30 tonelatat e drogës në Vlorë u zbuluan nga SHISH, jo nga Policia

30 tonelatat e drogës të sekuestruar para katër ditësh në Llakatund të Vlorës u zbuluan nga SHISH dhe jo nga Policia. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, kanë qenë punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror që kanë zbuluar tonelatat e drogës dhe më pas ka qenë ndërhyrja e Prokurorisë dhe Policisë për kapjen e sasisë rekord të kanabisit. Burimet e Prokurorisë bëjnë të ditur se, kjo sasi e madhe droge ishte e një klani të fuqishëm që ka lidhje me zyrtarë të lartë dhe ishte bërë gati për t’u trafikuar drejt Italisë.
Policia e Vlorës kishte dijeni për këto tonelata droge që do të trafikoheshin drejt Italisë, por nuk ndërhynte, pasi në këtë trafik ishin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të policisë. Ndërhyrja në kohë e Prokurorisë dhe Policisë bëri të mundur bllokimin e tonelatave të kanabisit, por jo baronët e drogës. Sipas të njëjtave burime, 15 tonelatat e drogës ishin gati për t’u vendosur nëpër skafe dhe për t’u dërguar në Itali, ku do të arrinte një vlerë prej të paktën 15 milionë eurosh, me një fitim afro 10 milionë euro për trafikantët shqiptarë.
Gjithçka ishte gati. Grupi kishte në përbërje të tij edhe një oficer policie, por rrjeti është disa herë më i madh”, thonë burime të Prokurorisë. “Peshqit e mëdhenj” sërish kanë shpëtuar. Hetimet e Prokurorisë vazhdojnë, bashkë me kontrollet në këtë zonë, që zbuluan sasi dhe mënyra të tjera të fshehjes së kanabisit, me fuçi plastike të groposura nën tokë.
Droga ishte e paketuar me iniciale. Prandaj inicialet janë të ndryshme për të ndarë edhe pronarët e lëndës narkotike. “Matrikullimi” i drogës, sipas prokurorëve që po hetojnë ngjarjen, është tregues se trafikantët kishin gjetur edhe tregun.
Policia bëri të ditur se janë sekuestruar 15 ton drogë, por në fakt sasisa e drogës së sekuestruar ka qenë 30 tonë. 15 ton janë fshehur nga policia dhe nuk dihet se ku ndodhen. Ishte drogë e kultivuar nga trafikantët në zonën e Llakatundit vitin që shkoi kur Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm, deklaronte se ishte asgjësuar mbi 98 për qind e sipërfaqeve të mbjella me drogë. Burime të Prokurorisë thonë se, një pjesë të saj trafikantët e kishin blerë tek banorë të zonës, që po ashtu kishin mbjellë kanabis nën shembullin e grupeve kriminale që policia nuk i shqetësoi asnjëherë përgjatë 1 viti të tërë.
Hashashi ishte “i matrikulluar”, trafikantët e kishin gjetur tregun në Itali, ku droga shqiptare po përmbyt edhe plazhet. Pushuesit e disa plazheve të Abruzzo-s në Itali u befasuan ditën e djeshme kur panë disa pako të mëdha që po pluskonin në det, pak metra larg brigjeve. Policisë iu deshën disa minuta për t’i mbledhur. Ishin të gjitha me kanabis. Pako të ngjashme u gjetën në Montesilvano, Francavilla al Mare dhe Silvi.
Hetimet e para flasin se droga e ka prejardhjen nga Shqipëria. Dyshimet janë se, droga është hedhur në det nga skafistët. Pakot kanë numra të shënuar. Çdo numër i korrespondon një destinacioni të veçantë. U dihen me qëllim që trafikantët që e presin “mallin” në Itali, të dinë se cilit shpërndarës i përket. “E matrikulluar” ka qenë edhe sasia prej 15 tonësh me kanabis që u kap në Llakatund të Vlorës.
Shqipëria, në 2016 ka prodhuar aq shumë drogë, sa po mbyt edhe brigjet e vendit fqinj, ndërsa sasitë e kapura nga policia që nuk kalojnë 1 ton, duken krejt të papërfillshme edhe në opinionin publik. Askujt nuk i bën më përshtypje.

