Xhahilët e Saimir Tahirit kanë dhunuar barbarisht në 24 orët e fundit 3 qytetarë, që nuk kishin asnjë problem me ligjin. Në mes të Korçës, dy banditë me uniformë Buis Hysi dhe Alfred Nomani rrahin brutalisht një djalë të ri në punën e tij, e torturojnë më pas dhe në qeli, dhe për këtë maskarallëk kanë pëlqimin e drejtorit të Policisë në Korçë, Ajet Zyberi, subjekt i sigurtë i ligjit për dekrimanilizimin. Këta xhahilë me duart me gjak, vazhdojnë detyrën dhe kanë imunitet, sepse kontrollojnë trafikun e drogës, në emër të Saimir Tahirit. Në Tiranë, një biznesmen i njohur, dhunohet bashkë me të birin 20-vjeçar, për një gjobë të papaguar makine, edhe pse tregojnë vullnet për ta shlyer detyrimin e për të dorëzuar dhe makinën. Biznesmeni Bamllari ka denoncuar urdhëruesin e dhunës, Gerald Baka. Shenjat e dhunës në fytyrën dhe trupin e këtyre 3 qytetarëve, janë shenjat e sundimit të bandës së Tahirit, që nderon, respekton dhe i lëpihet Shullazit, dhe thyen brinjët e atyre që shohin punën e vet dhe skanë asnjë problem me ligjin. Xhahilët që kanë ngritur dorën ndaj qytetarëve, kanë emër mbiemër dhe do ta paguajnë para ligjit këtë që kanë bërë. Me shumë përgjegjës është sot shefi i tyre Tahiri që ska marrë asnjë veprim ndaj tyre. Përgjegjës që do të mbajë përgjegjësi nesër. I kërkoj prokurorisë të reagojë menjëherë për këto raste, të hetojë me shpejtësi e të çojë në gjykatë autorët. Secili nga ne është i dhunuar, nëse një dhunë si kjo lejohet. Nëse nuk ka reagim nga Prokuroria, ajo bëhet pjesë e rrahjes brutale, e pastaj popullit e qytetarëve nuk i ngelet tjetër vetëm t’i bëjë vetë llogaritë e të marrë vetë masat për të vënë drejtësi.