Nga Marta Abbà
Masakër. Ata që e kanë panë me sytë e tyre dhe mund të thonë diçka, flasin për “masakër”. Por shumica nuk flasin, tundin kokën, komunikojnë me shikim dhe ulin sytë. “I pamë duke ngarkuar në kamion një lloj unik të ahut të lashtë, një dru me cilësi të lartë. Asnjë rregull nuk u respektua. Prenë çfarë donin”- thotë Ahmet Mehmeti, një inxhinier pyjesh, që për vite me radhë është një aktivist i pavarur kundër prerjeve pa kriter.
Andi Bego, specialist i ojq-së mjedisore PPNEA, e përfundon kështu përshkrimin e zinxhirit të furnizimit: “Pas prerjes së paligjshme të drurëve, ata i vënë flakën zonës për të zhdukur të gjitha gjurmët. Pyjet në këtë zonë (Bishnica, në perëndim të Pogradecit) përdoren edhe për dru zjarri, por pjesa më e madhe e tyre eksportohet në vendet fqinje”.
Bego përmend Italinë dhe Greqinë, edhe pse nuk ka asnjë provë filmike, përveç imazheve të ngulitura mirë në kujtesën e tij: “Pas vitit 2005, filloi një prerje masive paligjshme e pyjeve, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke u shtuar pa u shqetësuar nga askush”.
Mbi këtë zonë të largët, një nga të paktat ku ka mbetur ende diçka, nuk ka të dhëna. Ndërkohë ato që janë të disponueshme në shkallë kombëtare, dëshmojnë se Bego ka të drejtë, ashtu si imazhet satelitore. Por gjurmët e pemëve të prera humbasin shpejt.
Pushteti qendror dhe Bashkimi Evropian miratojnë ligje, por ato ndihen shumë larg këtyre anëve. Dhe ndalimet e tyre anashkalojnë dinamikat lokale, duke treguar të gjithë dobësinë e tyre përballë kërkesës urgjente për dru.
Sipas INSTAT, gjatë viteve 2018-2023 Shqipëria ka humbur 320 mijë hektarë pyje dhe kullota (18 për qind) nga të cilat 82 mijë ishin pyje “të pastër” (7 për qind). Global Forest Watch thotë se vetëm në vitin 2023 janë zhdukur 2200 hektarë, ose ekuivalenti i 1 milionë ton emetimeve ndotëse CO2.
Dhe ky është “vetëm sprinti final” i një ”masakre” që vazhdon prej më shumë se 25 vjetësh, në mesin e një indiferencë të përgjithshme, dhe e favorizuar nga mungesa e gjurmueshmërisë lokale. Kjo edhe pse nga viti 2016 në Shqipëri është në fuqi një moratorium që ndalon prerjen dhe tregtimin dhe eksportin e produkteve të drurit deri në vitin 2026.
Parashikohen gjoba deri në 36 mijë euro, me 3 përjashtime: prerje për plotësimin e nevojave për dru zjarri të komuniteteve lokale, për ripërtëritjen dhe pastrimin e pyjeve, apo në rastet e ndryshimit të përdorimit të tokës.
Me miratimin e ligjit, investimet e qeverisë qendrore në sektorin pyjor ranë në zero si në 2016, ashtu edhe në 2017-ën. Sipas INSTAT, vetëm 220 mijë euro u investuan në vitin 2018 “për ripërtëritjen e pyjeve”. Apo dhe ato përfunduan kushedi se ku?
Ndërsa në fillim u duk sikur ligji po jepte rezultate pozitive, kufizimet e tij u bënë të dukshme në vitet në vijim. Mjafton të lexoni tekstin me kujdes për të kuptuar se sa i parashikueshëm ishte. Nuk ka kode specifike doganore për produktet që janë të ndaluara nga eksporti, he asnjë kufizim mbi sasinë e drurit që mund të pritet “për të plotësuar nevojat e banorëve për dru zjarri”.
Për më tepër, Shqipëria nuk ka një sistem kombëtar të gjurmimit të lëndës drusore apo një bazë të dhënash të unifikuar, për të gjurmuar drurin nga vendi i prerjes deri në pikën e shitjes. “Nga jashtë” janë të pakta OJQ-të që e përqendrojnë vëmendjen tek ky vend i vogël që nuk ndikon në PBB-në e ndonjë vendi të madh.
