30% do jenë spiunë me ligj

Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i miratuar në qershor të vitit 2016, hyri në fuqi këtë muaj. Ky ligj ka për qëllim parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në sektorin publik e privat, me anë të të punësuarve brenda këtyre strukturave, të cilët do të raportojnë në rast shkeljesh.
Ligji parashikon që në çdo “organizatë” publike, e papërcaktuar qartë në ligj, por me më shumë se 80 nëpunës dhe në çdo kompani private me më shumë se 100 punonjës, të vendoset një zyrë e quajtur “njësia përgjegjëse”, e ngarkuar për të vëzhguar e më pas raportuar shkeljet nga ana e stafit dhe drejtuesve.
Me hyrjen në fuqi të ligjit, ILDKPKI, institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të ligjit dërgoi pranë çdo biznesi që plotëson kushtet, një shkresë për dorëzimin e strukturës së njësisë përgjegjëse dhe të dhënat e sinjalizuesve të kompanisë.
Në vitin 2016, qeveria e prezantoi këtë nismë si gjetjen e fundit botërore për luftën ndaj korrupsionit. Sipas relacionit bashkëngjitur, projektligji u përgatit në bashkëpunim me të ashtuquajturit “ekspertë ndërkombëtarë”, eksperienca e të cilëve ka qenë një “vlerë e shtuar gjatë përgatitjes”.
Por duket se e vetmja gjë që mund të bëjë ky ligj është krijimi i një klime shantazhi kundrejt sipërmarrësve.
Qëllimi i këtyre “njësive përgjegjëse” do të jetë mbledhja dhe hetimi i çdo sinjalizimi apo dyshimi nga ana e të punësuarve për “çdo veprim ose mosveprim të kundërligjshëm, sipas legjislacionit penal në fuqi në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv e pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave apo marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, mitdhënies/mitmarrjes, si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm me sa më sipër”.
Kjo zyrë do të administrohet nga një ose më shumë punonjës të kompanisë, të përgatitur dhe të përzgjedhur nga shteti- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, të cilët do të edukohen në mënyrë specifike për mbrojtjen e “sinjalizuesve”.
Punonjësi do të paguhet nga kompania dhe do të ketë detyrën të hetojë, të marrë prova dhe dokumente, duke ruajtur burimin e informacionit dhe duke respektuar sekretin shtetëror (!) deri në kalimin e denoncimit në Prokurori, madje duke ruajtur burimin e informacionit nga çdo hakmarrje e mundshme e kolegëve dhe nga punëdhënësi.
Kjo duket se është hileja e vërtetë e ligjit, mbrojtja e “hafijes” që është dhe vetë titulli i ligjit.
Dhe në këtë pikë, ekspertët kanë bërë më të mirën e tyre: ligji parashikon anulimin e çdo akti hakmarrjeje të kompanisë kundër “hafijes”, kundër tij nuk mund të merret masë disiplinore, nuk mund të pushohet nga puna, lëvizet nga pozicioni dhe as nuk mund t’i ulet paga ose privilegjet.
Dhe ligji, nëse mund ta quajmë të tillë, garanton mirëbesimin e sinjalizuesit për aq kohë sa nuk është provuar e kundërta. Sipas ligjit, ai mund të raportojë edhe vetëm dyshime dhe pastaj i takon të akuzuarit të vërtetojë që nuk e ka kryer aktin për të cilën ka dyshuar sinjalizuesi.
Ky është një modifikim tërësor i Kodit Penal, nëpërmjet një ligji të zakonshëm. Është një kryevepër e vërtetë e teknikës legjislative ballkanase që e kalon barrën e provës nga akuzuesi tek i akuzuari.
Marrim një shembull praktik dhe të thjeshtë, sa për të kuptuar efektet e ligjit: një nëpunës i një rrobaqepësie, i cili ka frikë se do të pushohet nga puna për shkak të rendimentit të ulët në punë, kontakton “njësinë përgjegjëse”. Ai deklaron se dyshon që pronari i rrobaqepësisë i ka dhënë ryshfet menaxherit të kompanisë porositëse për të mos pasur kundërshtime mbi cilësinë e prodhimit. Dhe faktikisht, kohët e fundit nuk ka pasur reklamim nga klienti. Për Kodin Penal shqiptar-neni 164 pika “a”, “korrupsioni aktiv në sektorin privat” dënohet me gjobë ose burgim nga tre muaj deri në dy vjet. Kështu, kolegu i “njësisë përgjegjëse” duhet të hetojë punëdhënësin, i cili duhet të provojë që nuk e ka korruptuar klientin.
Vërtetimi i moskryerjes së aktit është qartësisht i pamundur-si mund të provohet që nuk ke bërë diçka, e cila nuk dihet nëse ka ndodhur?
Në një rast si ilustrimi i mësipërm, loja përfundon 3–0 për punonjësin sinjalizues; ndoshta pronari arrin të korruptojë prokurorin, por me gjasa ai do të humbë kontratën e prodhimit për shkak të pakënaqësisë së blerësit që nuk do probleme ligjore. Si rezultat ai do të ulë numrin e punonjësve. Por, i detyruar nga ligji, ai nuk mund të pushojë atë që e shkaktoi këtë dramë, denoncuesin. Sepse, ai nuk mund të pushohet nga puna dhe mund të qëndrojë në kompani, duke mos bërë asgjë për të gjithë jetën e tij.
Gjë që nuk është e sigurtë për kolegun e tij të “njësisë përgjegjëse”, i cili nuk ka të njëjtën mbrojtje. Përkundrazi, në përgjegjësi të punonjësit të njësisë janë parashikuar gjoba në rast të mosfillimit të hetimeve ose pushimit të pajustifikuar të hetimeve nga ana e tij, gjithmonë në bazë të dyshimeve në mirëbesim të denoncuesit.
Ngarkimi i barrës së provës të akuzuarit është një gabim juridik, i cili e largon Shqipërinë nga Europa me të paktën dyqind vjet. Dhe qeveria duhet të dijë se për të gjetur raste të shpërdorimit të detyrës nuk duhen kaq shumë ngatërresa, mjafton një vështrim rrotull ose një lexim i gazetës.
Por problemi nuk është nëse ky gjysmë ligj i shkruar keq do të funksionojë apo jo, kjo është absolutisht e sigurtë: ligji nuk do të prodhojë asgjë më shumë se dëmtime, sherre, shkatërrime sociale dhe ekonomike, shpenzime të shtuara për kompanitë, terror, frikë, ankth dhe ndjenjë persekutimi.
Dhe ndoshta është pikërisht ky qëllimi i vërtetë: terrori, por jo për të gjithë.
Sepse në fakt, Agjencia e Prokurimit Publik, duke qenë se ka vetëm 22 punonjës, nuk do të ketë “njësi përgjegjëse” ose “komisar politik”, siç quheshin në një kohë tjetër.