Droga i përkiste klanit Xhafa

Një oficer policie në Komisariatin e Vlorës bëri të ditur se, sasia e drogës së sekuestruar në Llakatund është 30 ton dhe jo 15 ton siç deklaron Policia. Oficeri i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Berisha ku e informon se droga e sekuestruar në Llakatund i përket klanit Xhafa dhe drejtuesve të lartë të policisë Neritan Nallbati, Rebani Jaupi dhe Aldos, shef i Krimeve të Fierit.
“Këtë ngjarje krerët e Policisë së Shtetit po mundohen ta fshehin lidhur me autorët e saj. Hashashi i kapur në Llakatund nuk ju përket habilajve. Informacioni i nisur tek ju ka qenë për dezinformim dhe për të fshehur gjurmët, sepse hashashi i përket shtetasve Kreshnik (Niku), vëllait të tij Ervinit, Gonit vëllait të ministrit Xhafa, Renato Saliut nga Fieri, Aldos, shefit të Krimeve Fier, ish-drejtorit të Policisë së Fierit, Neritan Nallbati dhe zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Rebani Jaupi. Pjesa më e madhe e hashashit ka qenë e mbjellë vjet në zonën e pyllit të Hoxharës e Darzezës nga Renato, Kreshniku, Ervini dhe Goni, këta kishin mbështetjen e drejtorit Neritan Nallbati, Rebani Jaupi dhe Aldos. 30% e mallit të kapur i përket Neritanit, Rebaniut dhe Aldos. Dje, pas operacionit Rebaniu nuk ishte entuziast për rezultatin po i pikëlluar. Këta po organizohen për ta marrë mallin ku do të djegin vetëm një sasi të vogël. Këtë gjë e them, pasi e kam dëgjuar nga njerëz të tyre të besuar.
Kreshniku me Gonin kanë një organizatë kriminale të sofistikuar në Vlorë dhe në Fier, ata janë të lidhur ngushtë me Policinë e Kufirit Vlorë, Policinë e Rendit Vlorë dhe Fier ku disa emërime të rëndësishme në rang drejtuesish i kanë bërë vetë ata me ndihmën e ministrit Xhafa për mbarëvajtjen e trafikut të tyre të drogës në Shqipëri, Itali dhe Greqi”, shkruante oficeri i Policisë së Vlorës.

Xhafaj, pushime në plazhin privat të trafikantit të drogës

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj po i kalon pushimet e verës në plazhin privat të një trafikanti të drogës në Vlorë. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Vlora, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Xhafaj i drogës pushon në plazhin privat të Ervin Tushaj, drekon dhe shëtit me skafin e këtij trafikanti?”, shkruan Berisha, në një postim në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit nga Vlora.
“Përshëndetje! Doja të bëja një denoncim për rastin e ndodhur në Vlorë për sasinë prej 30 tonelata të drogës së sekuestruar, e cila ishte e klanit të Gon Xhafës. Njëri nga vëllezërit e këtij trafiku, Ervin Tushaj është pronari i plazhit “Vajana” në Vlorë. Aty ish-ministri Fatmir Xhafaj pushonte dhe drekonte i shoqëruar nga vëllezërit Tushaj dhe vëllai i tij, Goni Xhafaj dhe të gjithë sëbashku bënin xhiro me skafin e Ervin Tushajt në Vlorë dhe Karaburun”, shkruan qytetari.

Droga në Vlorë, lirohet nga burgu inspektori i Policisë

Inspektori i Policisë që u arrestua para katër ditësh për drogën e sekuestruar në Llakatund të Vlorës është lënë i lirë. Gjykata e Vlorës, në një seancë me dyer të mbyllura, ka përcaktuar masën e sigurisë për 9 personat e arrestuar në Vlorë, ku disa ditë më parë u sekuestrua rreth 15 tonë hashash.
Gjykata e Vlorës ka dhënë masë arresti “burg pa afat” për 8 nga të arrestuarit dhe një “detyrim paraqitje”, ndaj një inspektori policie. Inspektori Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, është lënë i lirë. Ai është akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ndërsa 8 personat e tjerë do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Operacioni u organizua para katër ditësh nga prokurori pas informacioneve të marra nga SHISH. Pas operacionit, Policia bëri të ditur se u sekuestruan 15 ton kanabis, por një oficer i Policisë së Vlorës tha se, droga e sekuestruar ishte 30 ton dhe jo 15 ton sa deklaroi policia.

R.POLISI

Exit mobile version