Ndërsa nga “brenda”, ka pak njerëz që arrijnë të dëgjohen në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Krahas moratoriumit, qeveria kreu edhe një rregullim institucional, duke e transferuar përgjegjësinë e menaxhimit të pyjeve nga autoriteti qendror tek 61 bashki, 33 prej të cilave deri në vitin 2023 nuk kishin asnjë plan në këtë drejtim dhe as personelin dhe pajisjet monitoruese për ta zbatuar ligjin.
Quhen të gjitha “pyjet ballkanike”, por siç ndodh shpesh me njerëzit, fati i pemëve varet edhe nga vendi ku kanë lindur, me ndryshimin se këto të fundit nuk mund të lëvizin, përveçse me koston e jetës së tyre.
“Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka një moratorium, dhe një pjesë e konsiderueshme e pyjeve janë prona publike. Ndaj tradicionalisht menaxhohen përmes planeve të menaxhimit”- thotë Davide Pettenella, profesor i Ekonomisë së Pyjeve në Universitetin e Padovës, dikur konsulent i FAO-s për Ballkanin.
Sipas tij ky kombinim favorizon korrupsionin. Cilido që shpresonte se angazhimi i Bashkimit Evropian për të luftuar shpyllëzimin mund të çonte në përmirësimin e situatës, dhe pse jo në një pikë kthese, e kishte gabim. Si EUTR ( Rregullorja Evropiane e Drurit), në fuqi që nga viti 2013, ashtu edhe versioni i tij i evoluar, EUDR, e cila kërkon gjeo-lokalizimin e çdo trungu të importuar në BE, nuk duket se kanë ndikuar në efektivitetin e mekanizmit kombëtar të shpyllëzimit.
Këtë e konfirmon edhe Pettenella, sipas të cilit një pjesë e konsiderueshme e korrupsionit ndodh në fazën fillestare të procesit, pra kur druri shitet, kontrollohet dhe eksportohet. Druri që vjen nga praktikat korruptive, kushton më pak se çmimi normal i tregut, ndaj ka një nxitje për të prerë më shumë dhe për rrjedhojë një presion më të madh mbi shkelësit e ligjit.
“Në fakt, eksporti i produkteve me bazë druri të importuara më parë në Shqipëri nuk është i ndaluar, dhe kjo justifikon fluksin e mundshëm tregtar drejt Italisë apo vendeve të tjera të huaja”- thotë eksperti Angelo Mariano.
Duke parë listën e kompanive italiane në sektorin që bëjnë biznes me Shqipërinë, bie në sy eksperienca e një kompanie me seli në Zogno të Bergamos: Minelli Group.
E themeluar në vitin 1937 si një kompani për shitjen e druve të zjarrit, ky biznes në pronësi familjare është tani i fokusuar në produkte druri me cilësi të lartë, si doreza furçash, thikash, këmbët e mobiljeve dhe pjesë të lodrave prej druri.
Në vitin 2014, në një konferencë të Confindustria Bergamo, presidenti i atëhershëm i bordit të drejtorëve Adriano Minelli, foli për një sipërmarrje të përbashkët të nisur në vitin 2010 me Alxhef, një kompani me qendër 20 kilometra nga Tirana. Corriere della Sera e Bergamos e citonte të shprehej: “Në Shqipëri shfrytëzojmë drurin e ahut, që në rastin e produkteve me kosto të ulët përpunohet në vend”.
Jemi në periudhën para moratoriumit, ku çdo gjë është e lejuar. Por në periudhën pas moratoriumit, konkretisht vitin e kaluar, po BergamoNews konfirmon vazhdimin e këtij biznesi në Shqipëri, eksportet e të cilit shkojnë kryesisht në SHBA, ku ka edhe një degë në Karolinën e Veriut.
Sërish pas vendosjes së moratoriumiut, në vitin 2017 konfirmohen të paktën 5 dërgesa të bëra nga Alxhef tek dega e kompanisë Minelli në SHBA, kryesisht me paleta dhe dru të papërpunuar ahu, nëpërmjet anijes Gioia Tauro.
