32 vite pluralizëm/ Nga zgjedhja e presidentit, te ndryshimet kushtetuese, PS-PD kanë arritur marrëveshje të rëndësishme politike në dekada, por edhe…

Klasa politike në Shqipëri, sidomos dy forcat kryesore Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, në 32 vitet e pluralizmit kanë arritur marrëveshje të rëndësishme politike.

Sali Berisha në vitin 1997, pas trazirave të mëdha mblodhi faktorët më të rëndësishëm politikë në vend dhe me një marrëveshje të madhe u formua qeveria e pajtimit kombëtar, me kryeministër të ndjerin Bashkim Fino.

Në vitin 2002 Fatos Nano dhe Sali Berisha arritën marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit Alfred Moisiu. Në vitin 2007, demokratët dhe socialistët arritën marrëveshjen për shtyrjen e zgjedhjeve. Ndër marrëveshjet e konsiderua atë mëdha janë dhe ndryshimet në Kushtetutën e vendit në vitin 2008, pas paktit mes PS dhe PD.

Por, politologë dhe analistë mendojnë se ato kanë qenë vetëm pakte politike për të zgjidhur një krizat e momentin dhe asnjëherë nuk kanë pasur për qëllim krijimin e një agjende të mirëfilltë për të adresuar reformat e mëdha dhe afatgjata, për të cilat ka nevojë vendi.

Marrëveshjet kanë lindur dhe më pas janë nënshkruar vetëm për interesin e partive, jo si mjet për të hartuar një platformë të gjerë dhe afatgjatë reformash të vërteta.

Gjatë negociatave mes palëve, në arritjen e shumë marrëveshjeve, rol të rëndësishëm kanë pasur partnerët ndërkombëtarë. Por në kushtet aktuale, kur politika është përfshirë nga përplasjet, politologët dhe analistët mendojnë se faktori ndërkombëtarë po qëndron i distancuar.

Politologu, Afrim Krasniqi u shpreh për News24 se “Në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të vetëm kur aktorët politikë janë mbledhur dhe kanë rënë dakord në aspektin afatgjatë për ta respektuar atë. Nëse shohim historinë, 60 marrëveshje janë bërë në momentet e fundit, ose për shkak të nevojave, si ajo e vitit 2008, ku u ndryshua sistemi kushtetues. Edhe marrëveshjet e mëdha si ‘Reforma në Drejtësi’ nuk patën efekt afatgjatë. Kanë qenë marrëveshje për të kapërcyer një krizë politike.”

Ndërsa politologu Fitim Zekthi u shpreh se “Marrëveshjet mund të kenë qenë thelbësore, si ajo e vitit 2008, por besoj se dy partitë e mëdha në vend s’kanë qenë asnjëherë parti në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Kanë zgjedhur të veprojnë sipas interesit më të ngushtë të tyre. E tregon edhe tranzicioni i gjatë. Nuk di asnjë marrëveshje ku palët të kenë dalë mbi veten. Marrëveshjet e mira janë ato ku interesi i vendit është më i rëndësishëm.”

(BalkanWeb)

Exit mobile version