32 milion euro do të vidhen për zgjedhjet

Rriten shpenzimet për luksin qeveritar. Akti normativ i Ramës parashikon shtimin me 600 milionë lekë të Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave, duke konsideruar nivelin minimal të tij në fund të 6-mujorit të parë 2016, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara që kanë karakterizuar gjysmën e parë të këtij viti

 

Përmes një akti të fshehtë normativ, Rama ka miratuar rishikimin e buxhetit, duke ulur në mënyrë drastike të ardhurat për shërbimet ndaj qytetarëve e nga ana tjetër, duke rritur shpenzimet e veta. Akti normativ i Ramës parashikon uljen e plot 32 milionë euro të ardhura ose e thënë ndryshe parashikon vjedhjen e 32 milionë eurove, të destinuara për tu përdorur nga Rama për vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme. Zëri ku qeveria ka parashikuar këtë ulje të ardhurash janë pikërisht doganat dhe tatimet. Jo më kot, Rama shmangu diskutimet dhe debatin në Parlament për ndryshimet në buxhet. Partia Demokratike ka publikuar dje me shifra të gjitha zërat, ku qeveria parashikon të ulë të ardhurat si dhe zërat ku parashikohet shtim i fondeve.
Sipas shifrave, qeveria jo vetëm që nuk parashikon asnjë rritje pagash, pensionesh dhe fondesh ekonomike, asnjë investim publik ka ulur fondet për kujdesin ndaj qytetarëve në lidhje me papunësinë, arsimin, shëndetësinë e tij. Por ndërsa ka bërë këto shkurtime që prekin shifrën e 32 milionë eurove, qeveria është kujdesur për fondet për luksin qeveritar teksa ka miratuar shtimin me 600 milionë lekë të Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave, duke konsideruar nivelin minimal të tij në fund të 6-mujorit të parë 2016, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara që kanë karakterizuar gjysmën e parë të këtij viti.
Partia Demokratike reagoi dje ndaj propagandës së ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ndërsa theksoi se shifrat e krizës nuk mund të mbulohet me show dhe mashtrime mediatike.
“Tani që plasën në shesh të vërtetat e buxhetit të ndryshuar në fshehtësi, hajdutçe, Edi Rama ka nxjerrë të justifikojë zullumin një “ekonomist” me diplomë si mësues anglishteje, që është majmur me lekët e popullit. Ky i fundit ndoshta fut tek shifrat e punësimit edhe 100 mijë shqiptarët që kanë kërkuar azil në BE apo 200 mijë që kanë aplikuar për Green Card në SHBA. Zbrite nga çarteri sekserin tënd të shohë mijëra familje që i ke hequr nga ndihma ekonomike e sot vuajnë për bukën e gojës, ndërkohë që paratë kanë shkuar në tendera luksi te miqtë e bashkëpunëtorët e t’u”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike. Ishte kryetari i PD, Basha, i cili denoncoi të dielën miratimin në mënyrë të fshehtë të Aktit Normativ. “Në mënyrë tinzare, Kryeministri në ikje ka ndryshuar me Akt Normativ buxhetin pa e dërguar në komisione, në Parlament. Pse? Pse kështu hajdutçe, fshehtasi, duke shmangur debatin, oponencën, kritikën? Sepse me ndryshimin e buxhetit, Edi Rama nuk rrit asnjë pagë, tall dhe poshtëron 635 mijë pensionistët me indeksimin 1.6 për qind, pra, një bukë e 100 gramë djathë në muaj, kur çmimet janë rritur e nuk kanë të ndalur. Kryeministri në ikje nuk rrit asnjë qindarkë fondet për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Kur papunësia rritet çdo ditë, ai nuk shton, por e ul me 10% fondin për pagesën e papunësisë. Asnjë qindarkë për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë”, thuhet në denoncimin e Bashës.
Kreu i PD ka denoncuar rritjen e shpenzimeve për vetë Kryeministrinë si dhe fryrjen e administratës me 68 punonjës të rinj. “Kryeministri në ikje ul fondet për arsimin, shëndetësinë dhe burgjet, ul fondet për investimet me financim të huaj. Rrit borxhin publik për vitin 2016. Por Edi Rama nuk ka harruar të shtojë 68 punonjës në aparatin e Kryeministrisë. 68 sharës të rinj në pallatin e tij, që do të paguhen me paratë e shqiptarëve për t’i shërbyer propagandës e llafeve, e aspak punës. Kjo është qeverisja e degraduar dhe korruptive e Kryeministrit në ikje. Taksa të larta, gjoba të larta, çmime të larta. Shto luksin e shërbëtorët për vete, ul fondet dhe rrit mjerimin për shqiptarët. Partia Demokratike ka një plan shpëtimi për vendin. Në programin e saj, buxheti do të jetë pronë e shqiptarëve, jo plaçkë për t’u ndarë sipas tekave. Ne do të ulim taksat dhe shpenzimet qeveritare. Çdo fond do të shkojë për investime, për vende të reja pune, për paga e pensione më të larta, për zbutjen e varfërisë në vend dhe për një ekonomi të fortë e një të nesërme të sigurtë për të gjithë shqiptarët”, citohet në reagimin e kreut të PD.
Arben Shahini

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetër32 milion euro do të vidhen për zgjedhjet