Një platformë e fuqishme për zhvillimin tërësor të bujqësisë parashikon programi i Partisë Demokratike. Subvencion 100 milionë euro në vit për fermerët, nxitje e eksportit të prodhimeve vendase, fund favorizimit klientelist të produkteve të importuara dhe nxitje të konkurrencës së ndershme në treg. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli me gjuhën e fermerëve në takimin elektoral që pati në Lushnjë. “Trau i doganës shqiptare do të mbyllet për prodhimet që konkurrojnë në mënyrë të pandershme djersën e fermerëve shqiptarë. Tarifa proporcionale doganore të barabarta me subvencionet që marrin ata fermerë për prodhimet e tyre do të garantojnë që kurrë më frutat, perimet dhe çdo prodhim tjetër bujqësor shqiptar të mos mbetet pa u shitur, të mos kalbet në tokë, por të sjellë mirëqenie dhe fitim për fermerët shqiptarë. Motoja ime është fare e thjeshtë: Fermerët e mi të parët, fermerët shqiptarë të parët dhe pastaj fermerët e huaj, pasi të kenë shlyer detyrimet proporcionale në doganat shqiptare, që do të kenë një detyrë, jo të majmin një grusht eksportuesish, por t’i japin shqiptarëve dhe fermerëve shqiptarë bujqësinë e zhvilluar dhe djersës së fermerëve shqiptarë në kandarin e tregut të mos u bëjë më kurrë konkurrencë të pandershme me fermerët e huaj. Nuk mjaftohen me eksportet, kanë ndaluar edhe eksportin e mallrave tona, ma treguan vjet në Xarrë, për mandarinat, për portokallet, ma thanë këtu në Lushnjë, në Divjakë, kanë shpikur lloj-lloj tarifash për kamionët që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga vendet e tjera. Ua bëjnë më të shtrenjtë transportin e prodhimeve bujqësore shqiptare, me tarifat që kanë vendosur për naftën, me tarifa që kanë vendosur për transportin, nuk ua vendos qeveria e vendeve të tjera, por qeveria shqiptare, duke rritur artificialisht koston e prodhimeve të fermerëve shqiptarë. Kjo do të marrë fund me Republikën e re. Të gjitha eksportet shqiptare, e në veçanti eksportin e prodhimeve bujqësore shqiptare. Kjo është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së fortë, premtimi i parë dhe platformës më kryesore të Republikës së re, ekonomia e fortë është e vetmja mënyrë për të pasur shtet të fortë”, tha Basha. Ai tha se me ardhjen në pushtet të PD-së do të marrë fund hedhja në kanal e produkteve bujqësore, për shkak të konkurrencës së padrejtë që bëhet me produktet e huaja. “Fermerët vuajnë braktisjen totale, janë të braktisurit e mëdhenj të Republikës së vjetër. Jo vetëm nuk morën subvencione, por konkurrohen dita-ditës me prodhime të importit të fermerëve evropianë që sjellin prodhimet këtu me çmime më të ulëta. Sot në Divjakë, fola me disa prej tyre se sa e shisni qepën. 180 lekë më thanë. Sa e keni koston? 240 lekë kosto, 180 lekë në treg. Djersa e fermerëve të Divjakës përfundon në kanal”. Basha akuzoi Edi Ramën si kryeministër të bankave dhe oligarkëve, duke iu referuar thirrjes së kreut të qeverisë që fermerët të marrin kredi për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Kryedemokrati premtoi 100 mln euro subvencione në vit. Edi Rama nuk solli asnjë lekë për bujqësinë, as për infrastrukturën, as për subvencionet. Tani u thotë fermerëve merrni kredi, pasi ka zhytur thellë e më thellë në gropën e zezë të ekonomisë rurale. Nuk ka qenë asnjë ditë kryeministri i fermerëve dhe tani na del ose si kryeministri i barsaletave, ose