3 gola për 5 minuta

Totenhemi i thotë lamtumirë Ligës së Kampioneve. Humbja 2-1 ndaj Monakos i nxjerr londinezët jashtë Grupit E dhe përballja e fundit ndaj CSKA-së së Moskës do të jetë vetëm për të përcaktuar ekipin që do ta vijojë rrugëtimin në Ligën e Europës. Në stadiumin “Luigji II” gjithçka u vendos në pjesën e dytë, pasi Hugo Loris i kishte pritur një penallti Falkaos në të parën. Sidibe kaloi përpara të zotët e shtëpisë tri minuta pas pushimit, Herri Kejn barazoi në të 52-n, por në aksionin pasardhës Lamar vulosi rezultatin që qëndroi në fuqi deri në fund. Me këtë sukses Monako kualifikohet si kryesuese me 11 pikë, e ndjekur nga Leverkuseni me 4 më pak.
Edhe Reali i Madridit e Juventus siguruan kalimin për në raundin tjetër të UEFA Champions League, pavarësisht se nuk patën një mbrëmje të thjeshtë. Los Blancos fituan jo pa vështirësi ndaj Sportingut në transfertë me rezultatin 2-1, ku golit të Varane në pjesën e parë ju përgjigj Adrien Silva në të 80-tën, por Benzema mundi t’i japë fitoren të tijve duke mbajtur të hapur dhe garën për vendin e parë. Në sfidën tjetër të grupit, Borussia e Dortmundit regjistroi një fitore të pabesueshme ndaj Legias së Varshavës, teksa triumfoi 8-4 në shtëpi, duke barazuar rekordin e ndeshjes me më shumë gola në Champions. Reus realizoi një 3 golësh, ndërsa Kagawa shënoi dy herë në këtë sukses, ndërsa për miqtë shënoi dy herë Prijoviç.
Juventus arriti të marrë vetëm në fund kualifikimin pasi mundi 3-1 në transfertë Sevijën duke përmbysur madje rezultatin në ndeshjen më të rëndësishme të Grupit H. Bardhezinjtë u ndëshkuan mjaft shpejt nga Pareja, që kaloi në epërsi andaluzianët në minutën e 9-të, por dalja me të kuq e Vazquez ndihmoi torinezët që barazuan në fundin e pjesës së parë me Marchision, ndërsa 6 minuta para fundit Bonucci shënoi dhe golin e epërsisë, kurse vulën takimit  ja vuri Mandzukiç me finalizimin e tij, që kualifikoi në raundin tjetër skuadrën e Allegrit, pavarësisht fitores 1-0 të Lionit në transfertë me Dinamon e Zagrebit.
Në Grupin G, Leicester pësoi golin e parë, por gjithsesi mundi të fitojë 2-1 me Clubb Brugge, duke siguruar dhe vendin e parë në grup. Golat për kampionët e Anglisë u shënuan nga Okazaki dhe Mahrez, ndërsa për miqtë realizoi Izqueirdo, ndërsa Porto shtyu gjithçka për sfidën e fundit në grup pasi barazoi 0-0 në Kopenhagen. Bajer Leverkusen arriti të marrë kualifikimin në fazën tjetër, pasi barazoi 1-1 me CSKA e Moskës. Aspirinat shënuan të parët me anë të Kevin Volland, ndërsa në pjesën e dytë Natcho barazoi rezultatin me penallti.

Exit mobile version