3 goditje të mëdha

Revolucion në radhët e Interit. Zikaltërit po planifikojnë transferimin e tri emrave të rëndësishëm për të përforcuar skuadrën në sezonin e ardhshëm. Radja Nainggolan, Arda Turan dhe Fabinho, këta janë futbollistët që janë vendosur në qendër të vëmendjes, me të cilët kanë nisur dhe kontaktet e para. Pavarësisht se presidenca zikaltër ende nuk ka vendosur se sa do të jetë vlera e buxhetit që do të vihet në dispozicion për merkaton, nisur nga objektivat pritet të jetë e madhe. Mesfushori i Romës Nainggolan është një nga dëshirat. Për belgun pritet një garë e ashpër pasi në ndjekje të tij janë edhe disa skuadra nga Premier League.
Alternativë tjetër për repartin e mesfushës është edhe Fabinho i Monacos. Ende nuk ka asgjë konkrete mes palëve, pasi janë ende në fazën e bisedimeve, por nëse arrihet marrëveshja për të dy këta futbollistë, atëherë Interi do të largojë nga radhët e skuadrës treshen, Kondogbia, Banega dhe Brozoviç. Arda Turan nuk po arrin dot të përshtatet me futbollin e Barcelonës, ndoshta për turkun ky është sezoni i tij i fundit me fanellën blaugrana. Vlera e kartonit të tij është 20 milionë euro, shifër e vogël kjo duke patur parasysh aftësitë që ka futbollisti. Transferimi i Turan në Milano duket një nga më të realizueshmit. Emrat nuk mungojnë, bashkë me ta edhe financat për t’i transferuar. Interi i së ardhmes është duke marrë formë.
Interi sërish ka rikthyer interesimin për mesfushorin e Wolfsburgu, Luiz Gustavo. Sipas të përditshmes sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, Interi po mendon sërish që ta transferojë mesfushorin brazilian, Luiz Gustavo nga Wolfsburgu.
Nerazzurrët nuk do të shpenzojnë shumë para për transferimin e ish-anëtarit të Bayern Munichut, pasi në verën e ardhshme do t’i skadojë kontrata me ekipin gjerman. Interi edhe më herët kishte shfaqur interesim për brazilianin, por kishte dështuar ta transferojë në “San Siro”.
Sipas Football Italia, Interi po synon ta transferojë qendërmbrojtësin e Benficas, Victor Lindelof gjatë verës. Thuhet se nerazzurrët janë të gatshëm ta paguajnë klauzolën e suedezit, e cila ka vlerën prej 60 milionë eurove. Për Lindelof interesim ka shfaqur edhe Manchester United, por këta të fundit për reprezentuesin e Suedisë kanë ofruar vetëm 45 milionë euro.

Exit mobile version