Partia Demokratike përkujtoi dhe nderoi 27-vjetorin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, guximin e të rinjve shqiptarë, që nisën lëvizjen për rrëzimin e diktaturës komuniste. Nën organizimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në të njëjtën sallë ku 27 vite më parë mori jetë lëvizja studentore, të rinjtë demokratë, ish-protagonistë të atyre ditëve, drejtues dhe anëtarë të lëvizjes Dhjetor ’90, folën për rëndësinë e kësaj ngjarje në historinë politike të shqiptarëve.
Nën moton “Të ndërtojmë të ardhmen, duke mos harruar të shkuarën”, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, shprehu mirënjohjen për të rinjtë e Dhjetorit ‘90, duke ftuar të rinjtë e PD-së t’i përqafojnë si model.
“Jemi mbledhur sot në Qytetin “Studenti”, këtu ku nisi gjithçka, pikërisht në tempullin e lirisë për të kujtuar guximin e jashtëzakonshëm të atyre të Dhjetorit ’90, të cilëve ne duhet t’i përulemi përjetë me mirënjohje, pasi prej tyre jetojmë sot në një sistem demokratik. Na takon ne të rinjve demokratë dhe Partisë Demokratike, që në ballë të aksionit politik, duke pasur rininë, duke pasur qytetarët e lirë të këtij vendi, duke pasur ish-të përdjekurit dhe pronarët, t’i rikthejmë shpresën e humbur këtij vendi, shpresën e humbur të rinisë shqiptare”, tha Këlliçi.
Në këtë përkujtim morën pjesë shumë prej protagonistëve si Preç Zogaj, Besnik Mustafaj etj., ndërsa Arben Sulo, ish-student i Dhjetorit, foli për simbolikën dhe rëndësinë e 8 Dhjetorit 1990. “Nuk jemi shenjtorë, të gjithë jemi egoistë apo ambiciozë, por në shpirtin demokrat nuk na e vret dot askush, sepse duhet të jemi krenarë për ç’ka jemi dhe nga vijmë. Fjala komunist është një fyerje për socialistët, por fjala demokratë është një fjalë që jep vlera dhe ata vetë mundohen ta përdorin dhe të na marrin simbolin e dy gishtave”, tha profesor Sulo.
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha e vlerësoi si privilegj kremtimin e Ditës së Rinisë, që është dita e revolucionit demokratik paqësor, më e rëndësishmja në historinë e lirisë. Ai tha se, kjo ditë është ditë frymëzimi, pasi të rinjtë u përballën me diktaturën më mizore dhe shndërruan Qytetin “Studenti” në kështjellën e Lirisë.
Përmbysje narkoshtetit
“Mesazhi i madh i 8 Dhjetorit është guximi. Fitojnë ata që guxojnë! Përveç viteve të diktaturës, nuk kemi qenë në gjendjen që jemi sot. Por po ndërtohet narkoshteti, përderisa ministri i Brendshëm merret me trafiqe, ai është narkoshteti. Kur kryeministri nuk e dënon ministrin, ai është vetë i implikuar. Edi Rama është i implikuar, përderisa është Olsi Rama, Saimir Tahiri, janë të implikuar. Kush është zgjidhja?! Zgjidhja është guximi i rinisë, guximi dhe trimëria juaj. Ju keni 1001 arsye të ngriheni fuqishëm dhe ju garantoj ju se jeni dhjetëra herë më shumë se kjo sallë, por vetëm kjo sallë do mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri. Nuk kishin më shumë ata natën e parë, ditën e parë të përballjes së tyre me diktaturën, por e gjunjëzuan. A meritoni ju që të shiheni kudo si të rinjtë e Kanabistanit?! A meritoni ju që droga që prodhohet në Amerikën Latine t’i shndërrojë shqiptarët në përdoruesit e saj kryesorë në botë?! A meritoni ju që ligjin të mos e bëjë drejtësia, por ta bëjë kanabisi?! Nuk meritojnë të paguajnë studimet 4 herë më shumë se të rinjtë e Europës. Në vendet e Europës, tarifat e studentëve kanë përmbysur qeveritë e Europës dhe e kanë merituar. Historia e Shqipërisë duhet të jetë përmbysja e narkoshtetit, e përmbysjes së Edi Ramës dhe klikës së tij”, tha Berisha.