si kryeministri i bankave. U thotë fermerëve merrni kredi”. Në ditën e parë të tij si kryeministër, Basha tha se do të zhbëjë sistemin e dështuar të taksave dhe do të anulojë ato që i quajti koncesione korruptive. Basha tha se, fermerët nuk subvencionohen dhe malli i tyre nuk shitet. Basha u shpreh se, Rama jeton mes vizatimeve dhe qypave me baltë dhe kurrë nuk do t’ia dijë për qytetarët. “Përmes ndryshimeve kushtetuese, ju do të keni në dorë të zgjidhni dhe të shkarkoni deputetët tuaj. Do të marrë fund shfaqja e shëmtuar që ka pasur vetëm një qëllim, që t’ju mashtrojë. Rama jeton mes vizatimeve dhe qypave me baltë dhe kurrë nuk deshi t’ia dijë për ju. Ku janë 300 mijë vendet e punës? A është punësuar ndonjëri në këto 4 vite? Sot, ngriti dolli për mua në Vlorë. Nuk është koha për dolli se i ke zhytur peshkatarët në mjerim. Fermerët janë të braktisurit e mëdhenj të Republikës së vjetër. Rama u thotë sot fermerëve merrni kredi, duke dalë si kryeministri i bankave. Kryeministri i ri nuk do të jetë kryeministri i oligarkëve. Unë do të jem kryeministri i fermerëve shqiptarë. 100 milionë euro subvencione për fermerët”, tha Basha.
Investimet më të forta për fëmijët, revolucion në arsim
Lulzim Basha paraqet programin për ekonomi të fortë e të nesërme të sigurtë para qytetarëve të Patosit. Rritja e pensioneve do të nisë brenda vitit 2017. Në një takim me qytetarët e Patosit, lideri demokrat Lulzim Basha theksoi zotimin se do të jetë kryeministri i ekonomisë, punës dhe njerëzve të thjeshtë. Basha tha se Republika e re do të rishikojë buxhetin për të rritur pensionet brenda vitit 2017. “Vit për vit do të rriten pensionet dhe brenda katër viteve Republika e re do të mundësojë pensionin minimal prej 25 mijë lekësh të reja. Për të gjithë pensionistët shqiptarë. Ne do të kemi një paketë që do të përfshijë 300 kw e parë të energjisë elektrike të paguara nga buxheti dhe faturën e ujit për konsum familjar të paguar nga buxheti, plus ndihmën ekonomike, për të gjithë ata në nevojë ekonomike. E nesërmja e sigurtë do të nisë për investimin për fëmijët tanë. Anembanë vendit do të kemi një revolucion të vërtetë në arsim. Nuk do të ketë në asnjë fshat të Shqipërisë, në asnjë lagje të qyteteve tona, ndërtesë më madhështore se shkolla ku shkojnë fëmijët tuaj. Republika e re do të mundësojë drekën e paguar nga buxheti i shtetit, për çdo fëmijë shqiptar, nga kopshti deri në fund të maturës”. Basha vuri theksin tek taksa e sheshtë 9%, të cilën do e sjellë Republika e re, si taksa më e ulët në rajon. Ulja e TVSH-së nga 20% në 15% do të rrisë ekonominë familjare. Për 10 mijë të rinj, të cilët mbarojnë universitetin, tha Basha, Republika e re do i mundësojë stazh të paguar prej 200 mijë lekë të vjetra. “10 mijë të rinj e të reja do të kenë stazhin e paguar nga Republika e re, 200 mijë lekë të vjetra në muaj për 25 milionë euro që i merr Vilma Nushi me shokë dhe që unë do t’i anuloj që në ditën time të parë. Kjo do të ndihmojë në punësimin e rinisë, sepse 75% deri në 90% e të rinjve që ndjekin praktika të tilla, sigurojnë një vend pune”. Lideri demokrat Basha theksoi se, deputetët do të zgjidhen nga populli pa filtra partiakë dhe nëse nuk përfaqësojnë qytetarët siç duhet, do të jenë qytetarët që do i shkarkojnë pa përfunduar mandati i tyre. “Duhet që Republika e re të nisë nga puna dhe këtë do të bëjmë”, tha Basha.