllister plus të prezantuar nga Hoyt Yee. E kishim pranuar pa kushte. Erdhi në atë takim, ku të gjitha partitë parlamentare bënë thirrje për pranimin e paketës, unë ndërkohë e kisha pranuar. Ky mbajti një qëndrim refraktar gjatë takimit dhe më pas kërkoi një takim veç.
-Përse qëndruat aq gjatë zoti Basha rreth katër orë?
Jo për qejf. Ishte një negociatë e vështirë qëllimi im në emër të opozitës, ishte së pari, të jepja garancitë maksimale për një proces zgjedhor të lirë nga diktati i krimit, dhe së dyti, ishte që kjo mos mbetej një marrëveshje e momentit vetëm për zgjedhjet, por të ishte një marrëveshje politike që t’i hapte rrugë reformave të mëdha dhe të domosdoshme për ta shndërruar republikën e politikanëve të Shqipërisë, në republikën e qytetarëve të Shqipërisë.
-Përse nuk u bë kjo marrëveshje më hapur, por u desh të mblidheshit ju kokë më kokë e tek për tek që të arrihej një marrëveshje. Sepse duket si një takim mafiozësh?
Takime mafizoësh ka bërë pushteti gjithë këto vite, ky s’ishte takim mafiozësh. E kërkoi kreu i mazhorancës, iu përgjigj kreu i opozitës, unë jam totalisht i mandatuar dhe përfaqësoj PD dhe tërë opozitën. Asnjë nga partitë e opozitës nuk kishte kundërshtim për këtë takim, përkundrazi. Ata kanë bërë takim mafiozësh këto katër vite dhe një pjesë prej tyre i di dhe media, por ka frikë t’i nxjerrë, kështu ky ishte një takim mes dy kundërshtarëve politik, mes dy antagonistëve politik. Transparenca është totale, me insistimin tim nuk është folur atë natë, sepse duhej zbardhur marrëveshja, vetëm pasi marrëveshja është zbardhur është bërë publike.
-E morët vetë vendimin zoti Basha apo pyetët dhe Berishën?
Pse duhet ta pyes zotin Berisha. Unë jam kryetari i PD dhe i opozitës. Jam mandatuar nga partia ime nga aleatët e mi. Unë i marr vendimet në Partinë Demokratike. Ke katër vjet që shtyn emisionin me të njëjtën pyetje dhe merr të njëjtën përgjigje. Kthehemi tek transparenca. Më transparente se qëndrimet e mia nuk ka patur. Tre muaj para dite dhe pasdite tezat e Republikës së Re, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes, këto unë i kam shpalosur, reforma themelore për t’ia kthyer pushtetin qytetarëve dhe vendimmarrjen. Këto teza unë i kam bërë publike jo një herë, por më shumë se qindra herë.
-Po, por keni thënë një qeveri pa Edi Ramën?
Nuk është ashtu. Sigurisht ai ishte synimi politik…
-Ndryshoi Rama dmth?
Jo nuk ndryshoi Rama. Erdhi një paketë amerikane, e cila mori mbështetjen tonë dhe e çoi në këto garanci që sot kanë çuar një kandidat për deputet për ndjekje penale…
-Marrëveshja që keni bërë ju me zotin Rama është shumë përtej McAllisterit?
Mund t’i vijë keq Ramës, por mua s’më vjen keq që është përtej asaj pakete. Se kam për veten time këtë luftë, unë dua që të marrin qytetarët sa më shumë. Sepse të gjitha këto reforma jo vetëm që unë i kam shpallur, por kam pasur përkrahje nga qytetarët dhe i gjithë opinioni publik. Nuk është hapi vendimtar për hapin vendimtar duhet vota e 25 qershorit.
-Zoti Basha, a është marrëveshja ajo që është shkruar apo shkohet përtej saj. Pra, a bëhet fjalë për një marrëveshje për të bashkëqeverisur me Edi Ramën?
Marrëveshja është ajo që ka dalë publikisht e zeza mbi të bardhë është vetëm ajo.
-Përse u la LSI jashtë një forcë e konsiderueshme?
Po e përfaqëson ky LSI-në, është kreu i koalicionit që qeveris vendin.
-Me sa duket LSI s’qenka në dijeni për këtë…
E ke gabim, sepse Rama kish në krah. Vasilin, Idrizin… Ky flet në emër të mazhorancës unë në emër të opozitës. Se ka filluar vallja e Napoleonit, njerëz që kanë në qeveri flasin si në opozitë. Këtu ka dy palë, njëra është opozita që është bashkuar në një logo, dhe pala tjetër është qeverisja që është ndarë në katër pesë pjesë. Por nuk ka njëzet palë këtu, këtu ka dy palë qeverisja e katër vjetëve me bilancin e vet, me zullumet e veta, me peshën e vet të përgjegjësisë dhe opozita nën një logo.
-A ka një marrëveshja që ju dhe zoti Rama të bashkëqeverisni…
Jo. Mundësia është për shqiptarët të çojnë deri në fitore vendimtare Republikën e Re dhe kjo mundësi ka numrin gjashtë dhe koalicionin opozitar.
-Në listat e PD kanë mbetur jashtë figura historike të PD-së, ata të viteve ‘90-të, por edhe prurje të vitit 2005. Çfarë kriteri keni përdorur për hartimin e listës?
PD është në një moment deçiziv të historisë së saj. Pasi ka drejtuar vendin për tetë vite, humbi zgjedhjet në vitin 2013, u fut në një proces të thellë reflektimi, u përball me beteja politike, dhe sot përballet me nevojën e ngutshme të qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund një shteti fasadë, një demokracie fasadë. Një republike të politikanëve dhe për të ndërtuar një republike të qytetarëve. Për këtë, mua më është dashur të marr vendime të vështira. Vendimi im i parë ka të bëjë me grupin parlamentar, që është pjesë e rëndësishme e ekipit qeverisës. Këtu parimi ka qenë t’i jap zë thirrjes së anëtarësisë së PD-së, thirrjes së qytetarëve për ndryshim, dhe ndryshimi ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Ndryshimi është zhvillim, ndryshimi është përparim është në çdo familje në çdo organizatë, është në marrëdhëniet ekonomike.