30 vite nga eksodi i madh i shqiptarëve! Historia po përsëritet…

Nga Alba KEPI

30 vite nga eksodi i madh i shqiptarëve!

Historia po përsëritet me forma ndoshta më civile, por motivet janë të njëjta;

Dashuria për liri personale e profesionale, mirëqenie e dinjitet njerëzorë, largim nga limitet e një diktature “moderne” që vendos pë votën, jetën, pronën, profesionin, familjen, e siguria e një të ardhme të lirë e sa më të mirë për fëmijet.

Qyteti i Brindizit është mbushur sot me fotografi gjigande që përcjellin imazhet e zbarkimit të 27 mijë emigrantëve shqiptarë në këtë qytet, në natën e 6 -7 marsit 1991.

Fotografitë e realizuara në atë kohë nga Damiano Tasco kujtojnë 30 vjetorin e eksodit të madh të mijëra shqiptarëve që me anije e mjete të ndryshme lundrimi mbërritën në brigjet italiane.

“Brindizi qyteti i mikpritjes” është mesazhi i përcjellë dhe në gjuhën shqipe në këto fotografi që kujtojnë zemërgjerësinë e banorëve të këtij qyteti që hapën dyert e mikpritën brenda një ditë një fluks kaq të madhe emigrantësh e i paparë më parë.

Edhe pse Marina Ushtarake Italiane nën urdhërin e qeverisë që drejtohej nga kryeministri Giulio Andreotti, kishte vendosur bllokimin e anijeve e moszbarkimin e shqiptarëve, kapiteneria e portit dhe autoritetet lokale të Brindizit, vendosën në mënyrë autonome të aplikojnë ligjin e detit, të shpëtojnë e të lejojnë në tokën e tyre ata mijëra shqiptarë që ndodheshin mes detit në një mot të keq, me detin shumë ballësh, erën e fortë e shiun që binte pa reshtur.

Qyteti i Brindizit vuri në dispozicion 38 shkolla për të strehuar shqiptarët e zbritur nga anijet e Arqipeshkopi i këtij qyteti, Imzot Todisco, ishte i gatshëm të hapte të gjitha kishat për t’i mikpritur.

Brindizinët sollën veshje ushqime e hapën dyert duke strehuar në shtëpitë e tyre mjaft shqiptarë të dëshpëruar e të etur për një jetë të lirë e të denjë.

Ky qytet që më vititn 1991 numëronte rreth 95 mijë banorë menaxhoj me dashamirësi e humanizëm mbërritjen e 27 mijë shqiptarëve që ishin më shumë se 1 /3 e popullsisë së tyre.

Sot në Brindizi jetojnë 276 shqiptarë me leje të rregulltë qëndrimi e përbëjnë mbi 10% të rreth 2500 emigrantëve nga të gjitha kombësitë që jetojnë në këtë qytet.

Foto Damiano Tasco

2 11

3 7

4 5

Artikulli paraprakBasha: Edi Rama është përgjegjës për dështimet e Shqipërisë në 8 vitet e fundit. Me 25 prill shqiptarët do e çojnë në shtëpi
Artikulli tjetërTërmet i fuqishëm në Greqi, lëkundjet ndihen dhe në Shqipëri