Kur u pyet për këtë gjë, kompania shpjegoi se e kishte bërë këtë zgjedhje “për shkak të kostos shumë më të ulët të punës, për të qenë në gjendje të mbijetonte në disa tregje”, dhe Alxhef ka qenë gjithmonë një “furnizues i thjeshtë i elementeve të papërpunuara dhe gjysmë të gatshme të ahut, që në Itali transformohen në produkte dhe më pas rishiten si në Evropë ashtu edhe në SHBA”.
I pyetur për moratoriumin, përfaqësuesi i kompanisë Marcello Minelli mohon se Shqipëria ka qenë ndonjëherë burim i drurit të ahut: “Alxhef ka importuar trungje ahu nga jashtë edhe para vitit 2016. Ne e dimë që i blen në Mal të Zi dhe Kosovë, së fundmi edhe nga Greqia”.
E themeluar në vitin 2001, gjatë viteve 2015-2022, Alxhef i është nënshtruar 5 sekuestrove apo bllokimeve për arsye administrative, dhe ka qenë gjithmonë e autorizuar të ofrojë “shërbime konsulence dhe profesionale në lidhje me pyjet dhe kullotat” në territorin shqiptar.
Dhe duket se ajo është ende aktive. Në vitin 2023, nisi ta bënte këtë për Bashkinë e Tropojës, gjë që nuk u pëlqeu banorëve të fshatit Vranë e Madhe (brenda parkut rajonal Nikaj-Mërtur). Sapo panë prerës në pyllin e tyre të ahut, ata fajësuan Alxhef dhe bashkinë e tyre për prerjen e paligjshme.
Dokumentet zyrtare tregojnë se Alxhef, si i vetmi pjesëmarrës në tenderin e nëntorit 2022, ka fituar një tender me vlerë 4.560.000 lekë (afërsisht 46.000 euro) për 6 muaj me objekt “blerje dru zjarri”, dhe vitin pasardhës ka përsëritur kontratën me një vlerë pak më të ulët (44 mijë euro).
Thesari raporton transaksionet me datat përkatëse për “shërbimin e ngrohjes”, nga bashkia e Tropojës dhe citon transaksione nga bashki të tjera të shpërndara në të gjithë territorin duke përfshirë Elbasanin, Kukësin dhe Pogradecin.
I pyetur drejtpërdrejt për aktivitetet e Alxhef, kreu i kompaisë Xhafer Fiora thotë: ”Ne nuk grumbullojmë dru zjarri, nuk kemi kontakte apo kontrata me kompanitë që operojnë në këtë sektor. Kemi importuar gjithmonë materiale nga Mali i Zi, Bosnja, Kroacia, Kosova, Greqia, 90 për qind dru ahu”.
Po në Tropojë? Fiora konfirmon se ka “respektuar kontratën, duke prerë vetëm drurët e rënë, të tharë apo ato në listën e dakordësuar me bashkinë e Tropojës”, duke saktësuar se bëhet fjalë për “kontrata të mbyllura”.
E pyetur në lidhje me këtë, më 21 mars bashkia Tropojë më konfirmoi me e-mail se “AL Xh EF Shpk” vazhdon të operojë në zonë, e mohon dhënien e licencave për prerjen e druve të zjarrit, dhe konfirmon se ka shpallur tendera publikë për 8.489 metër kub dru në total, nga viti 2020 deri në 2024.
Duke iu referua të dhënave satelitore, zonat më të prekura janë ato të Pogradecit. Në këtë zonë janë shkatërruar rreth 2485 hektarë pyje vetëm gjatë viteve 2017-2023. Flasim për zona me përmasa të konsiderueshme. Është e vështirë të mendosh që të gjitha priten vetëm për të plotësuar konsumin lokal për dru zjarri.
Por është e vështirë të tregohet e kundërta, pasi nuk ka një kufi të qartë mbi sasinë e treguar zyrtarisht. Shpëtim Lato, administrator i fshatit të vogël Velçan, 40 km në jug të Librazhdit thotë: “Prerja e paligjshme e pyjeve vazhdoi deri para dy muajsh. Unë e raportova këtë fenomen dhe takova zyrtarë në bashkinë e Pogradecit. Por më thanë se nuk mund të bënin asgjë, pasi prerësit e paligjshëm kanë lidhje të forta politike”./ “Balcani Caucaso”