285 milionë euro për merkaton

Mes Antonio Contes dhe Chelsea-t nuk ka asnjë krizë. Zërat se mes teknikut të “Bluve” të Londrës dhe numrit një të klubit anglez, Roman Abramovich ka patur një përplasje për shkak të mesazhit të dërguar në drejtim të sulmuesit Diego Costa, janë të pavërteta. Aludimet shkuan deri në atë pikë sa u përfol edhe për një largim të mundshëm të Contes nga stoli i kampionëve të Anglisë. Sipas mediave britanike, manjati rus po përgatit një super buxhet prej 285 milionë eurosh për t’i plotësuar teknikut italian dëshirat e tij në lidhje me transferimin e disa futbollistëve të rëndësishëm. Në listën e Antonio Conte-s është mesfushori Marco Verrati, ku në garë për të pasur në dispozicion shërbimet e tij është edhe Barcelona.
Tek ish-skuadra që ai ka drejtuar, dy janë objektivat, për repartin e prapavijës, Alex Sandro dhe Leonardo Bonnuci. Për brazilianin janë ofruar 60 milionë euro, shifër të cilën e ka konfirmuar dhe drejtori i Përgjithshëm i bardhezinjve Beppe Marotta, ndërkohë për Bonuccin, një element shumë i rëndësishëm për Juventusin, por jo i pashitshëm, oferta e bërë është 55 milionë euro. Në listë janë Bakayoko dhe Romelu Lukaku, me këtë të fundit që pritet të zërë vendin e të padëshiruarit Diego Costa.
Askush nuk do ta kishte menduar se pankina e Antonio Contes do të dridhej kaq shumë në fundin e një sezoni që riktheu titullin në “Stamford Bridge”. Tekniku italian i Chelsea-t, fitues, por i kritikuar tashmë dhe nga senatorët e skuadrës që nuk e kapërdinë dot largimin e Diego Costës me vetëm një SMS. Sulmuesi kontrovers i lindur në Brazil, por që militon me kombëtaren spanjolle bëri të ditur se trajneri nuk e do më te “Blutë” e Londrës, por mënyra sesi iu komunikua vendimi ka ngjallur revoltë në dhomat e zhveshjes. Shumë lojtarë flitet sipas shtypit, se kanë diskutuar me drejtuesit mundësinë e shkarkimit të Antonio Contes, një lëvizje e paprecedent edhe për standardet e Chelsea-t dhe manjatit rus Abramovich.
Jose Mourinho dhe Carlo Ancelotti u shkarkuan nga Chelsea pavarësisht suksesit, ndërsa titulli i parë i londinezëve në Champions League nuk ishte i mjaftueshëm për t’i garantuar postin Roberto di Matteos. Conte ka fituar afeksionin e tifozëve, pasi nga një vend i 10 në sezonin paraardhës e bëri Chelsea-n kampion. Duket absurde që situata me Diego Costën të çojë në shkarkim, por kjo dhe ofertat në drejtim të trajnerit, mund të sjellin temperatura të larta në merkaton e kësaj vere.

Exit mobile version