Qeveria shqiptare miratoi kontratën e koncesionit të rrugës Milot–Morinë, me konsorciumin e kompanive “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC – Salillari, Shpk – BEE TECH – Violiap Ateve – Kastrati, ShA”, një koncesion që pritet t’i kushtojë shqiptarëve mbi 300 milionë euro në 30 vitet e ardhshme. Njoftimi i qeverisë u publikua në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, ndërsa kontrata nuk është publike.
Sipas dokumenteve të tenderit, kompania koncesionare premton të investojë për përfundimin e disa segmenteve të rrugës, si dhe për mirëmbajtjen e saj në këmbim të një pagese vjetore për rreth 13 vjet prej 5 milionë eurosh në vit. Gjithashtu, trafiku aktual i rrugës prej 4,200 mjetesh në ditë pritet t’i japë kompanisë koncesionare mbi 6 milionë euro në vit, ndërkohë që rritja e trafikut përgjatë dekadave të ardhshme pritet të japë të ardhura shtesë për kompaninë.
Kontrata koncesionare iu dha fillimisht një konsorciumi tjetër, por Komisioni i Prokurimit Publik vendosi shfuqizimin e vendimit të shpalljes fitues dhe nxori fitues konsorciumin aktual.
Vendimi për dhënien me koncesion dhe vendosjen e pagesës mbi autostradën Milot–Morinë ka shkaktuar disa protesta nga banorët e zonës së Kukësit, të cilët i frikësohen dyfishimit të kostos së udhëtimit drejt Tiranës.
Rruga Milot–Morinë nisi të ndërtohet në vitin 2007 pas një tenderi të shumëdebatuar. Kostoja totale e rrugës vlerësohet në mbi 1 miliard euro, dy herë më shumë nga sa qe planifikuar fillimisht. Megjithëse janë shpenzuar mbi 1 miliard euro, një pjesë e rrugës, veçanërisht një numër urash në segmentin Kukës–Morinë kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së parave.
Ky është një nga shumë koncesionet që qeveria aktuale ka miratuar dhe që përfshijnë pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit. Qeveria ka nënshkruar apo pritet të nënshkruajë kontrata koncesionare me vlerë 65 miliardë lekë. Bashkë me koncesionin e Rrugës së Kombit, kostoja e këtyre koncesioneve mbi buxhetin e shtetit pritet të arrijë në mbi 73 miliardë lekë.