3 milion euro nga tarifat e studentëve për të rrahur studentët!…

Nga Boldnews.al

Dy kompanitë e sigurisë private të zyrtarit të lartë të Partisë Socialiste, Safet Gjici, të cilat kanë marrë përsipër “detyrën e rëndësishme” për të nxjerrë me forcën e dhunës studentët protestues nga auditorët e universiteteve të Tiranës, kanë përfituar rreth 3 milion euro pikërisht nga tarifat e tyre.
Gjatë periudhës 2015-2018, “Eurogjici” shpk dhe “Toni Security” shpk janë paguar në total 379 milionë lekë të reja për të siguruar ambjentet dhe godinave të tre universiteteve kryesore në Tiranë-Universitetin Politeknik; Universitetin Bujqësor, Kamëz, si edhe Universitëtin e Tiranës.
Kompania “Eurogjici”, e krijuar në vitin 2005, administrohet nga Safet Gjici, ish-prefekt i Kukësit, i zgjedhur nga kryeministri Edi Rama, si edhe ish-kandidat për kryetar të Bashkisë Kamëz në zgjedhjet e vitit 2015, i propozuar nga Partia Socialiste.
Sipas të dhënave të publikuara në portalin informativ “Opendata.al”, kompania “Eurogjici” e Safet Gjicit, gjatë periudhës 2015-2018, ka siguruar me roje private Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Politeknik. Për këto shërbime, “Eurogjici” shpk ka përfituar në total 130 milionë lekë të reja.
Gjithashtu, një tjetër kompani, e cila është nën kontrollin e tij në mënyrë informale, “Toni Security”, për periudhën 2015-2018, ka siguruar me roje private Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik dhe Universitetin Bujqësor, duke arkëtuar në total nga këto kontrata rreth 250 milionë lekë të reja.

“Toni Security”, e krijuar në vitin 2009, sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk është në pronësi të Safet Gjicit. Por, disa elementë formal të tij krijojnë bindjen se pas kësaj kompanie është zyrtari socialist, Safet Gjici.
“Eurogjici” shpk dhe “Toni Security” shpk gjenden në të njëjtën adresë, konkretisht në “Njësia bashkiake nr.5, rr. Lidhja e Prizrenit, Pallati 10/1, kati i parë.
Po ashtu, deri në vitin qershor të vitit 2015, kompania “Toni Security” ka pasur të njëjtën adresë së postës elektronike për zyrën e financës (financaeurogjici@gmail.com), fakt që konfirmon plotësisht se “Eurogjici” dhe “Toni Security” administrohen nga i njëjti person.
Punonjësit e kompanive të socialistit Safet Gjici janë përfshirë ditët e fundit në përplasje fizike me studentët, të cilët janë duke protestuar kundër shurdhërisë së qeverisë socialiste të Edi Ramës, lidhur me kërkesat e tyre.
Pas disa javësh protestë në rrugët kryesore të Tiranës, një numër i lartë studentësh kanë zgjedhur që të përshkallëzojnë veprimet e tyre, duke bllokuar auditoret e fakulteteve të Drejtësisë, Ekonomikut e Filologjikut, ndërkohë që veprime të ngjashme kanë ndodhur edhe në Universitetin Bujqësor dhe në Universitetin e Mjekësisë.
Përballë kësaj situate, rojet private të “Eurogjici” dhe Toni Security” kanë tentuar të zhbllokojnë auditoret dhe korridoret e fakulteve, duke u konfliktuar me studentët protestues. Rojet private, të cilët veprojnë në bazë të urdhërave të eprorëve të tyre, për disa ditë rresht kanë tentuar të ndërhyjnë gjatë mesit të natës, kohë kur mediat nuk kanë mundësi të ndjekin zhvillimet në universitete.

1 16

 

Exit mobile version