Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ua ka shpjeguar me shifra të qarta, fermerëve të Lezhës se ku shkojnë paratë e shtetit që nuk jepen për t’i subvencionuar ata dhe kategoritë e tjera.
“Ku shkojnë paratë?! Ju e dini ku shkojnë këto para! 300 milionë euro Milot-Balldren shkojnë këto para. Për 17 km! As në Japoni nuk ndërtohet me këto çmime, ku ndërtohet çdo centimetër kundër tërmeteve. E dini se është një zonë shumë më tektonike sesa rajoni ynë dhe të botës dhe një nga ekonomitë më të shtrenjta të botës, me çmimin më të lartë.
300 milionë euro për 17 km!
Bashkë me dajën e vet, që bën Rrugën e Arbrit dhe i kanë dhënë 200 milionë euro mbi kontratën, të dy bashkë dajë e nip marrin gjysmë miliardi euro. Dajë e nip gjysmë milion euro. 500 milionë euro, as mund t’i imagjinoni. 1 milionë nga 500 euro! Dajë e nip! Prandaj s’ka para për të mbështetur fermerët dhe taksat sa vijnë e rriten.
Prandaj ka një zotim që është mbi çdo zotim tjetër timin personal dhe të Partisë Demokratike karshi çdo qytetari:
Anullimi i të gjithë aferave korruptive, që nuk meritojnë të quhen koncesione dhe PPP, se janë afera të pastra hajdutërie duke nisur me Milot – Balldrenin, që është afera e të gjitha aferave për nga përmasat e vjedhjes: 17 km, 300 milionë euro. E para që do të anullohet, por jo e fundit.
Nga e para tek e fundit, të gjitha do të anulohen nëse kanë marrë para nga Buxheti i Shtetit; këto para do të gjurmohen dhe t’i kthehen Buxhetit të Shtetit, pra do t’i kthehen qytetarëve.
Pa luftuar, pa shënjestruar korrupsionin që e ka degdisur vendin të tretin në botë për korrupsion, nuk kemi mundësi ne të mbështesim as pensionistët, as studentët, as fermerët”, u shpreh Basha.