30 Qershori/ Zëri i Amerikës: Vendimi Kushtetueses për ta mbajtur veten larg, Venecia e ka trajtuar temën e zgjedhjeve lokale

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën në mbrëmje që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion mbi vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit të vitit 2019. Vendimi erdhi pas një seance që zgjati mbi 9 orë.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga një kërkesë e Shoqatës së Bashkive për shpalljen të pavlefshme të atyre zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre. Zgjedhjet u mbajtën në datën e shpallur fillimisht me dekret nga presidenti Ilir Meta, i cili tre javë para zhvillimit të tyre, më 10 Qershor, vendosi anullimin duke firmosur një tjetër dekret për organizimin e zgjedhjeve në muajin tetor. Zoti Meta e argumentoi vendimin e tij me situatën tejet të tensionuar politike, duke qenë se opozita kishte nisur një seri protestash dhe kishte vendosur bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Por dekreti i dytë i zotit Meta nuk u mor në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në seancën e sotme Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar argumentat e palëve, që nga ato të vetë Shoqatës deri të argumentat e Qeverisë, Presidencës, parlamentit, apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Secila nga këto palë, sipas vendimit të mbrëmshëm, do të ketë të drejtë të formulojë një pyetje për Komisionin e Venecias. Ato do i bashkangjiten dhe pikave për të cilat do të kërkojë sqarime dhe vetë Gjykata. Deri në një përgjigje nga Venecia, çështja në Gjykatën Kushtetuese do të mbetet pezull.

Vendimi për t’iu drejtuar Komisionit të Veneciat duket deri diku si një përpjekje e anëtarëve të Gjykatës për ta mbajtur veten larg një çështjeje, me një ndjeshmëri të lartë politike, për më tepër që Venecia e ka trajtuar këtë temë në opinionin e saj të tetorit të vitit 2019, duke vlerësuar ndër të tjera se “anulllimi i zgjedhjeve vendore mund të bëhet vetëm në kushtet e një situate emergjente, e madje dhe në një situatë të tillë nevojitet një bazë specifike ligjore”.

Anëtarët e Komisionit të Venecias kanë interpretuar jo vetëm dekretet e presidentit Meta, por dhe faktin se bojkoti i zgjedhjeve nga cilado forcë politike nuk mund të jetë argument për mosmbajtjen e tyre. “Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”, vërehet në përfundimet e opinionit të Komisionit të Venecias.

/VOA/

Exit mobile version