Ashtu sikurse 27 vite më parë, rrugët dhe sheshet e Shqipërisë janë mbushur me qytetarë të revoltuar që kërkojnë rrëzimin e këtij pushteti. 26 vite më parë, Tirana ishte e rrethuar. Një mori spiunësh të Sigurimit të Shtetit, policë, ushtarë dhe tetarë ishin bashkuar për të mbrojtur me dhunë diktaturën. Një grusht studentësh, në krye të të cilëve qëndronte Azem Hajdari kishin vendosur të përballeshin me makinën e dhunës të një regjimi, që po ndjente se i kishte ardhur fundi.
Në 8 Dhjetor 1990, studentët vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundër regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën ndodhi edhe një incident: policia e ushtria përdorën dhunën për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të jetesës, ata kërkuan lejimin e pluralizmit, si dhe dënimin e dhunuesve të studentëve.
Ndërsa në Tiranë luhej ndeshja Partizani-Dinamo, kryeqyteti ishte rrethuar i tëri. Studentët qëndronin tek Liceu Artistik. Policia ndryshon itinerarin e lëvizjes së qytetarëve të Tiranës. Frika u kishte hyrë deri në palcë. Një bashkim i banorëve të Tiranës me studentët do të sillte revoltën e madhe, shumë më shpejt nga sa mund të mendohej. Në rrugën e “Elbasanit” për të parën herë shfaqen policë me skafanda dhe mburoja. Të gjithë të armatosur. Nuk lejonin kalimin përtej rrugës së “Elbasanit”, pasi tek Liceu Artistik ishin studentët. Atëherë lëvizja e mijëra e mijëra tifozëve u spostua për nga Piramida. Në rrugë dëgjoheshin thirrjet e studentëve. Ata nuk tërhiqeshin. Ata këndonin “Eja, mblidhuni këtu, këtu”. Megjithatë bashkimi i banorëve të Tiranës me studentët nuk ndodhi në atë moment, por në darkë. Studentët goditen dhe dhunohen në mënyrë çnjerëzore nga policia e Ramiz Alisë. Tirana zgjidhet dhe vendos të identifikohet me studentët. Në darkë me mijëra të rinj, ngjisnin kodrat e Qytetit “Studenti” nga të gjitha anët. Sigurimi i Shtetit dhe policia ishin shpërndarë në rrugët kryesore për të penguar bashkimin e madh. Por, ishte e pamundur. Për në Qytetin “Studenti” kishte me dhjetëra rrugë që të çonin atje. Askush nuk mund ta ndalte më Tiranën të ishte pjesë e Lëvizjes Studentore. Askush nuk mund t’i ndalte më studentët, që pas atij bashkimi të 9 Dhjetorit mori fuqinë për të rrëzuar diktaturën.
Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe pas shumë protestave, ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua më 11 Dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave, ku priteshin në takim nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe President i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i Lëvizjes Studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkëngjitur tashmë edhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria dhe pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte pluralizmin politik në Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja Studentore shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash studentore e demonstratash, që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e luftës civile, në një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit totalitar.
Sot, pas 21 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga lideri i demokracisë, “Nderi i Kombit”, Azem Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa.
8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarëve si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.
Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë
Dhjetori i vitit ‘90 vendosi në axhendën e shqiptarëve ballafaqimin. Dhjetoristët dhe gjithë populli shqiptar, në këtë ditë historike, nderojnë kujtimin e liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili u vra më 12 shtator 1998 nga socialkomunistët që u rikthyen në pushtet nëpërmjet rebelimit mafiozo-komunist të ‘97. Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit shqiptar, rinia studentore e nisi 21 vjet më parë nga ai vend që sot quhet Sheshi “Demokracia”, në krye të së cilës ishte tribuni Azem Hajdari. Studentët e udhëhequr nga Azemi mbushën rrugët e Tiranës, sheshet dhe shpirtrat e shqiptarëve me dritën e lirisë. Në dhjetor të vitit 1990, Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë. Në atë kohë të acartë, kur bisha komuniste ishte në përpëlitjet e fundit, barra e përplasjes me regjimin më gjakatar që kishte njohur njerëzimi ra mbi studentët e universiteteve të Tiranës dhe të qendrave të tjera të arsimit të lartë në Korçë, Shkodër, Elbasan e në Gjirokastër. Në periudhën ndërmjet dhjetorit 1990 dhe prillit 1991, studentët shqiptarë demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit, prej sistemit totalitar në një sistem demokratik. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore, kanë qenë kontribues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës shqiptare.
Drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë
26 vjet më parë, Shqipëria ishte zhytur në mjerimin dhe izolimin më të tmerrshëm të historisë. Ajo që kishte pllakosur vendin ishte zija e urisë. Dyqanet e boshatisura si pasojë e mungesës së prodhimit të brendshëm kishin detyruar sistemin që të aplikonte prej vitesh tollonat, ku një familje nuk mund të merrte më shumë se një pako 200 gramshe gjalpë në javë apo një gjysmë kilogram djathë. Radhët për ushqime sa vinin dhe shtoheshin, ndërsa durimi kishte kaluar të gjitha kufijtë. Paralelisht me këtë situatë mjaft të rënduar politike, duke parë edhe erën e ndryshimeve që po frynte në shumë vende të Europës Lindore, diktatura vendosi të reagonte me ashpërsi. Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar mbijetesën e sistemit. Burgjet ishin të tejmbushur me të burgosur politikë dhe numri i tyre sa vinte dhe shtohej.
Diktatura po tregonte dhëmbët edhe në kufi, ku raportoheshin me dhjetëra raste të vrasjeve në të. Synohej të krijohej një situatë frike për të mbajtur nën presion popullin, përndryshe çdo tërheqje apo tolerim do të kuptohej si një dobësi. Në shkollat e mesme dhe të larta u dha alternativa që çdo ditë të zhvilloheshin biseda me nxënësit, ku të flitej se Shqipëria ishte një rast i veçantë dhe nuk mund të kishte ngjashmëri as me Gjermaninë Lindore dhe as me Rumaninë, ku ishte ekzekutuar diktatori Çaushesku.
Ndërkaq në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera të vendit sa vinte dhe shtohej revolta e brendshme. Sinjali ishte dhënë me ambasadat, ku mijëra të rinj shpërthyen muret e izolimit m’u në zemër të diktaturës, duke e sfiduar hapur sistemin e saj të dhunës. Mitingu famëkeq i atyre ditëve, ku ata mijëra të rinj u konsideruan huliganë, vandalë dhe armiq të popullit, nuk solli asnjë efekt, përveçse rriti dozat e zemërimit popullor. Për çdo natë në Tiranën e atyre ditëve pëshpëritej për një reagim, i cili mund të niste në Sheshin “Skënderbej”, ku ishte edhe epiqendra e asaj kohe e rinisë. Ndërkaq, sinjali erdhi pak metra më tutje qendrës së Tiranës. Atje ku disa dhjetëra studentë të drejtuar nga Azem Hajdari, vendosën të përballen me aparatin e diktaturës. Ajo lëvizje u bë drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë.
Misioni i dhjetorit ‘90 është i realizuar
Shqipëria sot, është në mënyrë të pakthyeshme, ajo që donin studentët dhe shumica e shqiptarëve në dhjetor të ‘90. Mesazhi dhe misioni i Lëvizjes Studentore është i realizuar. Shqipëria sot, është shumë më tepër se ajo që mendonim dhe shpresonim në atë kohë të ishte. Dhe vërtet këtu është një meritë, së pari, e vetë PD-së, që përgjithësisht në gjithë jetën e saj historike e mbajti këtë flamur të mesazhit të Lëvizjes Studentore të ‘90. Është meritë e gjithë shqiptarëve që demokracinë e bënë shumë shpejt mentalitet të qenies së tyre dhe të shtetit të tyre. Ëndrra e studentëve dhe e shumicës së shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike është bërë realitet me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me pranimin e kërkesës për të qenë vend kandidat për në BE.
Lëvizja Studentore u kthye në një lëvizje mbarëkombëtare
Dhjetori i vitit 1990 ka hyrë në historinë e demokracisë në Shqipëri, si dhjetori i bardhë, dhjetori i lirisë, dhjetori i demokracisë. Djemtë dhe vajzat studentë, të rinjtë, të moshuarit, punëtorët, fshatarësia, të gjithë dolën në shesh. Sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe të gjithë sheshet e Shqipërisë u mbushën plot e përplot me demokratë. Nga goja e tyre dolën si zjarr i një vullkani dy fjalë: Liri-Demokraci. Artikulimi i këtyre fjalëve kishte peshë të madhe, aq të madhe sa ngriti peshë zemrën e një kombi, i cili kaq shumë kishte vuajtur, për lirinë, demokracinë dhe qytetërimin europian. Por jo vetëm kaq. Zëri i shqiptarëve për liri dhe demokraci, zgjoi jo vetëm Europën, por edhe vëmendjen e demokracisë perëndimore, në veçanti politikën e madhe amerikane. Pas Lëvizjes Studentore, që u kthye menjëherë në një lëvizje mbarëkombëtare për demokraci dhe rrëzimit të miteve të diktaturës komuniste, prezenca e SHBA-së në Shqipëri nuk vonoi. Përkundrazi, ajo erdhi me gjithë fuqinë e saj. Muaji dhjetor i vitit 1990 ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe analet e demokracisë shqiptare, si muaj i lindjes së demokracisë dhe Lëvizja Studentore si lëvizja e parë për demokraci në Shqipëri.