Kreu i Fondacionit Konrad Adenauer, Walter Gloss tha se Dhjetori ‘90 solli hapjen e vendit drejt demokracisë, që shumë pak e besonin. “Rruga drejt një demokracie, Shqipëria ka nevojë për dialog politik dhe axhendë të përbashket. Duhen politikanë vizionarë. Për këtë na duhet një opozitë e fortë dhe PD e bashkuar. Ne do ta mbështesim PD-në si një alternativë qeverisëse për të fituar zgjedhjet”, tha Gloss.
Patrick Voller, Sekretari i Çështjeve të Jashtme në EPP, shprehu mbështetjen e së djathtës europiane për Partinë Demokratike. “Ishte PD që gjatë kohës në qeveri futi Shqipërinë në NATO nga kryeministri i atëhershëmn Sali Berisha. Kërkojmë nga politikanët që të dëgjohet opozita dhe të përfshihet plotësisht, jo të përjashtohet”, tha Voller.
8 Dhjetori u nderua me pjesëmarrjen e krerëve të së djathtës europiane dhe botërore.
“Më vjen shumë keq për gjendjen në të cilën ndodhet rinia shqiptare. Krimi, korrupsioni, trafiku i drogës po vjedh shpresën, ëndrrat dhe të ardhmen e të rinjve. Në këtë ditë të rëndësishme dua t’ju them se, Europa është me ju, unë jam me ju dhe ne jemi përkrah jush për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për një Shqipëri europiane, demokratike dhe të zhvilluar”, tha Andrianos Giannou, President i të Rinjve të Partive Popullore Europiane.
Kryetari i Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë, Bashir Wardini uroi që demokratët të vijnë sa më shpejt në qeverisje për të ndryshuar Shqipërinë. “8 Dhjetori 1990 është një ditë shumë e rëndësishme për historinë tuaj dita në të cilën rinia marshoi në protesta për të rrëzuar sistemin tiranik të korruptuar komunist në Shqipëri dhe për të sjellë demokracinë në vendin tuaj”, tha Wardini.
Kryetari i DEMYC, komunitetit të të rinjve demokratë konservatorë të Europës, Javier Hurtado Mira shprehu shqetësimin e rrënimit të lirisë dhe institucioneve gjatë qeverisjes së socialisteve. “Unë jam tejmase i shqetësuar për gjendjen e Shqipërisë nën udhëheqjen e qeverisë socialiste, lidhjet e saj me trafikimin e drogës, lidhjet e saj me krimin dhe blerjen e votës së qytetarëve në zgjedhje. Si brez i ri, ne jemi të dedikuar dhe kemi dëshirë që një ditë Shqipëria, të jetë pjesë e familjes së madhe europiane”, tha Mira.
Presidenti i Studentëve të Partive Popullore Europiane, Virgilo Falco, tha se të rinjtë europianë do të jenë pranë atyre shqiptarë për të kaluar këto ditë të vështira. “Kam ndjerë keqardhje, pasi Belindi më ka informuar se shumë të rinj të talentuar e kanë të pamundur të ndjekin studimet për shkak të varfërisë dhe papunësisë së madhe në Shqipëri, si pasojë e krimit dhe korrupsionit që kontrollon vendin. Por jam i bindur që studentët sot, si ata të viteve ‘90 do të arrijnë të marrin në dorë fatin e vendit të tyre”, tha Falco.
