Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do të paguhen deri në vitin 2025, shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro) apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione:
1. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check up) për periudhën 2015-2024, për të cilin buxheti do të shpenzojë gjithsej 7.82 miliardë lekë (57 milionë euro).
2. Ofrimi i shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, materialet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve, dezinfektimin e sallave, për periudhën 2015-2025, me një shumë prej 12.3 miliardë lekësh (90 milionë euro).
3. Ofrimi i shërbimit të dializës për periudhën 2016-2025 për 9.47 miliardë lekë (70 mln euro).
4. Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, për periudhën 2017-2026, për të cilin buxheti do të paguajë 10.7 miliardë lekë (78 mln euro).
Ministria e Mjedisit ka në zbatim dy koncesione me vlerë totale 7.4 miliardë lekë (57 mln euro):
1. Impianti i mbetjeve në Elbasan, për periudhën 2015-2022, me vlerë 3.3 miliardë lekë.
2. Impianti i mbetjeve në Fier, për periudhën 2017-2022, me vlerë 4.1 miliardë lekë.
Ministria e Industrisë dhe Energjisë do të paguajë për 5 vjet, deri më 2019-n, rreth 6.7 miliardë lekë për rimbursimin e rrugëve ekzistuese për HEC-in e Devollit, një nga projektet më të mëdha në Shqipëri.
Ministria e Financave ka të parashikuar të paguajë për 15 vjet, deri më 2029 rreth 13.5 miliardë lekë për koncesionin e shumëdiskutuar të doganave, të cilin e miratoi qeveria paraardhëse, por që nuk u arrit të anulohej. Financat duket se kanë hequr dorë përfundimisht nga koncesioni i TVSH-së, që nuk parashikohet në shpenzimet koncesionare për dekadën e ardhshme.
Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, pohon se ka një problem të madh kushtetues me koncesionet. Qeveria e ka mandatin 4 vjet e nuk ka asnjë të drejtë ekskluzive që të lërë peng për 25–30 vjet apo më shumë, pa pasur konsensus të mjaftueshëm edhe nga të tjerët, në këtë rast opozita, tha ai. “Unë e kuptoj, qeveria është në nevojë dhe sheh koncesionin si zgjidhje, por mendoj gjithashtu se ka një abuzim dhe një teprim me to”, u shpreh ai. Preçi kujton se, me tri faqe biznesplan u mor skanimi i konteinerëve në dogana, nga të cilat 210 mln euro hynë në xhepat e kompanive të huaja, me bashkëpunëtorë shqiptarë.