Një fëmijë 3 vjeç nga Berati ka humbur jetën si pasojë e Covid-19. Fëmija, sipas raportimeve, ishte shtruar në Repartin e Pediatrisë së Beratit, ndërsa më pas ishte transportuar me urgjencë drejt QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore.
Nga raportimet mësohet se, fëmija pësoi “komplikacion vaskular”. Ndërkohë raportohet se dy fëmijë të tjerë me Covid-19, 2 dhe 3.5 vjeç janë transportuar sot drejt Tiranës.
Sipas raportimeve, 3-vjeçarja A.P, humbi jetën mëngjesin e djeshëm në Tiranë.
Burime të brendshme të Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat, bëjnë me dije se 3-vjeçarja kishte mbërritur në këtë repart me temperaturë të lartë rreth orës 11:00 të ditës së djelë.
Ajo është trajtuar nga mjeku pediatër me serume dhe antipiretikë, ka kryer analizat e gjakut si dhe i është nështruar edhe tamponit, që ka rezultuar “pozitiv”.
Meqënëse ka rezultuar e prekur me Covid-19 dhe gjendja e saj nuk ishte e rënduar, mjeku e ka shtruar të miturën në Repartin e Infektivit të Pediatrisë. Vetëm disa orë më vonë, e mitura është rënduar në mënyrë të menjëhershme, duke shfaqur komplikacione në rrugët e frymëmarrjes. Sipas mjekëve të pediatrisë, mendohet se fëmija ka pësuar “komplikacion vaskular”.