28 mijë qytetarë nga Shqipëria me qëndrim të parregullt në BE në 2015

Nesë do të shiheshin disa statistika zyrtare të botuara nga FRONTEX nuk do të ishte shumë e vështirë që qytetarët shqiptarë të gjeneratës së sotme dhe ata të gjeneratës tjetër për të cilët sot po bëhet aq shumë; të konstatonin se tërë sulmi kolosal i propagandës që evidenton arritjet në rrugë e sipër dhe katastrofën e djeshme nuk ka pikën e lidhjes me atë që po ndodh me shqiptarët e sotëm nëpër rrugët e Bashkimit Europian dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Në mënyrë të çuditshme, duket se debati, vëmendja politike, propaganda zyrtare që synon futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian shkon në një drejtim ndërkohë që mijëra e mijëra shqiptarë ndihen të detyruar të ndjekin sistematikisht një drejtim tjetër aspak të përputhur me atë që afishohet përditë, kudo, me forcë dhe me shumë shpenzime.
Të krijohet përshtypja se po punohet për të futur Shqipërinë në BE, por pa shqiptarët. Ose në këto momente qytetarët janë lënë në dorë të perëndisë dhe po bëhemi gati të formohemi si europianë me gjeneratën tjetër.
Edhe institucionet teknikisht përgjegjëse për lëvizjen e shqiptarëve në zonën Shengen nuk po tregojnë një autonomi minimale nga politika për të qenë të qartë e të zhveshur ndaj çdo lloj demagogjie për të parë sa çpo ndodh me lëvizjen e lirë të qytetarëve në mënyrë që të administrojnë të dhënat e ofruara llokum nga FRONTEX-i, të identifikojnë problemet dhe t’ja paraqesin hierarkisë vendimmarrëse politike dhe kjo e fundit para se të turret me vrap për t’i vënë në qafë dështimet paraardhësve, të marrë përgjegjësitë dhe të japë zgjidhjen problemeve.
Pranuar si meritë apo jo, fakti mbetet se në fundin e vitit 2010, Shqipëria fitoi statusin e lëvizjes së liberalizuar të shtetasve të saj në zonën Shengen dhe në disa vende që nuk i përkasin kësaj zone. Për pjesën dërrmuese kjo liri aktualisht është kthyer në një standard që ndoshta të bëjnë edhe të harrosh kujtimin e vuajtjeve në ambasada, rrugët ilegale të migrimit, tragjeditë që i shoqëruan.
Impakti i parë i kësaj lëvizjeje ishte i kthjellët. Ndryshimi drastik.
Një vit para liberalizimit të vizave ishin plot 32 592 qytetarë shqiptarë që kaluan kufirin në mënyrë ilegale. Një vit më pas, kur filloi lëvizja e liberalizuar, numri i tyre ra në 5.138.

Po çfarë ndodh aktualisht kur po punohet në Shqipërinë e gjeneratës tjetër?

Gjatë vitit 2015, numri i shqiptarëve të kapur në kalim ilegal të kufirit është rritur në 9 450, pra në pak më shumë se 4 mijë se në vitin 2011. Shkaqet janë të shumta. Dikush duhet t’i shohë dhe t’u japë përgjigje e të japë zgjidhje. FRONTEX-i këtë migracion e quan qarkullues në kufirin me Greqinë. Informacione të shumta thonë se shumica dërrmuese janë punëtorë sezonalë. Ka edhe kategori të tjera. Nuk e di, ndoshta është naive, por më mirë se sa të zihen me Greqinë të mendojnë e të bëjnë ndonjë marrëveshje për të normalizuar këtë fenomen. Jemi i vetmi vend në Europë që kemi ende emigracion ilegal. (ende nuk po flasim për Britaninë).
Gjatë vitit 2015, kur puna për Shqipërinë e gjeneratës tjetër u intensifikua, në vendet e Bashkimit Europian janë kapur plot e 28 485 shtetas shqiptarë me qëndrim të parregullt. Pra afro 7 mijë më shumë se në vitin 2014 që kishte 21.177.
Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bën pjesë në top dhjetëshen e parë të shteteve me shtetas të kapur në qëndrim ilegal.
Ndërkohë të gjithë këta shtetas ose pjesa e tyre dërrmuese vitin tjetër nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në zonën Shengen dhe logjikisht numri i atyre që do ta kalojnë kufirin ilegalisht drejt Greqisë dhe prej andej të shkojnë në vendet e tjera Shengen automatikisht do të rritet dhe po ashtu edhe i atyre do të kapen me qëndrim ilegal.
Edhe për këtë fenomen shkaqet janë të shumta dhe nga mëngjesi në darkë ne mund të themi se shkaqet janë ekonomike. Nuk është e pavërtetë. Rëndësia ka të kuptohet se në vitin 2015 janë 10.600 shqiptarë më shumë se në vitin e larget 2011 të kapur me qendrim ilegal. 10.600 shqiptarë më shumë të izoluar që nuk do të qarkullojnë dot lirshëm. Gjatë vitit 2011 numri i tyre ishte 10.207. Kjo është e dhimshme, por jo më tragjike se sa fakti që para liberalizimit të vizave, numri i shtetasve shqiptarë të kapur me qëndrim ilegal në vendet e BE-së ishte rreth 8 mijë më pak se në vitin 2015.