 

Spiunët do shpërblehen me ngritje në detyrë

 

Në projektin e këtij ligji, i diskutuar dje në një takim këshillues në Ministrinë e Drejtësisë, “spiunët” e shkeljeve njihen me përcaktimin “bilbilfryrës”. Në 26 nene, projektligji propozon mënyrën si do të realizohet vjelja e informacionit, krijimi i organeve të specializuara brenda organizatave, ruajtja e konfidencialitetit të kallëzuesit, masat që do të merren pas kallëzimit, e deri te shpërblimet dhe mirënjohjet ndaj “spiunit”.
“Shpërblime apo forma të tjera mirënjohjeje mund të përfshijnë njohjen publike apo shpërblime (nëse janë të pranueshme për bilbilfryrësin), rritje në detyrë, ose një ndjesë publike për ndëshkimin”, thuhet në nenin që propozon shpërblim. Ditën e djeshme, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, në cilësinë e koordinatorit kombëtar kundër korrupsionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, organizoi takimin e parë konsultues mbi këtë projektligj. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të ministrive të linjës, institucioneve të pavarura, si dhe donatorëve të projektit.
“SPIUNET”
Në variantin fillestar të projektligjit sqarohet se termi “bilbilfryrës” nënkupton çdo person që kallëzon ose zbulon informacione në lidhje me shkelje të ndryshme. Sipas projektligjit, mbrojtje përfitojnë vetëm informatorët e sinqertë. “Një person që nën një kallëzim apo demaskim, që tashmë dihet se është fals, nuk ka të drejtën për mbrojtje”, thuhet në projekt. Nenit 5 i projektligjit parashikon organin ku do të bëhen kallëzimet. “Brenda çdo organizate publike ose private me 10 ose më shumë punonjës dhe me një xhiro vjetore ose bilanc vjetor që i kalon vlerën prej 2 milionë eurosh, duhet të ngrihet një organ i posaçëm për të marrë kallëzimet e bilbilfryrësve. Ky organ mund të jetë një departament specifik, ose një person i caktuar enkas për atë detyrë”, vijon pika 1 e këtij neni. Referuar projektligjit, identiteti i bilbilfryrësit mbahet i fshehtë gjatë gjithë fazave të procesit.
KOMISIONI
Në projektligj propozohet krijimi i një komisioni, i cili do të jetë një organ i paanshëm dhe i pavarur qeveritar. Ky organ do të marrë dhe shqyrtojë kallëzimet e bilbilfryrësve, do të ndërmarrë masat brenda fuqive të veta, si dhe do të njoftojë Prokurorinë për shkeljen e konstatuar. Në vërejtjet e shprehura në projektligj propozohen disa variante për emrin e këtij organi: “Autoriteti bilbilfryrës”, “Komisioni kombëtar i bilbilfryrjes” ose “Komisioni për parandalimin e korrupsionit”.
SHPËRBLIMI
Mbrojtja e “spiunëve” zë një hapësirë të gjerë në projektligj. Kështu, në nenin 15 thuhet se bilbilfryrësi ka, ndër të tjera, të drejtën e mbrojtjes kundër ndjekjes penale për shpifje apo shkelje të sekretit zyrtar, mbrojtjes së dëshmitarit, si dhe të dëmshpërblimeve të efektshme. Më tej propozohet mbrojtja e kallëzuesit nga hakmarrja, që nënkupton pushim nga puna, pezullim, ulje në detyrë apo forma të tjera të hakmarrjes lidhur me punën. Në rastin kur jeta e “spiunit” është në rrezik, në projektligj propozohet përfitimi i masave mbrojtëse për të dhe familjen e tij.
NGA PROJEKTLIGJI
• Termi “bilbilfryrës” nënkupton çdo person, i cili kallëzon ose zbulon informacione në lidhje me shkelje të ndryshme.
• Kallëzimet apo demaskimet nuk konsiderohen të jenë bërë në mirëbesim në rastin kur ato janë abuzive, dashakeqe, të pavlera, apo kur ka mundësi të jenë shpifje.
• Në momentin e vendosjes së kontaktit të parë me organin e përcaktuar, bilbilfryrësi do të informohet se identiteti i tij do të mbahet i fshehtë gjatë gjithë fazave të procesit dhe veçanërisht nuk do t’u jepet palëve të treta, personit të lidhur me çështjen apo organit drejtues të bilbilfryrësit.
• Në rastin e komunikimit me Prokurorinë ose me autoritete të tjera për zbatimin e ligjit, komisioni do të pajtohet me detyrimet strikte të konfidencialitetit dhe ua komunikon informacionin e përpunuar vetëm personave të specifikuar në Prokurorinë publike ose autoriteteve ligjzbatuese.

