300 mijë refugjatë nga Libia drejt Europës

Në një prognozë të fundit të Agjencisë Europiane të Mbrojtjes së Kufijve thuhet se, BE do të përballet me një valë të re refugjatësh. Frontex paralajmëron Europën se nuk është e përgatitur për zhvillimet e reja lidhur me krizën e refugjatëve, pas mbylljes së itinerarit ballkanik. Tani edhe kreu i agjencisë, Frontex, thekson se Bashkimi Europian vetëm këtë vit do të përballet me ardhjen e 300.000 emigrantëve me gomone përmes itinerarit të njohur të Mesdheut.
“Llogarisim ardhjen e rreth 10.000 refugjatëve në javë nga Libia”, citon gazeta gjermane “Bild” drejtorin e Frontex-it, Klaus Rosler, i cili është shprehur kështu në një aktivitet të Fondacionit Konrad-Adenauer në Bruksel. Një nga arsyet e numrit të lartë të refugjatëve që vijnë me gomone është vrojtimi më intesiv dhe prezenca e emergjencës detare të Bashkimit Europian. Kjo bën që kontrabandistët të nisin pa asnjë hezitim gjithnjë e më shumë refugjatë me gomone në det. Shumë emigrantë besojnë se, do të shpëtohen në det nga anijet e BE-së.
Krahas shpëtimit në rast rreziku dhe luftimit të bandave të trafikantëve, anijet e BE-së duhet që në të ardhmen të marrin përsipër të pengojnë edhe trafikimin e armëve drejt Libisë. Qeveria gjermane, sipas raportimeve në media, synon të zgjerojë misionin e marinës së BE-së, “Sophia” para pushimeve të verës. Të mërkurën e ardhshme (22.06) kabineti qeveritar do të trajtojë zbatimin e embargos së armëve të OKB-së kundër vendit të përfshirë nga lufta civile, kanë raportuar gazeta të grupit mediatik “Funke Mediengruppe”, duke iu referuar qarqeve qeveritare.

Kundër furnizimit me armë të xhihadistëve
Të martën (14.06) Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri mandatin për zgjerimin e misionit “Sophia”. Anijet që marrin pjesë në këtë mision në të ardhmen lejohet të kontrollojnë anijet e dyshuara. Ndërsa ministrat e Jashtëm të BE-së zhvillojnë lidhur me këtë temë bisedime të hënën në Bruksel (21.06). Embargoja e armëve synon të forcojë qeverinë e unitetit në Libi, e mbështetur edhe nga Kombet e Bashkuara. Përmes saj synohet që të ndalet furnizimi me armë dhe municione i grupeve të ndryshme të milicëve, të cilët luftojnë qeverinë e unitetit, mes tyre edhe xhihadistët e të ashtuquajturit, Shteti Islamik. Marina gjermane është pjesë e misionit të BE-së, “Sophia”, me dy anije luftarake dhe rreth 400 ushtarë, që janë aktivë në këtë mision nga qershori i vitit 2015.

Artikulli paraprakAntipolitika, nga anomalia në qeverisje
Artikulli tjetërHumbje e thellë e së majtës në Romë dhe Torino