Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi dje në Parlament lidhjet e forta të Ramës me trafikantët e drogës, ndërsa bëri të ditur me shifra konkrete nivelin alarmant të plantacioneve të drogës të mbjella. Berisha u ndal tek trafiku i drogës, ndërsa reagoi mbi diskriminimin e Ramës në lidhje me mungesën e fondeve në Veri të vendit në Aktin Normativ të buxhetit të këtij viti.
Berisha tha se, vetëm në Kurvelesh janë mbjellë 3.2 milionë rrënjë kanabis, ndërsa tha se tashmë janë trafikantët e drogës, ata që drejtojnë PS.
“Ky është buxheti i ndëshkimit të Veriut. Vazhdon urrejtja dhe diskriminimi total i Veriut në fonde. Pse? Sepse për Ramën, Veriu është Mark Frroku, Arben Frroku, Ymer Lala, Armand Prenga, këta janë kapitenët e Veriut, një zonë e përbërë nga kriminelë dhe që mund të qeveriset vetëm nga kriminelë.
Shkoni pyesni Ulsiun se si ja hoqi kandidatin Ymeri. A e kuptoni që PS është bërë partia e kriminelëve. Ju do ta pësoni të parët nga kjo. A e hoqët kandidatin e PS në Dibër, që ishte drejtor i Tatimeve? Edhe këtë e mohoni? Vazhdoni pra. 100 mijë rrënjë kanabisi i ka mbjellë në Selishtë, po kaq ka Bardhok Planaj në buzë të liqenit Vaut të Dejës. Ju s’keni sy të shihni kanabisin se jua ka zënë kanabisi sytë, i keni parcelat tuaja ato ndaj bërtisni.
Kam parë shumë herë përpjekje qesharake për t’a mbuluar diellin me shoshë, por të gjitha kanë dështuar. Edhe tani përpiqeni ta mbuloni, por nga ajri është filmuar çdo gjë. Vetëm Kurveleshi ka 3.2 milionë rrënjë. Ajo që patë në Poçem, ku vetëm sipas të dhënave tuaja aty ishin 45 mijë. Poçemi pëllëmbë për pëllëmbë është mbushur. Hajdeni shkojmë në Nivicë, në Kuç, në Salari, kudo. Ju garantoj se po kaq ka në zonën e Beratit e të Skraparit e në zona të tjera. Ju e keni mbyt Shqipërinë me kanabis. Atyre qytetarëve që thonë se çtë keqe ka, unë u them se s’ka gjëmë më të madhe për vendin se sa kjo.
Sepse kjo është velloja e krimit që po mbulon Shqipërinë, kjo është velloja më e zezë, kjo është e diktaturës së krimit, pasojat e të cilës do të jenë katastrofale, do të jetë penalizimi i Shqipërisë, narkotizimi i të rinjve shqiptarë, do të jetë përdorimi masiv i saj. Sivjet janë prerë plantacione arrash për të mbjellë kanabis, vitet e tjera do të priten plantacione të tëra drurësh frutorë për të mbjellë kanabis. Shkoni në Dukagjin, shkoni në Alpe, atje ku s’ja u pret mëndja, Stan i poshtëm apo Pribujan, ku absolutisht pa helikopter nuk shkon dot, çka do të thotë se i keni çuar me helikopter. Vazhdoni qeshni se ju jeni të gjithë brenda, keni parcelat tuaja”, u shpreh Berisha.
Çfarë interesash kanabiste ka Niko Peleshi në Pukë?
Berisha paralajmëroi dje zv/kryeministrin Niko Peleshi për zbardhjen e të dhënave mbi plantacionet e drogës që ai ka mbjellë në zonën e Pukës. Berisha replikoi dje me Peleshin në lidhje me skandalin e maturantëve, aferat e qeverisë si dhe trafikun masiv të drogës në vend.
