Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Lezhë. Tre kushërinj, dy të moshës 11-vjeç dhe një 10-vjeç kanë ndezur zetorin e gjyshit të tyre dhe pasi kanë ecur disa metra kanë humbur kontrollin e mjetit, duke përfunduar në kanal. Për pasojë, fëmija 10-vjeçar me iniciale N.N ka humbur jetën. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:10, në Grykë Zezë, në vendin e quajtur “ish-Frutoria”.
Të vegjëlit e kanë marrë mjetin pranë banesës së gjyshit, ku ndodhej i fikur dhe e kanë ndezur vetë. Mjeti, sipas policisë, drejtohej nga 11-vjeçari A.Ll dhe pasi kanë arritur të përshkojnë rreth 700-800 metra, kanë dalë nga rruga duke rënë në një kanal me ujë, që i ka kushtuar dhe jetën 10-vjeçarit. Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë po kryejnë veprimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike.