3 mijë familje të bllokuara në Mat, apel për ndihmë!

Më shumë se 3 mijë banorë kanë ngelur të izoluar në zonën e Matit për shkak të motit të keq që ka përfshirë mbarë vendin. Mësohet se aksi Shtjefën-Macukull është bllokuar, pasi ka pasur rrëshkitje dherash. Të gjendur përballë këtyre vështirësive, banorët bëjnë apel që të ndërhyjnë Forcat e Emergjencës Civile.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Burrel dhe Mirditë, ku tek kjo e fundit është dëmtuar unaza e qytetit pas prurjeve të lumit Zmea. Sipas të dhënave, mësohet se unaza është nxjerrë jashtë funksionit.
Ndërkohë, helikopteri “Cougar” i Forcave të Armatosura ka qëndruar 45 minuta në ajër mbi shtëpinë e familjes Gjetani, e cila ishte bllokuar nga përmbytja. Forcat e Ushtrisë në një operacion të vështirë, në kushtet e motit të keq, duke rrezikuar dhe jetën e tyre, u përpoqën të largonin nga banesa të gjithë anëtarët e familjes së Medi Gjetanit, mes tyre edhe një e moshuar 85-vjeçare, por vonesa u bë për nusen e re të shtëpisë dhe foshnjën 5-muajshe.
Burimet bënë të ditur se, shkak për këtë vonesë ishte mosdakordësia e djalit të shtëpisë, i cili nuk pranonte që gruaja e tij  shtatzënë të ngjitej në helikopter bashkë me ushtarët. Po kështu, ai nuk pranonte që ata të shpëtonin as foshnjën e tyre 5-muajshe.
U deshën 45 minuta negociata, që babai të bindej, dhe të lejonte forcat e Ushtrisë të shpëtonin gruan dhe vajzën e tij, ndërkohë që banesa ishte “nën pushtetin” e ujit. E derisa babai u bind, helikopterit të Ushtrisë iu desh të qëndronte 45 minuta në ajër. Por pavarësisht negociatave, djali dhe babai i shtëpisë nuk pranuan të largoheshin me helikopter.

Shkopeti e Ulza hapin portat, përmbytje masive nga lumi Mat
Në Shkopet shkarkimet e ujit kanë nisur herët dhe pse banorët nuk ishin njoftuar më parë. Pasojat u ndjenë menjëherë. Niveli i lumit Mat u rrit ndjeshëm dhe uji doli në sipërfaqe të rrugëve. Si pasojë niveli i lumit Mat është rritur ndjeshëm. Duke marrë shkas nga intensiteti i lartë i reshjeve të shiut, janë rritur shkarkimet nga HEC-i i Shkopetit. Mësohet se shkarkimet nga HEC-i kanë kaluar në 3 mijë m/kub në sekondë. Si pasojë e hapjes së portave janë përmbytur disa banesa në Shkopet dhe në Skuraj si dhe në fshatin Myz, njësia Administrative Lis.
Ndërkohë rruga Burrel-Milot është bllokuar për shkak të prurjeve të lumit Mat. Në disa vende uji ka mbuluar asfaltin. Qindra automjete përfshirë dhe autobusët mbeten të bllokuara në trafik për disa orë. Po kështu, fshatra të tërë janë nën pushtetin e ujit në Milot, Laç, Lezhë, Mamurras, Fushë-Krujë.
Prurjet nga hapja e portave të Shkopetit e Ulzës janë shumë të mëdha. Niveli i shkarkimeve pritet të jetë 3 mijë metra kub ujë. Argjinatura e lumit Mat nuk paraqet problematikë, por frika e përmbytjeve është tepër e madhe për shkak të prurjeve të mëdha të ujit. Problem në Zejmen, dalja nga shtrati e kanalit të ujërave ka përmbytur qindra ha tokë dhe dhjetëra banesa janë përmbytur nën ujë.

Banorët e Matit në mëshirë të fatit
Deputetja e PD, Dhurata Çupi u shpreh dje se, Rama duhet të lërë hipokrizinë dhe të nxjerrë trupat në terren të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Çupi foli edhe për historinë dramatike të familjes Xhetani. “Dua të falenderoj fillimisht pilotët që shpëtuan sot familjen e Medi Xhetanit, e cila prej orësh ishte në mëshirë të fatit. Në mënyrë intensive kam komunikuar sot, duke i kërkuar ministres së Mbrojtjes të ndërhynte për të ndihmuar këtë familje. Teksa orët kalonin e situata përkeqësohej, falë ekranit të “News24” pata mundësinë që ta bëj apelin publikisht dhe vetëm atëherë u reagua.
Ndaj i them Edi Ramës, lëre hipokrizinë dhe propagandën, por urdhëro strukturat shtetërore të dalin në terren dhe të ndihmojnë njerëzit se janë në pikë të hallit. Të ndihmojnë qytetarët edhe kur ia kërkojnë deputetët e opozitës, e jo vetëm kur detyrohemi të denoncojmë përmes medias. I duhej një foto Edi Ramës për FB dhe mirë bëri, por do ishte e ndershme që të kujtohej edhe për të ngushëlluar 3 familjet që humbën familjarët e tyre”, deklaroi deputetja Çupi.

Rrugët e bllokuara në të gjithë vendin
Si pasojë e reshjeve mjaft rrugë janë bllokuar në të gjithë vendin. Ministria e Transportit ka njoftuar mbi kalueshmërinë e rrugëve në Shqipëri, pas situatës së reshjeve të shumta në vendin tonë.
Ja rrugët problematike:
Tiranë – Durrës, ka probleme qarkullimi si pasojë e reshjeve. Firma kontraktore është angazhuar dhe po punon në zonën e përmbytjes me mjete dhe forca punëtore. Janë angazhuar 6 fadroma.
Zona e Fushë Krujës, nga prurjet e shumta të përrenjve ka prani të madhe të ujit në rrugë. Eskatavor dhe fadromë dhe fuqi punëtore të shtuar.
Aksi Shkodër – Qafë Qele, ku ka një shembje, e cila po agravon nga rreshjet e shiut në rrëshkitjen e ndodhur disa muaj më parë.
Tek Harku i Bërdicës në aksin Shkodër-Lezhë, ka prani uji rreth 20 cm, si pasojë e hapjes së portave të Hidrocentralit.
Aksi Bajram Curri – Valbonë, është i bllokuar si pasojë e rreshjeve të dendura. Firma kontraktore, po punon me mjete e forca për hapjen e saj.
Në të gjitha akset e Qarkut të Dibrës dhe të Kukësit, ka prani të gurëve dhe dherave në rrugë, por që po pastrohen nga kontraktorët e akseve.
Në aksin Kukës – Qafë Shllak, ku ndodhi rreshkitja para një muaji, në km 4 nga autostrada e “Kombit”, situata po agravohet si pasojë e rreshjeve. Për momentin rruga është e kalueshme vetëm për mjetet e vogla.
Në aksin K. Hadroj – Qafë Bene, situata është problematike për shkak të rënies së gurëve, sidomos në Shkozë dhe tek Tuneli i Gjegjanit. Të gjithë kontraktorët po punojnë me mjete si ekskavatorë, fadroma, miniekskavatorë dhe fuqi punëtore të shtuar në të gjitha zonat problematike.

R.POLISI

Artikulli paraprakPërmbytet autostrada Tiranë-Durrës, kanalet kulluese u mbyllën për palmat
Artikulli tjetërLezha drejt katastrofës, çahen argjinaturat në Rrilë dhe Tale