Elbasani është një ndër qarqet me nivelin më të lartë të kriminalitetit sa i përket vrasjeve mafioze dhe trafikut të drogës dhe duket se kjo nuk ndodh rastësisht.
Mpleksja e oficerëve të lartë të policisë me elementë kriminalë duket se ia ka dorëzuar qytetin bandave duke prerë në besë qytetarët, të cilëve tashmë iu duket vetja sikur janë banorë të ndonjë qyteti meksikan ku lufta mes karteleve të drogës bëhet hapur në mes të ditës, ku palë është edhe policia.
Vera e vitit të shkuar ishte një ndër më të “nxehtat” në këtë qytet, ku brenda pak muajsh, për shkak të luftës me grupeve të trafikut të drogës u vranë një numër i madh personash. Prokuroria dhe SHÇBA dyshojnë se të paktën në dy prej vrasjeve të bujshme ishin përfshirë oficerë të lartë në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, për të cilët tashmë është faktuar nga prokuroria se dhanë informacione për lëvizjet e objektivave.
Bëhet fjalë pikërisht për ekzekutimin e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runajt në korrik të vitit të shkuar, ku prokuroria gjeti fakte sipas të cilave tre oficerë policie morën pagesa deri 100 milion lekë për të gjurmuar dhe sinjalizuar vrasësit në lidhje me lëvizjet e të rinjve.
Sipas prokurorisë, policët me detyra të larta ndiqnin Ramazanin dhe Runajt, të cilët dyshoheshin se kishin lidhje me një grup trafikantësh droge dhe të dhënat për lëvizjet e tyre ia jepnin grupit rival.
Në gusht të 2020-ës, policia arrestoi dy të rinj nga Elbasani, Xhuljano Hoxha dhe Eugen Halili, si autorë të dyshuar të vrasjes së Emiljano Ramazanit, si dhe të Regis Runajt.
Pas zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe marrjes së dëshmive të të arrestuarve, prokuroria zbuloi pikërisht se ishin të dhënat e marra nga policët për lëvizjet e Ramazanit dhe Runajt që ndihmuan autorët për ekzekutimin e tyre.
ABC raportoi në atë kohë se çështja u mor në dorë ngë SHÇBA dhe tre oficerët e lartë të policisë, tashmë në rolin e informatorëve të trafikantëve, u transferuan në drejtori të tjera të policisë.
Gjithçka u zbulua në mars, ndërsa sëfundmi abcnews.al mëson se “shefat” janë treguar zemërgjerë ndaj tre vartësve që morën 100 milion lekë për t’i dorëzuar vrasësve Ramazanin dhe Runajn.
Policia e Elbasanit duhet të vërtetojë tashmë nëse i shërben qytetarëve apo bandave duke i treguar opinionit publik se çfarë ka ndodhur me tre oficerët e policisë që u përfshinë në një skenar mafioz për eliminimin e dy të rinjve.
A janë përjashtuar apo ata vijojnë të mbajnë uniformë pavarësisht se prokuroria ka vërtetuar përfshirjën në ngjarje të bujshme kriminale? (ABC News)