Bashkë do ta ndryshojmë Shqipërinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu mirënjohje për të rinjtë shqiptarë që 27 vite më parë nisën rrugën e lirisë. “8 Dhjetori 1990, dita kur kurajo triumfoi mbi frikën, kur dëshira për liri triumfoi mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kurajo e studentëve të dhjetorit dhe liderit të tyre Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur: lirinë e mendimit, të fjalës, lirinë politike, të besimit, lirinë e lëvizjes. Liria politike në themel të dinjitetit njerëzor. Në një shoqëri ku qytetarët nuk kanë ndikim mbi mënyrën si qeverisen, nuk mund të ketë dinjitet njerëzor. 8 Dhjetori është dita e parë europiane në Shqipëri. Ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur”, tha Basha.
Lideri demokrat tha se, “Shqipëria ka bërë shumë përpara që prej Dhjetorit ‘90. “Por edhe shumë gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan, shumë të tjera qenë më të vështira seç i menduam. 27 vjet pas rënies së komunizmit, liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara. Shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur”, tha Basha.
Ai tha se, “vendi ka nevojë sërish për forcën e të rinjve, por edhe për kurajon e dhjetoristëve dhe të gjithë shqiptarëve”. “Në vend që në Shqipëri të flitet për politika moderne, biznese të reja, flitet për pastrim të Parlamentit nga kriminelët, për banda trafikantësh, për pastrim parash. Në ‘90-ën regjimi përdori dhunën e ideologjisë, në 2017 po përdoret krimi ordiner për të dhunuar liritë e shqiptarëve, duke i detyruar të braktisin vendin. Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë gjatë këtyre tre dekadave për forcën, idealizmin, kurajën e dhjetoristëve”, tha Basha.
Kreu i demokratëve tha se bashkë do të përballemi me këtë të keqe dhe së bashku do të ndryshojmë Shqipërinë.
“Shqipëria gjendet përsëri në një udhëkryq mes politikës së kriminalizuar dhe vlerave të lirisë. Edhe një herë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Sytë e çdo shqiptari janë nga ju. Mos kini asnjë dyshim në forcën tuaj dhe në aftësinë tiaj! Nuk ka regjim, nuk ka qeveri që mund t’u bëjë ballë 1 qind, 1 mijë, 10 mijë të rinjve të vendosur e të bërë bashkë për liri, për drejtësi, për mundësi. Të rinjve që duan të ikin u bëj thirrje të qëndrojnë, të mos ikin! Të përballemi, të luftojmë dhe të fitojmë mbi të keqen! Bashkë do të ndryshojmë Shqipërinë”, tha Basha.
Kreu i FRPD-së, së bashku me kryetarin Basha, z. Berisha, z. Gloss dhe z. Voller shpërndanë 27 karta anëtarësimi për të rinjtë në simbol të 27 viteve të Lëvizjes së Dhjetorit.
Të pranishmit zhvilluan homazhe pranë shtatores së Azem Hajdarit në Qytetin “Studenti”, atje ku 27 vite më parë nisi rrugëtimi i lirisë së shqiptarëve. Kreu demokrat Basha shprehu besimin se e mira do të triumfojë dhe e keqja do të mposhtet.
Mesazhet e drejtuesve të forumeve të djathta botërore
1. Andrianos Giannou
President i të Rinjve të Partive Popullore Europiane
Jam shumë i gëzuar dhe i nderuar që ju drejtohem në këtë ditë të veçantë dhe të rëndësishme për ju, duke përkujtuar kurajon, forcën dhe qëndresën e të rinjve shqiptarë ndaj regjimit më të egër që Europa ka hasur ndonjëherë.
Falë rezistencës, rinia shqiptare qëndron krah për krah me rininë europiane, dhe jemi shumë të lumtur për miqësinë tonë. Po ashtu jemi të përkushtuar për të qenë pranë jush në përballjen e sfidave në vijim. Më vjen shumë keq për gjendjen në të cilën ndodhet rinia shqiptare. Krimi, korrupsioni, trafiku i drogës po vjedh shpresën, ëndrrat dhe të ardhmen e të rinjve. Në këtë ditë të rëndësishme dua t’ju them se, Europa është me ju, unë jam me ju dhe ne jemi përkrah jush për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për një Shqipëri europiane, demokratike dhe të zhvilluar. Miq të dashur, ju nuk jeni më vetëm si në vitet ’90, jemi sëbashku dhe do të luftojmë sëbashku.