• Në rastet e kallëzimeve të brendshme, organi i posaçëm është përgjegjës për mbrojtjen e bilbilfryrësit kundër hakmarrjes.
• Çdo akt ndërhyrjeje, parandalimi apo reprezaljeje ndaj kallëzimit të një bilbilfryrësi për një shkelje, do të konsiderohet si sjellje e keqe dhe do të bëhet subjekt i sanksioneve disiplinore, administrative dhe/ose civile.
• Shkeljet që duhet të denoncojnë “spiunët”.
•Në këtë akt, shkelje do të thotë një veprim ose mosveprim që përfaqëson rastin e një korrupsioni
• Detyrimi për të krijuar spiunë.
• Në një nen të draftit të përgatitur thuhet se të gjitha organizatat dhe sektorët publikë ose privatë duhet të krijojnë procedura dhe mekanizma kallëzues të brendshëm dhe të garantojnë se kallëzimet për shkelje të ndryshme do të hetohen
• Denoncuesit nuk paditen për shpifje.
• Në një nga nenet e tjera të draftit thuhet se personat që kryejnë spiunim të rasteve të ndryshme të korrupsionit dhe shkeljeve në organet shtetërore apo private, kanë të drejtën e mbrojtjes kundër ndjekjes penale për shpifje apo shkelje të sekretit zyrtar ose privat.
• Varësia e raportimit te ministri.
• Në ligjin e ri është përcaktuar edhe varësia e mekanizmave që do të mbledhin kallëzimet e “spiunëve” dhe që më pas do t’i administrojnë ato. “Komisionet” të cilat do të krijohen në çdo rast dhe në çdo strukturë për të marrë kallëzimet e “bilbilfryrësve”, do të kenë lidhje varësie direkte nga ministri që mbulon institucionin në rastin e administratës shtetërore dhe fushën e veprimtarisë në rastin e biznesit dhe kompanive private.
Kallëzimet anonime, ligji i lejon
Në draftin e paraqitur për diskutim ditën e djeshme, “spiunëve” u njihet e drejta që të paraqesin kallëzime edhe në mënyrë anonime. Sipas ligjit, një raportues në momentin e parë që bie në kontakt me “komisionin marrës të kallëzimit”, ka të drejtë të kërkojë qëndrimin e tij anonim. Pasi të shpjegojë arsyet e këtij qëndrimi, ai ka të drejtë të paraqesë kallëzimin, ndërsa në ligj thuhet se për këto raste duhet bërë kujdes i veçantë.

Spiunët, zbardhet skema si po emërohen strukturat
Në datë 15 korrik të gjitha bizneset që kanë mbi 100 të punësuar duhet që të kenë ngritur strukturën që do të jetë përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që vijnë nga Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Në një shkresë që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ka dërguar pranë kompanive që plotësojnë kriterin e numrit të të punësuarve vihet theksi tek zbatimi i kërkesave ligjore dhe ngarkimi me përgjegjësi administrative dhe penale në rast neglizhimi.