Më pak shqiptarë të integruar. Më shumë të izoluar. Nuk e di se të kujt gjenerate janë

Gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2015, thotë raporti i FRONTEX-it, duke cituar EASO (Europian Asylum Support Office), 96 për qind të totalit të refuzimeve të azilit në vendet e BE-së e përbënin shtetasit shqiptarë. Eshtë analizuar ndonjëherë impakti, kostoja e këtij problemi? Jo. Sepse këta ndoshta nuk janë të Shqipërisë së gjeneratës tjetër.
Në raport nuk lihet pa u përmendur edhe Mbretëria e Bashkuar ku thuhet se rastet e konstatimit prej autoriteteve të saj të personave me dokumenta falco është rritur në masën 70 për qind nga viti 2014 në vitin 2015. Ky trend i atribuohet numrit në rritje të shtetasve shqiptarë që përdorin shpesh në mënyrë abuzive karta identiteti greke dhe italiane….
Nuk është i pavërtetë fakti se shumica e tyre vjen nga migracioni i mëparshëm shqiptar në këto dy vende, por është tërësisht e papranueshme që në biseda me ndërkombëtarë apo shpesh në media, drejtues institucionesh apo minsitra vrapojnë të evidentojnë këtë fakt për të mos marrë asnjë lloj përgjegjësie për këta shtetas që në fund të fundit shqiptarë janë. Sepse ata kur kthehen, i kthejnë në Shqipëri dhe më pas nuk do të jenë më në gjendje të qarkullojnë lirshëm. Kostoja gjithsesi Shqipërisë i ngelet.
I gjithë ky trend rrit vështirësitë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe i takon autoriteteve kompetente të marrin përgjegjësitë e të gjejnë zgjidhjet e duhura në mënyrë që qytetarët mos të braktisen e të jenë të detyruar të gjejnë zgjidhje individuale, shpesh antiligjore. Dëmi është i të gjithëve, edhe i Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Në krye të listave për numrin e azilkërkuesve

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet e Evropës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil në vitin 2015, sipas një raporti të fundit të Pew Research Center, që ka analizuar të dhënat nga Eurostat, agjencia statistikore e Bashkimit Europian. Sot,thotë raporti, vendet e Evropës Lindore, si Kosova dhe Shqipëria ende kontribuojnë në rrjedhën e përgjithshme të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër, por rreth gjysma e refugjatëve në 2015 kishin origjinë nga vetëm tre vende: Siria, Afganistani dhe Iraku.
Disa prej azilkërkuesve të Evropës në vitin 2015 ishin nga rajone që kanë pasur dhe valë të kaluara të emigrantëve. Gati një në pesë azilkërkues në vitin 2015 (17%) kanë ardhur nga vendet evropiane jashtë BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, duke përfshirë azilkërkuesit nga Kosova (68.000 në vitin 2015, nga 35.000 në 2014), Shqipëria (67,000 në vitin 2015,nga 16,000 në vitin 2014) dhe Ukraina (21.000 në vitin 2015, nga nga 14,000 në vitin 2014).
Kosova dhe Shqipëria janë përkatësisht në vendin e katërt dhe të pesë për kërkesat për azil  (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tre shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku. Madje raporti vë në dukje se Europa mori pothuajse të njëjtin numër të aplikimeve për azil nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, sa mori dhe nga Iraku. Nga Shqipëria në Gjermani kishte 54 mijë azil kërkues.
Në total, një rekord prej 1.3 milionë emigrantë kanë aplikuar për azil në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Norvegji dhe Zvicër në 2015 – pothuajse dyfishi  i rekordit të mëparshën prej 700,000 vetësh, që ishte vendosur në vitin 1992 pas rënies së Perdes së Hekurt dhe rënies së Bashkimi Sovjetik.
Që nga viti 2012, Gjermania ka qenë vend kryesor destinacioni për azilkërkuesit në Evropë, duke marrë 442,000 kërkesa për azil vetëm në vitin 2015. Pas Gjermanisë vjen Hungaria (174,000 aplikacione) dhe Suedia (156,000). Ndërkohë, Franca (71.000) dhe Mbretëria e Bashkuar (39,000) kanë marrë afërsisht numrin e njëjtë të aplikacioneve në vitin 2015, si në vitet kur vala e emigracionit nuk ishte kaq masive.

Artikulli paraprakFlota detare ruse provokon, Britania e NATO gati për luftë
Artikulli tjetërDule: Me këtë arrogancë qeveritare s’mund t’i afrohemi kurrë BE-së