Kryetari i këshilltarëve të Partisë Demokratike, Leonard Olli denoncoi dje para Bashkisë Tiranë aktet e papreçedenta të Kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliaj nga sulmi ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Administrative e deri tek shkeljet e abuzimet me tenderat. Në një prononcim për mediat, Olli bëri të ditur se janë 30 tendra që Veliaj i ka dhënë me prokurim të drejtpërdrejtë ndërsa mafia e betonit vijon e qetë punën në kryeqytet. Ai reagoi ndaj akuzave të Veliajt ndaj Presidentit Nishani ndërsa tha se opozita nuk do të lejojë intimidimin e Presidentit apo gjykatave nga Veliaj.
“Ne të jemi të sinqertë. E ka ndjerë rrezikun për përballjen e tij me drejtësinë dhe tashmë po përpiqet të intimidojë drejtësinë. Tashmë është i prekur nga aferat e tij korruptive si për çështjen e parkingut nëntokësor tek Parku Rinia, si për vandalizmin e pashëmbullt tek liqeni, si për elementët e tjerë të një njeriu që tenderon dhe abuzon paratë publike sipas dëshirave. 30 tendera janë me prokurim të drejtpërdrejtë. Rekord unikal në këtë periudhë të qeverisjes vendore. Iu përpiqet tu fshihet gjyqeve për pushimet masive nga puna të cilat janë bërë nul nga gjykatat. Përpiqet ti shpëtojë ndërshkimit për betonizimin e paligjshëm të liqenit por edhe për projektet e tjera famëkeqe. Tashmë kullomania ka fituar. Mafia e betonit tashmë mendon se ka marrë revanshin. Është e kot se do të përballet me drejtësinë deri më një. Nuk do të lejojë kush një të çartur dhe një vegël që të intimidojë jo vetëm Presidentin e Republikës dhe sistemin e drejtësisë por asnjë punonjës të pushuar nga puna dhe asnjë biznesmen që kërkon të drejtën e vetë.
“Jemi këtu në emër të këshilltarëve të Partisë Demokratike, por besoj që shprehim shqetësimin e madh të çdo qytetari që respekton ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Maskat sot ranë. Erion Veliaj, kjo vegël e keqpërdorur në duart e Ramës, nuk u kursye sërish për t’u bërë kurban për interesat e Ramës dhe Koço Kokëshimës. Me një rast të paprecedentë, me një sulm të pashembullt në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të tjera në fuqi, vijuan akuzat e paprecedenta, në vend që kryetari i Bashkisë të japë llogari për shkelje e pafund ligjore që tashmë ka kryer.
Sigurisht është e mirëkuptueshme për një pjesë të shoqërisë largimi i Kokëdhimës nga Parlamenti pasi tashmë i ka lënë pa atin e tyre shpirtëror dhe Rama ka humbur gjakftohtësinë. Sulmi është frontal, sulmi është ndaj çdo sistemi ende të pavarur që funksionon në një sistem demokratik. Antisistemi, antiligji dhe antishteti sot morën fytyrën dhe fjalët e Erion Velisë. Drejton pyetje pafund. Rrethon gjykatat njëlloj si në kohën famëkeqe të gjyqeve popullore të komunizmit kundër “tradhëtarëve”të vendit. Shpall edhe tradhëtarët duke filluar nga gjyktarët e deri tek Presidenti I Republikës.
Por është e kuptueshme pse e bën. E para është urdhëri politik që ka marrë nga shefi i tij Rama duke minuar në sytë e gjithë publikut maskën dhe elementët e Reformës së famshme për Drejtësi dhe mendojnë se kjo duhet të jetë mënyra se si do të vendosin drejtësinë. Pjesa tjetër që është edhe më e rënda është që pas këtij sulmi fshihet përpjekja e z Veliaj për të mbuluar gjurmët e abuzimeve dhe krimeve pafund që ka kryer në Bashkinë e Tiranës.
Frika e tij është e dukshme. Gjithë ky sulm që i drejtohet kryetarit të Këshilit të Lartë të Drejtësisë ka për qëllim të intimidojë çdo trup gjykues që do të marrë në shqyrtim aferat e tij korruptive të pafund. Çdo intimidim që ai kërkon të bëjë ndaj institucioneve të pavarura, institucionit më simbol si ai i Presidentit të Republikës, ka të bëjë vetëm e vetëm me tentativën për të intimiduar prokurorët që hetojnë që nga falsifikimi i firmës së tij dhe deri tek koncensionet apo ndërtimet e paligjshme. Pra të jetë i bindur për diçka, nuk do ti shpëtojë drejtësisë. Nuk do të jetë kurrë në gjendje ky bufon i politikës shqiptare të intimidojë këdo dhe për çfarëdo lloj arsye” tha Olli.
Arben Shahini