2. Bashir Wardini
Kryetar i Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë
Unë jam Bashir Wardini, kryetari i Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë, koalicioni më i madh botëror i qendrës së djathtë. Në këtë pozicion kam zëvendësuar kryetarin e mëparshëm Gerti Bogdani. 8 Dhjetori 1990 është një ditë shumë e rëndësishme për historinë tuaj, dita në të cilën rinia marshoi në protesta për të rrëzuar sistemin tiranik të korruptuar komunist në Shqipëri dhe për të sjellë demokracinë në vendin tuaj. Në këtë ditë përkujtoni rininë që ishte para jush, sepse rinia është gjithmonë ajo që sjell ndryshime në një vend. Gjithashtu, si rini ju ftoj të punoni që në zgjedhjet e ardhshme të sillni në pushtet Partinë Demokratike. Urime të përzemërta nga Bejruti dhe Faliminderit!
3. Javier Hurtado Mira
Kryetar i DEMYC, komunitetit të të rinjve demokratë konservatorë të Europës
Sot ndodhem në zyrat e DEMYC në Bruksel dhe megjithëse ndihem pranë jush, më vjen keq që nuk jam sot fizikisht në Tiranë me ju, por dua t’ju shpreh mbështetjen tonë në DEMYC. Unë jam tejmase i shqetësuar për gjendjen e Shqipërisë nën udhëheqjen e qeverisë socialiste, lidhjet e saj me trafikimin e drogës, lidhjet e saj me krimin dhe blerjen e votës së qytetarëve në zgjedhje. Si brez i ri, ne jemi të dedikuar dhe kemi dëshirë që një ditë Shqipëria, të jetë pjesë e familjes së madhe europiane. Por, mënyra se si po drejtohet shteti nga socialistët, nuk është në rrugën e drejtë për demokracinë, nuk është rruga për lirinë e vërtetë për vendin tuaj. Ju vuani ende nga e shkuara komuniste dhe ne nuk duam që në Europë të shkohet në këtë mënyrë, pa institucione demokratike. Prandaj ne sot po ju dërgojmë këtë mesazh që ju të keni fat në betejat e përditshme.
Shpresojmë të jeni të suksesshëm dhe shprehim mbështetjen tonë.
4. Virgilio Falco
President i Studentëve të Partive Popullore Europiane
I dashur Belind, Unë jam shumë i lumtur sot, që ju drejtohem në këtë ditë historike të kryengritjes studentore, e cila solli ndryshimin e madh dhe historik për Shqipërinë. Jam veçanërisht i lumtur për këtë ditë dhe për atë që simbolizon. Duke qenë se jam Presidenti i Studentëve Demokratë të Partive Popullore Europiane, kam takuar shumë studentë shqiptarë, të shkëlqyer në mësime, me një dashuri të madhe për vendin e tyre dhe dëshirë për të kontribuar dhe ndryshuar atë. Dhe kujtesa e faktit që studentet ishin të parët, që u ngritën kundër regjimit komunist, sfiduan frikën dhe terrorin, e ndihmon këdo të kuptojë dëshirën e madhe të studentëve që studiojnë sot në universitetet më të mira të botës për të kontribuar për vendin e tyre. Kam ndjerë keqardhje, pasi Belindi më ka informuar se shumë të rinj të talentuar e kanë të pamundur të ndjekin studimet për shkak të varfërisë dhe papunësisë së madhe në Shqipëri, si pasojë e krimit dhe korrupsionit që kontrollon vendin. Por jam i bindur që studentët sot, si ata të viteve ‘90 do të arrijnë të marrin në dorë fatin e vendit të tyre.