Partia Demokratike reagoi ashpër dje pas mungesës së 35 milionë dollarëve në arkën e shtetit në vetëm një muaj. Përmes një deklarate për mediat, këshilltari i PD për ekonominë, Dorjan Teliti bëri të ditur se mungesa e të ardhurave në tatime e dogana, e veçanërisht e një shume të tillë prej 35 milionë dollarësh është dëshmi e vjedhjes masive të parave, të cilat nuk shkojnë për investime për të mira publike por përfundojnë në xhepat e pushtetarëve.
“Edi Rama vendosi të ndërrojë bletët e tij punëtore në Tatime e Dogana, po këto institucione në këto tre vite mbeten dhe do vijojnë të jenë koshere të evazionit, korrupsionit dhe militantizmit partiak, të punësimit me listë sipas influencës së deputetëve dhe ministrave. Pavarësisht nëse quhen Briseida, Elisa, apo Vasilika, tatimet e doganat janë në dispozicion të klaneve të pushtetit dhe zgjedhjeve që po vijnë. Vetëm për gushtin rreth 35 milionë dollarë i munguan arkës së shtetit, duke qenë gropa më e madhe e bërë në një muaj të vetëm në vitet e fundit. 35 milionë dollarë të vjedhura, që nuk shkojnë për rrugë, shkolla, ndihmë ekonomike, por përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe klientëve të tyre” u shpreh Teliti.
Ai theksoi se taksat në dogana dhe tatime po kthehen në një Pazar, ku negociohen ryshfetet për të dërguarit e Ramës, dhe nuk shihen si detyrim ligjor. “Megjithë shkallën e lartë të evazionit, Rama nuk ndërron model, dhe në vend se bletët e tij të mbajnë përgjegjësi, i gradon më tej ato, duke i bërë zëvendësministre. Ndërkohë, vjedhjen në dogana e tatime e mban sërish nën kontroll, në duar të sigurta, duke ua besuar këshilltareve të tij. Ndryshimet e Ramës janë thjesht një makiazh, po vjedhja dhe hajdutëria në tatime e dogana nuk ndryshon” vijoi Teliti.
Tkurrja e të ardhurave
Të ardhurat buxhetore për periudhën janar-gusht 2016 arritën në 265.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për periudhën janar-korrik të ardhurat në total ishin rritur me 8.2%, ndërsa në janar-shkurt zgjerimi ishte dyshifror prej 20%. Gjithsesi, rritja e lartë në muajt e parë të 2016-s lidhet më shumë me performancën e dobët buxhetore në janar-shkurt 2015, si rrjedhojë e vendosjes së sistemit të ri online te tatimet. Më pas të ardhurat mujore u stabilizuan në rreth 32-35 miliardë lekë, aq sa po mblidhen edhe këtë vit. Në raport me planin fillestar, të ardhurat për 8-mujorin ishin 4.5 miliardë lekë më pak sesa plani.
Në gusht 2016 u mblodhën gjithsej 32.56 miliardë lekë, nga 32.38 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra pothuajse në të njëjtat nivele. Gushti 2016 ishte muaji më i dobët i këtij viti, që nga shkurti (shiko grafikun), ndërsa muaji më i mirë ka qenë korriku, me 34.9 miliardë lekë të ardhura. Në total, për 8-mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 181.6 miliardë lekë, me një zgjerim prej 8.4% me bazë vjetore. Ecurinë më të mirë e kanë pasur të ardhurat nga tatim fitimi që janë zgjeruar me 18.8%, kryesisht si rrjedhojë e këstit mujor që derdhte Bankers Petroleum, por që nuk do e paguajë më, pasi auditori i dha të drejtë kompanisë në konfliktin me tatimet, si dhe performancës së mirë të shoqërive energjetike, si OSHEE apo KESH.
Të ardhurat nga TVSH janë rritur me 6.8% për periudhën janar-gusht, në raport me 8-mujorin e një viti më parë. Akciza u zgjerua me 6.2%, si rrjedhojë e rritjes së importeve të mallrave të akcizës dhe tatimi mbi të ardhurat personale me 12.1%. Ecuri të mirë shënuan dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore, me zgjerim përkatësisht me 12.6 dhe 12.7%, megjithatë duhet pritur si do të jetë ecuria e tyre, pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pagat e referencës për profesionet e lira. Vendosja e tyre nga janari rriti ndjeshëm sigurimet që duhet të paguanin profesionistët, duke ndikuar pozitivisht në këtë zë. Buxheti është penalizuar nga rënia e të ardhurave jo tatimore, teksa Banka e Shqipërisë derdh fitime minimale, ndërsa këtë vit nuk ka arkëtime të jashtëzakonshme nga licencat celulare, siç ndodhi vitin e kaluar.