“Së pari, për universitetin mund të them se nuk ka akt më çinik se sa të dalësh e të mashtrosh ata që u ke shkatërruar ëndrrën. Të përdorësh statistika mashtrimi, ndërkohë që vetëm nga rrethi i Fierit janë vetëm 2% e maturantëve që kanë gjetur të hapura dyert e universiteteve publike të Shqipërisë. Ju i mbyllët pranimet në mënyrë që t’i nisni drejt sektorit privat, ku ju merrni për çdo student 40% të tarifës, por ky është një krim i shëmtuar dhe ne si Parlament s’duhet ta pranojmë kurrë këtë. Fole dhe the se nuk ka rëndësi kush e bën tenderin. Ka rëndësi shumë të madhe në fakt se kush bën tenderin, se ka rëndësi vjedh apo nuk vjedh paratë e tenderit. A e dini se kush është një nga super vjedhësit e rinj pas Besnikut të Partisë dhe Ardian Çelës, ai quhet Arben Dervishi. Po ju jap vetëm një shembull. Ndërtuesi ka një studio dhe e shoqja është sekretare e përgjithshme e një institucioni, dhe Arben Dervishi fiton konsulencën, ja firmos zonja Dervishi fitoren. Dhe sa i paguhet ora? 2000 euro e kishte orën ajo arkitektja e madhe e shquar, ndërsa Arben Dervishi e ka orën 8000 euro. A mund të ndodhë kështu? Ju vidhni dhe vetëm vidhni. Pra, nuk ka rëndësi se vjedhin, rëndësi ka e bëjnë tendera.
Ju fola qëparë për Transparency International. Një nga portalet e ka kapur. A e dini që për Transparençy nuk ekziston fjala kanabis? Shqipëria është bërë Kolumbia e Europës, ndërsa për Transparency e kontrolluar nga kryespekulanti i botës Xhorxh Soros, i cili ka një lidhje patologjike me Edi Ramën, nuk ekziston në Shqipëri. Mjafton kjo për të treguar se në ç’ditë të zeza ka rënë kjo organizatë, që dikur ishte nga më prestigjiozet. Fole për diskriminim. Ti o i diskriminuar, kur ke qenë kryetar bashkie, ke përfituar nga ajo qeveri 37 mln euro për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza, e garantuar nga qeveria ime 100%. Rruga Korçë-Qafë Plloçë është nga rrugët e para të përfunduara nga qeveria e mëparshme, ndërsa t’i thua se e keni ndërtuar ju. Dëgjojeni o qytetarë të Korçës se çfarë thotë ky. Do të të japë listën e shkollave të mesme të ndërtuara në Korçë? Do të të japë ndërtesat e Korpusit të Universitetit të ndërtuara në Korçë? Apo fondet që morëm nga Këshilli i Europës dhe t’i sollëm ty aty?
Një pyetje kam. Çfarë interesash kanabiste ke në Pukë? Absolutisht do t’i hetoj gjer në 1. Tre janë emrat që dalin në të gjitha përgjimet e agjencive të huaja për kanabisin: Rama, Tahiri dhe Peleshi. Qeshni, qeshni, unë fare mirë mund të them del kushërira, por nuk del. Fare mirë mund të them që del ky tjetri, por nuk del. Qenka Korça pa kanabis? Nuk dini ç’thonë ata të Qatomit, që na kanë marrë ujin e pijshëm për të vaditur kanabisin e s’na lënë për të pirë ujë. Pse të ma thonë mua, le të ta thonë ty. Ua keni marrë ujin për kanabis. Tre emra që kanë dalë në të gjitha përgjimet e agjencive të huaja. (Ulsi Manja flet nga vendi) Edhe ti Ulsi, i more leje Ymerit që erdhe këtu. Absolutisht mandatin tënd do ta marrë Ymer Lala. Ty të kanë përzënë nga fushata se s’të do ai ty. Shko dil në televizor me të, pse nuk del dot? Se Ymeri i ka thënë atij kandidatit: “dëgjo këtu t’i çuni i Qemalit, po e pashë më këtu atë deputetin të sikterisa”. Pra, tre janë emrat që rezultojnë në të gjitha telefonatat, Rama, Tahiri dhe Peleshi, ky ka ndërtuar në Korçë kullën falike, kullën e turpit”.
A.Shahini