Kryetari i PD, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka përkujtuar 33-vjetorin e masakrës së 2 Prillit në Shkodër.
“Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si të gjithë Europa”, – shkruan Basha.
Postimi i plotë:
Protesta e 2 Prillit 1991 dhe masakra që pasoi është një ngjarje e përmasave epokale që tregon se përmbysjet e mëdha nuk mund të realizohen pa sakrifica të mëdha. Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si të gjithë Europa.
Përulje të thellë dhe nderim të përjetshëm për lulen e rinisë shkodrane, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, martirizimi i të cilëve shënjoi nisjen e një ndryshimi rrënjësor, që sa më shpejt të ndodhte aq më mirë do të ishte për të gjithë shqiptarët.
Edhe pse kanë kaluar 33 vite, duket se e keqja përsërit vetveten, ndaj ngjarje të tilla duhet të na shërbejnë si përkujtim se për Lirinë dhe Demokracinë duhet të shkojmë në betejë përditë.
Kjo datë është një kambanë e përhershme dhe një thirrje e pandalshme se asnjëherë nuk duhet të rreshtim së përpjekuri për t’i tharë rrënjët e së keqes, duke i shkulur një herë e përgjithmonë, dhe duke mbjellë farën e së mirës për një shoqëri dhe komb që e ka të domosdoshëm ndryshimin dhe përtëritjen.