3 të vdekur e 20 të plagosur në një ditë nga aksidentet

Gati një bilanc lufte ishte ky i djeshmi në Shqipëri. Në harkun kohor të 12 orëve kanë ndodhur disa aksidente në rrugët e vendit dhe për pasojë kanë vdekur 3 persona dhe janë plagosur 20 të tjerë. Në hyrje të qytetit të Shkodrës një automjet ka përplasur një të moshuar, e cila ndodhet në gjendje kritike për jetën. Tre të plagosur në gjendje të rëndë nga një tjetër aksident në Beltojë, në rrugën Shkodër-Tiranë, ku janë përplasur me njëra-tjetrën dy automjete.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Peqin-Rrogozhinë. Makina është përplasur me një kamion. Viktima është një 25-vjeçar, shoferi i automjetit tip ‘Fiat’ që u nda më dysh pas përplasjes me kamionin.
Pranë fshatit Xibrakë, në rrugën Elbasan-Librazhd, dje pasdite janë përplasur 2 automjete dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 7 persona. Në gjendje të rëndë raportohet të jetë një vajzë 12 vjeçe. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Elbasanit. Disa automjete janë përplasur mes tyre e për pasojë kanë mbetur të lënduar rëndë tre persona e 4 të tjerë më lehtë. Sipas dëshmitarëve okularë, fillimisht janë përplasur dy automjete me targa të huaja dhe më pas edhe automjete të tjerë që udhëtonin në këtë aks rrugor. Përplasja ballore ka bllokuar rrugën e për pasojë është krijuar varg i gjatë me automjete në të dy kahet.
Po në Elbasan dje pasdite ka ndodhur një tjetër aksident, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e 5 të tjerëve. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Kthesa e Urakës” në Qafë Thanë. Nga të dhënat e para mësohet se një automjet ka dalë nga rruga.
Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në një tjetër aksident në aksin Elbasan-Librazhd, pranë vendit të quajtur Qukës. Dy automjete tip “Furgon” që transportonin pasagjerë janë përplasur me njëri-tjetrin.
Në Lushnje, një 76 vjeçar humbi jetën pasi motoçikleta me të cilën udhëtonte u përplas nga rimorkio e një zetori. Bilanci është vërtet tragjik, 20 të plagosur dhe 3 të vdekur brenda një dite të vetme. Policia është duke hetuar çdo rast më vete. Dyshohet se për aksidentet e pasdites, shkak të jetë bërë terreni i rrëshkitshëm nëpër rrugë pas reshjeve të shiut dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet me numrin më të lartë të aksidenteve në Evropë. Arsyet lidhen sa me rrugët jashtë standardeve ashtu edhe shkeljen e normave të qarkullimit.

Exit mobile version