Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Berisha, deputetë, përfaqësues të Këshillit Bashkiak dhe qindra qytetarë, zhvilluan homazhe dje tek Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa nderuan të rënët e luftës për pavarësi. Basha u përkul me nderim dhe vendosi kurora me lule përpara memorialit madhështor, që kujton veprën e dëshmorëve të atdheut. Më pas kreu i opozitës uroi qytetarët, ndërsa theksoi se, sakrifica e dëshmorëve nderohet duke u bashkuar për ta bërë Shqipërinë një vend ku kthehen dhe jo largohen shqiptarët.
“Dua t’ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë, të gjithë bashkatdhetarëve Gëzuar 28 Nëntorin!
Ta nderojmë sakrificën e dëshmorëve të kombit, duke u bërë bashkë, duke u bashkuar për ta bërë Shqipërinë një vend ku kthehen dhe jo largohen shqiptarët.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!
Gëzuar 28 Nëntorin!”, uroi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi homazhe dhe pranë bustit të komandatit legjendar, Adem Jashari, ndërsa tha se, heronjtë që vendosin sakrificën në altarin e lirisë dhe pavarësisë, nuk vdesin kurrë në zemrat e një kombi mirënjohës. “Kombi shqiptar bashkohet me 28 Nëntor në festë dhe në kujtesë të sakrificës shumëshekullore për Liri dhe Pavarësi që nga 28 Nëntori i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë me Ismail bej Vlorën.
“Dhe padyshim në këtë varg datash të rëndësishme, për ekzistencën, lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar, ka edhe një 28 Nëntor tjetër për të cilën i falemi Zotit si shqiptar, ditëlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, para sakrificës së të cilit dhe para familjes Jashari përkulemi sot me nderim të thellë, duke kujtuar për veten tonë dhe për brezat që vijnë se heronjtë që vendosin sakrificën sublime në altarin e lirisë dhe pavarësisë, nuk vdesin kurrë në zemrat e një kombi mirënjohës.
Lavdi përjetë Adem Jasharit!
Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit!
Gëzuar 28 Nëntorin!”, u shpreh Basha për mediat.