34 vite, kujtesë, nderim e reflektim!

Nga Gjergji Nika

Gëzuar 34- vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike Vlorë!

Si sot 34 vite më pare në Vlorë u themelua nga një grup nismëtarësh demokratë dega e Partisë Demokratike Vlorë!

Një datë e shënuar, e cila meriton të përkujtohet gjithmonë me veneracion e mirënjohje.

Jo vetëm themeluesit, jo vetëm drejtuesit e PD, por në radhë të parë demokratët e vërtetë luftëtarë e qëndrestarë, idealistë e ëndërrimtarë, konseguentë në bindjet e tyre të djathta e properëndimore, meritojnë jo vetëm respektin maksimal, por shumë më shumë.

Ashtu siç meriton më shumë Shqipëria!

29 dhjetori 2024 duhet të jetë jo vetëm një ditë kujtese për të gjithë demokratët vlonjatë, por edhe një ditë reflektimi dhe apeli për të ardhmen!

Reflektim dhe apel se ku dhe si është PDSH sot!
Fatkeqësisht vazhdon të jetë e përçarë, me figura të vjetra në moshë e ide, tejet të konsumuara e të ricikluara politikisht, por edhe të pashpresa për të sjellë fitoren e shumëpritur për demokratët.

Sot në PD nuk gjen figura të reja intelektualësh apo edhe nga shoqëria civile, sepse kjo PD nuk është e aftë të frymëzojë, të bashkojë dhe të tërheqë frymë e gjak të ri, madje- madje duket sikur vetes i ka vënë qëllim që të largojë shoqërinë dhe të mbajë grushtbashkuar vetëm një grup militantësh, duke ricikluar dhe mbajtur në këmbë metodat e kastës komuniste në drejtim.

Në PD, e cila duhet të ishte e lidhur ngushtësisht me Perëndimin, aktualisht shohim riciklimin e figurave, që duhet të ishin larguar me kohë, fatkeqësisht shohim ringjalljen e kultit të individit dhe idhujve. Pikërisht këta idhuj dhe individë e kanë larguar PD nga parimet dhe vlerat e vërteta demokratike e perëndimore!

Sot PD është e vjetëruar në moshë, e vjetëruar në ide dhe aksion politik; refraktare dhe pa kauza; me humbës kronikë që hiqen si fitues dhe që kanë mbërthyer partinë kaq vite dhe e çojnë nga regresi në regres, duke larguar shumë anëtarë themelues të saj, elektoratin gri.

Sot PD, e cila u themelua si parti e hapur, është armiqësore me çdo mendim ndryshe dhe e pazonja të shohë e të punojë për interesin madhor të shqiptarëve dhe e izoluar ndërkombëtarisht.

Por ajo ç’ka është më e rëndësishmja, PD ende nuk gëzon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe, pavarësisht disa lobimeve, është totalisht e izoluar, duke na dënuar të mos jemi ashtu siç kërkon koha!

Të dashur miq,

34 vite më parë Partia Demokratike lindi si simbol i shpresës, i mendimit të lirë, si partia që na lidhte e do të na çonte drejt Perëndimit!

Sot demokratët nuk meritojnë që të ngelen peng i disa kauzave të rreme dhe disa personave arrivistë e karrieristë!

Sot demokratët meritojnë që sakrificat e tyre të mos keqpërdoren e ata të futen në konflikte të panevojshme me njëri- tjetrin dhe gjithë shqiptarët!

Partia Demokratike nuk e meriton të lëngojë mes së shkuarës dhe të ardhmes dhe të tërhiqet zvarrë nga interesat personale të njërit, i cili që fatin e partisë ta lidhë me fatin e tij personal dhe të ndalojë ndryshimin, progresin e rinovimin!

Sepse Partia Demokratike, demokratët e Shqipëria meritojnë më shumë, shumë më shumë!

Partia Demokratike nuk mund të mbahet peng në rrugën e saj properëndimore! Sepse Partia Demokratike është pro Shqipërisë dhe së ardhmes së saj euroatlantike.

Prandaj në këtë 34 vjetor i uroj PD dega Vlorë: Gëzuar, jetëgjatë, me forcë, koherencë, karakter e ide për demokratët dhe Shqipërinë!

Artikulli paraprakKroacia voton për Presidentin e ri/ Ja kandidatët më të favorshëm, por asnjëri prej tyre nuk mund të shpallet fitues sepse…
Artikulli tjetër“Vallja e hallit”, SPAK dhe alternativa Basha!