Nga Ervis Iljazaj
Ministrja Belinda Balluku njoftoi se më datën 30 dhjetor do të hapet plotësisht unaza e madhe e Tiranës. Më në fund do të ketë frymëmarrje për qytetarët e Tiranës, por dhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë që vizitojnë kryeqytetin. Dukej si një punim që nuk do të mbaronte kurrë, por ja që më në fund dhe kryeqyteti i Shqipërisë do të ketë unazën e tij si të gjithë kryeqytetet europiane. Nuk kuptohet si dhe përse këto vepra kaq thelbësore për lëvizshmërinë e Tiranës kanë zgjatur kaq shumë dhe kanë ballokuar përditshmërinë e saj.
U deshën 35 vite që nga ndryshimi i regjimeve që Tirana të kishte unazën e saj të madhe, ndërkohë që ky investim duhej të ishte investimi i parë që duhej bërë në Shqipëri. Ka qenë në zakonin e qeverive shqiptare, por dhe vazhdon të jetë që paratë e taksapaguesve të shpenzohen shpesh për vepra, infrastrukturë apo investime të cilat nuk shkojnë në përputhje me rëndësinë dhe domosdoshmërinë e qytetarëve shqiptare.
Për shembull në vitin 2004 në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, përfshi dhe Tiranën, jetonin rreth 75 përqind e popullsisë së Shqipërisë dhe kjo pjesë e saj prodhon gati 90 përqind të prodhimit të brendshëm bruto. Ndërkohë që investimet publike ishin vetëm 30 përqind të të gjithë investimeve. Një disproporcionalitet në raportin rëndësi-investime që nuk ka të ngjashme në asnjë vend tjetër. Ndoshta sot këto raporte janë ndryshuar, por gjithsesi fenomeni mbetet.
Shqipëria ende sot nuk ka anjë autostradë që të lidhë dy qytetet kryesore të saj, Shkodrën dhe Tiranën, por ama ka rrugë në Lumin e Vlorës. Aksi Shkodër-Tiranë është ndoshta aksi me lëvizshmërinë më të madhe në Shqipëri, por ama Shqipëria ka autostrada ku kalon një makinë në gjysëm ore. Ende sot në Tiranë nuk ka hyrje për njerëzit dhe automjetet që vijnë nga Veriu i Shqipërisë. Aktualisht po ndërtohet rruga e Arbrit, por për 35 vite me radhë të gjithë ata që vinin nga Veriu hynin në Tiranë nga Rruga e Durrësit.
Në këtë kuptim, qeveritë shqiptare, si në rastin e Unazës së Madhe të Tiranës , kanë shpenzuar paratë tona për vepra që nuk preknin rëndësinë ekonomike apo numrin e popullsisë. Sigurisht dhe në ato zona që banojnë pak njerëz investimet publike duhen bërë, por gjithmonë pasi të sistemohet infrastruktura në pikat kyçe të Shqipërisë.
Efikasiteti i investimeve publike duhet të ketë parasysh numrin e popullsisë të cilës i shërben, si dhe rëndësinë ekonomike të zonës. Në të kundërt, ato nuk janë aspak efikase. Është e pakuptimtë që të shtrosh rrugët e fshatrave, të çdo fshati madje, dhe të lësh Tiranën për 35 vite pa unazën e saj të madhe. Ka zona në Shqipëri ku ka shumë rrugë dhe pak njërëz, ka edhe zona ku ka shumë njërëz dhe pak rrugë. Kjo është e pakuptueshme dhe aspak efikase për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Prandaj rasti i unazës së madhe është simboli i këtij mentaliteti të gabuar që ka shoqëruar investimet publike në Shqipëri për 35 vite. Qeveritë shqiptare duhet që paratë tona t’i shpenzojnë për sa më shumë njërëz dhe për një ndikim më të madh ekonomik. Çdo investim, në çdo cep të Shqipërisë, sado i humbur të jetë sigurisht që duhet bërë. Por ama, paratë janë ato që janë, dhe duhet të ketë prioritete./Liberale.al