Procedura për ngritjen e strukturës
Por si po procedohet nga kompanitë për ngritjen e kësaj strukture? Si përzgjidhet stafi që do të jetë pjesë e njësisë përgjegjëse? Më poshtë do të japim modelin konkret nga një biznes që ka emëruar tashmë strukturën. Së pari nga ana e ortakut të kompanisë miratohet një vendim për ngritjen e strukturës së Njësisë Përgjegjëse, si dhe rregulloret e brendshme që sanksionojnë përshtatjen me kërkesat që ka Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Pas kësaj nga ana e administratorit bëhet emërimi i punonjësit të zgjedhur në njësinë përgjegjëse. Punonjësi në rastin konkret është përgjegjës departamenti. “Ju bëjmë me dije se ju jeni i përzgjedhuri për ndjekjen e gjithë praktikave të dyshuara të korrupsionit për shoqërinë …. në përputhje me dispozitat e Ligjit 60/2016. Nëse jeni dakord me këtë përzgjedhje ju lutem vendosni nënshkrimin tuaj tek kjo shkresë dhe depozitoni një kopje origjinale pranë shoqërisë (X)”, thuhet në kopjen e emërimit të përgjegjësit të njësisë. Pas kësaj është në dorën e të emëruarit për të pranuar pozicionin ose për ta refuzuar atë. Referuar dokumenteve për rastin në fjalë punonjësi ka pranuar të jetë pjesë e njësisë duke deklaruar se, “Unë i nënshkruari (X) lindur në datë ( ) në Tiranë dhe banues në Tiranë, mbajtës i letërnjoftimit, madhor dhe me zotësi të plotë për të vepruar e punuar në pozicionin e drejtuesit të Departamentit pranë (X) shoqërie themeluar sipas ligjit shqiptar dhe regjistruar pranë Regjistrit Tregtar shqiptar mbajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit me seli në rrugën …Tiranë. Pasi mora dijeni për përzgjedhjen në njësinë përgjegjëse për ndjekjen e procesit të praktikave të dyshuara të korrupsionit për shoqërinë (X) në përputhje me dispozitat e Ligjit 60/2016. Nëpërmjet kësaj shkrese deklaroj se e pranoj në njohje të plotë të detyrave që duhet të përmbush për pozicionin që më keni caktuar”. Pasi merret miratimi edhe nga personi i emëruar atëherë biznesi vë në dijeni Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave. Bashkëngjitur dokumentit të urdhrit për ngritjen e strukturës, emërimit të personit përgjegjës dhe pranimit të detyrës së caktuar nga punonjësi vendosen edhe gjeneralitetet e tjera që kanë të bëjnë me personin e strukturës së “spiunazhit”. Kjo strukturë duhet të ketë të paktën një person.

Qëllimi i strukturës sipas ligjit
Qëllimi i këtij ligji është marrja e informacioneve dhe sinjalizimeve nga sinjalizuesit, njësia përgjegjëse ose e drejtpërdrejtë nga ILDKPKI për rastet e veprave penale të korrupsionit, çdo veprim ose mosveprim të kundërligjshëm sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, si dhe çdo akt tjetër të ngjashëm me to të kryer në subjektin tuaj nga pronarët, administratorët, drejtuesit dhe cilido tjetër, hetimin e këtyre rasteve nga ILDKPKI dhe përcjelljen e tyre organit të Prokurorisë dhe policisë kur gjenden elementë të veprave penale të mësipërme. Bizneset që kanë mbi 100 të punësuar janë të detyruar të ngrenë strukturën e “spiunazhit” brenda datës 15 korrik dhe të dërgojnë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave gjeneralitetet e personave të përzgjedhur. Menjëherë pas zgjedhjeve, shumicës së bizneseve që janë të klasifikuara me mbi 100 punonjës u ka shkuar një shkresë që përcakton edhe detyrimin që iu lind atyre për ngritjen e një strukture të posaçme që vjen si detyrim i Ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” i miratuar një vit më parë. Në shkresën e firmosur nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj thuhet se në rast se nuk zbatohet kjo kërkesë, atëherë biznesi ngarkohet me përgjegjësi administrative dhe penale. Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” do të funksionojë në administratën publike, por edhe te kompanitë që kanë mbi 100 të punësuar. Rastet që do të sinjalizohen do të lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve apo shpërdorimin e të ardhurave të buxhetit. Sinjalizuesit do të jenë punonjës të institucionit publik, por edhe atij privat, do të paguhen nga këta të fundit dhe gëzojnë status dhe mbrojtje të veçantë me ligj.

Exit mobile version