Juristi i PD, Marash Logu kërkoi sot në KAS shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun e Korçës, si dhe ripërsëritjen e tyre.
Logu foli për blerje votash nga 100 deri në 300 euro, ndërsa iu referua një skeme ku sipas tij ishin të përfshirë ministri Peleshi, kryebashkiaku Filo, dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
“PD ka parashtruar para këtij komisioni se shtetasit Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes dhe deputet i PS-së, Blerina Gjylameti deputete e PS-së, Sotiraq Filo, kryetar i bashkisë Korçë, Kletiona Kita, nënkryetare e bashkisë Korçë, Ilir Bajlozi drejtor i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Besa Spaho, drejtore e Agjencisë së Kadastrës në Korçë dhe kandidate për deputete e PS, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, drejtues lokal, përfaqësues të PS, individë të skeduar me rekorde kriminale, kishin ngritur një skemë nëpërmjet parave, ndihma ushqimore, kupona të kartave të identitetit etj.
Ndaj këtyre shtetasve PS ka depozituar tre kallëzime penale për veprat penale korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, shpërdorimin e detyrës, marrjen e paligjshme të dokumentit të identifikimit dhe kanosjen në zgjedhje. Krahas blerjes së votave nga 100 deri në 300 euro ne kemi parashtruar para këtij komisioni se u shpërndan ndihma ushqimore për familjet në nevojë apo përfitime të tjera”, tha Logu.
“Në Bashkinë Korçë u krijuan 65 pozicione të reja pune, 42 në Bashkinë Devoll dhe 10 në Bashkinë Pustec. Ndalohet në fakt çdo lloj punësimi që kryet në një periudhë 4 mujore para zgjedhjeve, përveç rasteve kur kjo diktohet nga nevoja të ngutshme. Deri tani nuk ka asnjë përgjigje nga institucionet në lidhje me këtë fakt. Ne kërkuam që pretendimet tona të vërtetoheshin nëpërmjet marrjes së provave, shoqërive aksionare, bashkive, për të gjithë punonjësit e ri, qofshin këta me kontrata të përkohshme apo t përhershme. Shtesa e bërë në ndihmën ekonomike, me 2.6 milionë euro më shumë se një vit më parë. Kërkuam prova edhe për këtë. Lejet e legalizimeve janë shpërndarë në masë. Jemi të bindur që përmasat e këtij fenomeni janë më të mëdha e shqetësuese, ndaj kërkuam marrjen e informacioneve për të vërtetuar numrin e lejeve të shpërndara në Qarkun e Korçës. Lejet e ndërtimit, legalizimet, janë dhënë në favor të PS. Ndalimi i 500 mijë shtetasve shqiptarë, apo personave të infektuar me COVID, janë shkelje të tjera të rënda të ligjit, që kanë cënuar rezultatin.
Një fakt tjetër i rëndësishëm është dhe fleta e votimit, pasi mbi 7 mijë fletë në Qarkun e Korçës dolën të pavlefshme. Të dhënat që morëm nga PEI, shenjat e 23 persona janë përdorur për identifikimin e 63 zgjedhësve, kjo do të thotë se 23 mund të kenë votuar 23 herë, ose tre herë për person. kërkojmë shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Qarkun e Korçës dhe urdhërimin e përsëritjes së zgjedhjeve në këtë qark”, u shpreh Marash Logu.