3 blerje dhe ndryshim të skemës

Ernesto Valverde do të zyrtarizohet si trajner i Barcelonës ditën e hënë, kur do të firmosë për një kontratë 2-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër. Dy ditë më parë, ai ndërpreu edhe marrëdhënien me klubin e Atletik Bilbaos, të cilin e drejtoi deri në fund të këtij edicioni.
Gjithsesi, prej disa kohësh, 50-vjeçari ka nisur të mendojë edhe planin për drejtimin e katalanasve. Në bisedën që ka pasur me drejtuesit, tekniku u ka bërë të ditur se cilat janë pozicionet që kërkon përforcim, pasi ka në plan që të ndryshojë edhe rreshtimin e skuadrës në fushë.
Valverde konsiderohet si një “mjeshtër” i modulit 4-2-3-1, pasi e ka aplikuar pothuajse gjatë gjithë karrierës. Ai ka vendosur që të njëjtën filozofi të implemtojë edhe te Barcelona, duke përfituar edhe prej faktit që ka në dispozicion jo vetëm një finalizues të shkëlqyer si Suarez, por edhe mbështetës ideal si Nejmar e Mesi. Sipas tij, kjo skemë i jep ekipit më tepër stabilitet se sa ajo 4-3-3.
Së pari, ai do një mbrojtës të djathtë dhe i përzgjedhuri është Hektor Bejerin i Arsenalit. Barcelona do të paguajë mbi 30 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij. Së dyti, kërkohet një mesfushor që të organizojë lojën dhe të luajë në qendër të mesfushës së bashku me Busketsin.
Pasi kanë pasur vështirësi që të arrijnë te Marko Verrati, vetë Valverde u ka kërkuar që të marrin patjetër Herrerën e Mançester Junajtid, të cilin e njeh mirë edhe personalisht. Më tej, nevojitet edhe një lojtar që të bëjë diferencën në krah dhe duket se kanë vendosur që të “hapin thesin” për Kutinjon e Liverpulit. Edhe vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të veshur fanellën e katalanasve, duke qenë një skenar i besueshëm.

Artikulli paraprakRevolucion tek Manchester City
Artikulli tjetërVinicius vendos rekord