3 pikat e letrës së Komisionerit Hahn që rrëzuan draftin e Ramës

Komisioneri Hahn i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të opozitës Basha, në të cilën shpreh qëndrimin zyrtar të Brukselit në lidhje me rolin e vëzhguesve në procesin e vetingut: Roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) duhet të bazohet në Kushtetutën aktuale. Rikonfirmoj se sikurse është bërë e ditur në diskutimet e mëparshme, ONM do të ofrojë vetëm rekomandime, të cilat do të jenë të shoqëruar me arsyetimin përkatës i cili duhet të bazohet në ligjet e vendit.
Letra e Zotit Hahn është e shkurtër dhe nuk lë më dyshime për një nga çështjet më të debatuara të reformës. Praktikisht, qëndrimi zyrtar i BE-së do të thotë: Vëzhguesit e huaj do të bëjnë vetëm rekomandime;  Vëzhguesit e huaj duhet t’i mbështesin rekomandimet e tyre në fakte; Vëzhguesit duhet të konsiderojnë si shkak për rekomandime negative vetëm ato që bien ndesh me ligjet e vendit.
Kryeministri Rama pësoi humbjen e dytë në 10 ditët e fundit. E para ishte propozimi hibrid i zonjës Nuland, e dyta ishte letra e Komisionerit Hahn. Në të dyja rastet u njohën si legjitime pretendimet e opozitës dhe jo të mazhorancës.
Në rastin e parë, për procesin e përzgjedhjes së njerëzve që do të zbatojnë Reformën në Drejtësi, në rastin e dytë për rolin e ndërkombëtarëve vetëm si monitorues dhe jo si vendimmarrës.
Qëndrimi i Bashkimit Europian për rolin e monitoruesve, i shprehur në një nivel shumë të lartë sikurse është ai i një Komisioneri, përmblidhet në tre pika: Vëzhguesit e huaj do të bëjnë vetëm rekomandime; Vëzhguesit e huaj duhet t’i mbështesin rekomandimet e tyre në fakte; Vëzhguesit duhet të konsiderojnë si shkak për rekomandime negative vetëm ato që bien ndesh me ligjet e vendit.
Me fjalë të thjeshta, të huajt nuk kanë të drejtë të marrin vendime. As më shumë e as më pak nga sa kishte kërkuar opozita.
Pas 10 ditë të tëra bisedimesh, teksa Kryeministri deklaronte se nuk do të tërhiqej nga kërkesa që vetting-un ta bënin të huajt, pasi u tall me ‘sovranistët’, duke na shpjeguar se sovraniteti i vendit mund të sakrifikohej, Rama shpalli i lumtur humbjen në betejën për reformën sipas modelit të tij.
Besoj është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, të cilët tanimë e kanë marrë lajmin se Partia Demokratike i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë që bashkë me shqiptarët çojnë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë, për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe inkriminuarve që mban peng drejtësinë në këtë vend. Është kënaqësi të ndaj me ju tekstin e mesazhit që unë kryetari i Kuvendit dhe kryetari i opozitës kemi marrë nga BE nëpërmjet komisionerit Hahn”, tha Rama.
Kjo deklaratë e kalon kufirin e hipokrizisë. Më së paku është mashtrim.
Në qoftë se opozita ka insistuar në një pikë dhe kjo pikë është njohur ndërkombëtarisht si një e drejtë legjitime, ky nuk është nënshtrim.
Ndërsa ‘kënaqësia’ e Ramës duket shumë e hidhur. Duket si kënaqësia e atij që del i gjallë nga beteja, ndonëse i shpartalluar.

Letra e Hahn drejtuar Bashës Ramës dhe Metës

Siç u konfirmua pak pas publikimit të kësaj letre, pikat e kontestuara nga opozita janë pranuar nga Bashkimi Europian dhe SHBA, duke i hapur kështu dritën jeshile miratimit të Reformës në Drejtësi, në seancën plenare të enjtës. “Në vijimësi të telefonatave respektive me të tre ju, dje dhe sot, dua të theksoj pikat e të ashtuquajturit “propozim hibrid” që është në tavolinë. Këto pika janë vija e kuqe e komunitetit ndërkombëtar, siç kemi theksuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë procesit. E para, roli i Operacionit Ndërkombëtar Monitorues (ONM) duhet të ketë një bazë solide brenda në Kushtetutë. Së dyti, e rikonfirmoj, ashtu siç jemi shprehur edhe gjatë diskutimeve se, ONM do të japë vetëm rekomandime, të cilat nuk janë të detyrueshme ligjërisht. Megjithatë, këto rekomandime do të përfshijnë një arsyetim në të cilin pozita e mbajtur do të shpjegohet në bazë të kritereve të përcaktuar në legjislacion. Kam besim se mund të vijojmë me këto terma. Siç diskutuam, ju lutem konfirmojeni këtë sa më shpejt duke i kthyer përgjigje këtij mesazhi, që vota në Parlament të mbahet të enjten” shkruan Hahn në letrën drejtuar liderëve politikë në Shqipëri.

Arben Shahini

Exit mobile version